Copëza nuk është dëshmi…
- Arian Galdini

- Jun 28
- 2 min read

Nga Arian Galdini
Mos e gjykoni njeriun nga çasti ku ju doli përpara.
Çasti nuk është njeriu.
Pamja nuk është jeta.
Fjalia nuk është karakteri.
Statusi nuk është fati.
Zëri i shkëputur nga dita që e lindi nuk është e vërteta e atij që foli.
Njeriu është kohë.
Ai është ajo që përsëritet kur askush nuk sheh.
Ajo që mbahet kur nuk ka dëshmitarë.
Ajo që kushton kur nuk ka duartrokitje.
Ajo që mbetet kur interesi ka kaluar.
Njeriu është fjala e mbajtur kur fjala kishte kosto.
Vepra e bërë kur veprimi kishte pasojë.
E vërteta e mbajtur kur heshtja ishte më e lehtë.
Gabimi që nuk u fsheh.
Ndreqja që nuk u shit.
Barra që nuk u kthye në reklamë.
Çmimi që nuk u bë treg.
Ekrani sjell copëza.
Por jeta nuk jeton në ekran.
Jeta ndodh aty ku kamera nuk rri.
Në vitet që nuk bëhen lajm.
Në ditët pa spektatorë.
Në vendimet që nuk shihen.
Në qëndrimet që nuk paguhen.
Në plagët që nuk kërkojnë mëshirë.
Në betejat ku njeriu nuk fiton pamje, por ruan veten.
Kjo është varfëria më e madhe e gjykimit modern, nuk pret më ta njohë njeriun, mjaftohet ta kapë.
E kap në një çast.
E ndal në një pamje.
E shkul nga koha.
E ndan nga rruga.
E bën provë të nxitimit të vet.
Pastaj thotë, e njoh.
Por nuk e njeh.
Ka parë një copëz.
Dhe copëza nuk është dëshmi.
Kur copëza bëhet dëshmi, gjykimi nuk kërkon më të vërtetën, kërkon vetëm një pamje ku të mbështesë ngutjen e vet.
Atëherë njeriu nuk gjykohet.
Copëtohet.
Dhe njeriu i copëtuar dënohet lehtë, sepse i është marrë më parë e drejta për t’u parë i tëri.
Kjo është padrejtësi ndaj njeriut.
Më thellë se kaq, është padrejtësi ndaj vetë drejtësisë.
Drejtësia nuk nis me dënimin.
Nis me tërësinë.
Nis me durimin për të parë përtej çastit.
Nis me ndershmërinë për të pranuar se ajo që pamë nuk mjafton.
Asnjë gjykim nuk është i drejtë nëse më parë e ka bërë njeriun më të vogël se jeta e tij.
Këtë drejtësi e kërkoj edhe për veten time.
Nuk kërkoj të mos gjykohem.
Më gjykoni.
Por më gjykoni drejt.
Jo nga rastësia.
Nga koha.
Jo nga pamja.
Nga karakteri.
Jo nga copëza.
Nga jeta.
Nuk mbaj përgjegjësi për çastin kur më ndeshni.
Nuk mbaj përgjegjësi për sa më njihni, sa më lexoni, sa më ndiqni apo sa më keqkuptoni.
Por mbaj përgjegjësi për jetën time.
Për fjalën time.
Për veprën time.
Për kumtin tim.
Për atë që kam mbajtur ndër vite dhe nuk e kam shitur në çast.
Këtë e marr mbi vete.
Nuk kërkoj mëshirë.
Nuk kërkoj pëlqim.
Nuk kërkoj duartrokitje.
Kërkoj vetëm drejtësi.
Drejtësia fillon aty ku njeriu nuk copëtohet për t’u gjykuar më lehtë.
Copëza mund të rastisë.
Jeta jo.
Kaq.
Arian Galdini
.png)


Comments