top of page

Dalta!


Nga Arian Galdini


Në fillim nuk pati rënie.


Vetëm një vend brenda meje

ku emri kishte ndenjur gjatë

u ça pa zë.


Guri nuk foli.


Fryma mbeti aty,

e ngushtë,

pa njeri që ta dëshmonte.


Mëngjesi nuk u zhduk.

U bë i pabesueshëm.


Disa ëndrra rrinin pranë,

të pafjetura,

pa fytyrë,

si sende që ende zënë vend

pasi kuptimi u ka ikur.


Nuk i mora me vete.


Disa plagë qëndruan në mish,

pa lavdi,

si gozhdë që nuk mban asgjë

dhe prapë nuk del.


Prej tyre nuk doli urti.


Vetëm një çast,

një dorë e huaj afrohet

të marrë emrin,

dhe pëllëmba ime

mbulon vendin

ku ai rri ende.


Pastaj erdhi dalta.


Jo si shpëtim.


As si nder.


Goditi.


Çdo goditje hoqi diçka

që dukej imja,

zemërimin që donte fron,

frikën e veshur si këshillë,

fytyrën që donte të shpëtonte

pa e prekur e vërteta.


Nga guri nuk doli statujë.


Doli një njeri

me pluhur në duar,

me një të çarë në kraharor,

me sytë e lodhur nga errësira

dhe me një fjalë

që nuk kërkonte më leje.


Jam.


Aty mbaronte

çfarë mund të më merrej

pa dorën time.


Pastaj fjala u largua.


Nuk qëndroi në gjoks

si pronë.


U thye si buka,

iku si uji prej grushtit,

kaloi si drita

që nuk pyet ç’pjesë e gurit

duhet të mbetet e errët.


Aty fillimi

u nda nga emri im.


Prapa, humbja nuk u gënjye.

Përpara, asgjë nuk premtoi.

Mes tyre mbeti hapur

ajo që mund të mbyllej

me një emër njeriu.


E pashë të thahej

në dorën që e kishte shpëtuar

dhe pastaj e shtrëngoi.


Nuk u ula mbi plagë.


Mbytej

ajo që desha të shpëtoja.


Prandaj nuk kërkova gur

për emrin tim.


E lashë daltën te pragu.


Mbeti një punë e papërfunduar,

pak pluhur mbi teh,

një çarje

ku mëngjesi hyn

pa e shëruar gurin.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page