top of page

🇦🇱 Çamëria në Kujtesë dhe Vizion: Nga Plaga te Rinisja e Identitetit Kombëtar. Për 27 Qershorin


Ditën e Përkujtimit të Genocidit Grek ndaj Popullsisë Shqiptare të Çamërisë!


✍️ Nga Arian Galdini


Në një qoshe të hartës së shpirtit shqiptar, është një vend që nuk ndodhet më në librat e gjeografisë, por jeton në zemrën tonë si plagë dhe lutje, Çamëria.


Sot, më 27 qershor, nuk përkujtojmë thjesht një krim historik, por një plagë të gjallë.


Nuk përkujtojmë një luftë, por një heshtje të detyruar. Nuk mbajmë zi për ata që vdiqën, por për ata që ende nuk janë kthyer në shtëpi, edhe pse janë gjallë.


Genocidi grek mbi shqiptarët e Çamërisë më 27 qershor 1944 nuk ishte vetëm krim mbi trupin, por atentat ndaj kujtesës, trashëgimisë dhe identitetit.


Ishte një përpjekje për të shkulur një popull nga rrënjët, për ta përzënë nga toka, historia dhe vetëdija.


Por ajo që u desh të vdiste, nuk vdiq kurrë.


Shumë kombe janë shpërndarë nëpër botë dhe i kanë harruar origjinat e tyre.


Por Çamëria nuk u shua. Ajo kullon gjak në kujtesën tonë.

Është gjyshja që flet me lot.

Është kënga që mbetet pa këndues.

Është shtëpia që nuk është rrënuar nga koha, por nga mohimi.


Çamëria është një udhëtim që nuk përfundon kurrë, sepse ai që është dëbuar padrejtësisht, nuk e ndalon kurrë udhëtimin e kthimit.


Sot, kur një pjesë e madhe e botës kërkon të mbrojë identitete të shpikura dhe të ndërtojë realitete virtuale, ne nuk kërkojmë shpikje, por të drejtën për të qenë.


Për të pasur një hartë identitare që pranon se jemi, kemi qenë dhe do të jemi.


Çamëria është dëshmia që Shqipëria nuk është thjesht një shtet, por një organizëm i përçudnuar, një qenie e gjymtuar që ka nevojë të përqafojë të gjitha gjymtyrët e saj për të qenë e plotë.


Por nuk mjafton të kujtojmë.

Kujtesa pa vizion është lot i thatë.

Ajo kthehet në nostalgji të pashpresë.


Neoshqiptarizmi nuk e pranon kujtesën si mallkim, por si gur themeli për një ringritje të re.


Pikërisht këtu lind Vizioni i Rinisjes Kombëtare, ku Çamëria nuk është më thjesht çështje e së shkuarës, por bërthamë e një Shqipërie të re.


Ne nuk kërkojmë kthim sentimental. Kërkojmë kthim strategjik.


Kjo është epoka e hartave të reja, jo të vizatuara me kufij, por me ide, kulturë, infrastrukturë identitare, memori digjitale dhe prani juridike ndërkombëtare.


Ide për të ardhmen:


Çamëria si Qendër Kujtese dhe Rinisjeje


1. Arkiva Kombëtare e Genocidit mbi Shqiptarët e Çamërisë, në bashkëpunim me universitete ndërkombëtare, duhet të ndërtohet si një platformë e dokumentimit dhe njohjes globale të këtij krimi të pandëshkuar.


2. Hartë Digjitale Identitare e Çamërisë: me koordinata, dokumente, rrëfime, dëshmi, fotografi dhe pronësi të dokumentuar për çdo fshat e shtëpi të grabitur. Një Google Earth e së vërtetës shqiptare.


3. Qendra Ndërkombëtare për të Drejtat e Popullsive të Dëbuara me seli në Tiranë: Shqipëria të bëhet zëri i popujve të mohuar, të shpërngulur dhe të padëgjuar. Le ta kthejmë dhimbjen tonë në model universitar, ligjor dhe etik për popuj të tjerë.


4. Çamëria, Zonë e Kujtesës Kombëtare dhe Qytetarie Shqiptare: Të krijohet në Shqipëri një zonë tërheqëse kulturore, ekonomike dhe historike, ku kultura, gastronomia, muzika dhe kujtesa çame bëhen pjesë e edukimit dhe turizmit identitar shqiptar.


5. Pasaporta e Kujtesës për çdo të dëbuar: Një pasaportë e veçantë e lëshuar nga shteti shqiptar për çdo familje çame të dëbuar, që e njeh atë si qytetar të Shqipërisë së mohuar.


Çamëria është përpara.

Çamëria nuk është fshat i humbur.

Çamëria është një busull që tregon se drejtësia nuk është e harruar, por e vonuar.

Ajo është prova që Shqipëria nuk duhet të jetë vetëm një vend, por një projekt i përhershëm drejt përmbushjes së vetes.


Ne nuk kërkojmë vetëm kthim tokash. Kërkojmë kthim të identitetit të mohuar, kthim të të vërtetës historike, kthim të Shqipërisë ndaj vetes së saj.


Çam – Çështje Am


është rrënjë, lot dhe horizont.


Ne nuk harrojmë sepse harresa është vdekje.

Por nuk duam të jetojmë në varr.

Duam të ringjallemi me kujtesë dhe ide.

Dhe për këtë, na duhet më shumë se e kaluara.

Na duhet një Shqipëri që beson se është më shumë se kufijtë e saj.


Na duhet një Neoshqiptarizëm që e ndërlidh të kaluarën me të ardhmen, me dinjitet dhe pa asnjë kompromis me të vërtetën.


🇦🇱

Çamëria nuk është peng i historisë.

Çamëria është porta e së ardhmes.


🖋 Arian Galdini


📅 27 Qershor 2025


📌 Dita e Përkujtimit të Genocidit Grek ndaj Popullsisë Shqiptare të Çamërisë


🇦🇱 Neoshqiptarizëm për Rinisjen e Kombit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page