top of page

Dera dhe fusha!



Nga Arian Galdini


Një vend ka të drejtë të gëzohet kur i hapet një derë nga jashtë.


Sidomos një vend që ka pritur gjatë, që ka dëgjuar premtime, raporte, konferenca, kushte, vonesa, fjalë të mëdha dhe lodhje të vogla të përditshme.


Për Shqipërinë, çdo hap drejt Europës është lajm i mirë.


Jo sepse Europa është stoli mbi hartë, por sepse është masa më e lartë me të cilën mund të provojmë shtetin tonë.


Por një derë që hapet nga jashtë nuk mjafton.


Ajo krijon menjëherë një pyetje më të vështirë brenda, çfarë dyersh mban ende të mbyllura vetë Republika për qytetarin e saj?


Këtu fillon prova e vërtetë.


Europa nuk është vetëm vendi ku Shqipëria kërkon të hyjë.


Është mënyra si Shqipëria duhet të sillet me njeriun e vetë.


Nuk është vetëm kapitull, raport, konferencë, flamur, protokoll, fotografi, fjali diplomatike.


Është ajo kërkesë e heshtur që i bëhet çdo shteti kur dëshiron të quhet i pjekur, mos e përdor standardin si dekor, por lejoje të hyjë në trupin tënd.


Nëse drejtësia ndalet para pushtetit, Europa mbetet jashtë sallës.


Nëse paraja politike rri në hije, Europa mbetet jashtë garës.


Nëse media e mbyll dëgjimin, Europa mbetet jashtë fjalës publike.


Nëse administrata i shërben të fortit, Europa mbetet jashtë shtetit.


Nëse qytetari nuk mund të krijojë përfaqësim të ri pa kaluar më parë rojet e padukshme të sistemit, Europa mbetet jashtë Republikës.


Një shtet nuk bëhet europian kur i hapet një derë nga jashtë.


Bëhet europian kur nuk ka më frikë t’ia hapë fushën qytetarit të vet.


Kjo është arsyeja pse çdo lajm i mirë për integrimin duhet të na gëzojë, por edhe të na disiplinojë.


Gëzimi pa disiplinë bëhet festë e shkurtër. Disiplina pa gëzim bëhet thatësi.


Një vend serioz i mban të dyja, e mirëpret derën që hapet dhe pyet menjëherë nëse brenda tij fusha është vërtet e lirë.


Sepse demokracia nuk fillon ditën e votimit.


Kutia është fundi i një rruge, jo fillimi i saj. Para se qytetari të votojë, ai duhet të ketë dëgjuar.


Para se të dëgjojë, dikush duhet të ketë pasur mundësi të flasë.


Para se të flasë, duhet të mos jetë përjashtuar nga paraja, ekrani, administrata, frika, rrjeti klientelist, heshtja e organizuar dhe zakonet e vjetra të pushtetit që e quajnë veten stabilitet.


Vota është akti i fundit i një gare.


Nëse gara para votës është e pabarabartë, kutia nuk e pastron padrejtësinë, vetëm e regjistron atë.


Kjo është pika ku reforma zgjedhore pushon së qeni teknikë dhe bëhet moral shteti.


Nuk mjafton të flitet për mandate, formula, lista, qarqe, koalicione dhe pragje sikur demokracia të ishte ushtrim aritmetik. Numrat kanë rëndësi.


Por numrat, kur vendosen mbi një fushë të shtrembër, nuk prodhojnë domosdoshmërisht drejtësi.


Mund të prodhojnë pamjen e drejtësisë mbi një pabarazi të trashëguar.


Një rregull mund të jetë i pastër në letër dhe i padrejtë në efekt.


Kjo është një nga të vërtetat që shtetet e papjekura nuk duan ta dëgjojnë.


Ato e duan ligjin si tekst, jo si pasojë.


E duan formulën si mbrojtje, jo si provë.


Thonë se të gjithë janë të barabartë para së njëjtës rregull, por harrojnë se jo të gjithë vijnë te rregulli nga e njëjta fushë.


Njëri vjen me media, para, administratë, patronazh, emër të vjetër, rrjete të gjatë dhe frikë të shpërndarë në terren.


Tjetri vjen me zë, bindje, punë të vogël, qytetarë që duhet t’i takojë një nga një, dhe me një derë publike që shpesh nuk i hapet.


Pastaj ligji u thotë të dyve: kaloni të njëjtin prag.


Kjo nuk është gjithmonë drejtësi. Ndonjëherë është mënyra elegante si pabarazia bëhet rregull.


Në një fushë të pabarabartë, pragu i lartë nuk është filtër demokratik.


Është përkthim ligjor i pabarazisë ekzistuese.


Kjo nuk është thirrje për mungesë rregullash.


Një demokraci pa rregulla bëhet zhurmë. Por një demokraci ku rregullat nuk shohin realitetin bëhet gardh.


Rregulli i mirë nuk mbron të fortin nga hyrja e të dobëtit.


Mbron qytetarin nga mashtrimi, paranë e errët, dhunën, blerjen, kapjen, gënjeshtrën, administratën e përdorur dhe deformimin e garës.


Rregulli i mirë nuk i frikësohet alternativës së re.


I kërkon pastërti, por nuk ia mbyll rrugën përpara se qytetari ta dëgjojë.


Këtu qëndron dallimi midis stabilitetit dhe mbylljes.


Stabiliteti i vërtetë nuk ruhet duke ngushtuar garën.


Ruhet duke i bërë qytetarët të besojnë se gara vlen.


Një vend nuk bëhet më i qetë duke ia hequr qytetarit mundësinë për të parë alternativa.


Bëhet më i lodhur, më cinik, më i kapur nga bindja se gjithçka është vendosur para se ai të hyjë në sallë.


Dhe një demokraci ku qytetari mendon se gjithçka është vendosur para tij, nuk ka vetëm krizë zgjedhjesh.


Ka krizë besimi.


Integrimi europian, nëse merret seriozisht, e prek pikërisht këtë plagë.


Ai nuk duhet të jetë një korridor ku ecin vetëm institucionet, ndërsa qytetari mbetet jashtë kuptimit të tij.


Nuk duhet të jetë gjuhë zyrtare që ngjitet lart, por nuk zbret poshtë.


Nuk duhet të jetë marrëveshje mes elitave që flasin për standarde, ndërsa fusha politike vazhdon të ruhet nga të njëjtët mekanizma.


Integrimi që nuk zbret te qytetari mbetet marrëveshje mes institucioneve, ende nuk bëhet jetë republike.


Prandaj rruga europiane nuk matet vetëm me atë që Brukseli pranon të hapë.


Matet edhe me atë që Tirana pranon të çlirojë.


Nëse jashtë hapet një kapitull dhe brenda mbetet e mbyllur mundësia e qytetarit për të krijuar përfaqësim të ri, atëherë kemi afrim formal, por jo europianizim të plotë.


Kemi dritë mbi dokument, por ende hije mbi fushë.


IBAR-i mund të matë shtetin para Europës. Reforma Zgjedhore mat Republikën para qytetarit.


Dhe Republika nuk mund ta kalojë këtë provë me gjuhë të përgjithshme.


Ajo duhet të tregojë se drejtësia hyn te pushteti, se financimi politik hyn në dritë, se administrata del nga shërbimi elektoral, se media nuk është portë e mbyllur për zërat e rinj, se sanksioni nuk është fjalë e varur në raport, se qytetari nuk përballet me një skenë ku disa kanë lindur të dukshëm dhe disa duhet të provojnë më parë të drejtën për t’u parë.


Një vend që kërkon të hyjë në Bashkimin Europian nuk mund ta trajtojë hyrjen politike të qytetarit si privilegj.


Kjo është arsyeja pse forcat e reja nuk duhet të kërkojnë strehë.


Duhet të kërkojnë fushë. Jo favor. Jo përjashtim. Jo karrige të rezervuar. Jo mëshirë institucionale.


Vetëm një garë ku humbja të jetë e besueshme, sepse mundësia për të mbërritur te qytetari ka qenë reale.


Një forcë e re që kërkon fushë të lirë nuk po kërkon të shpëtohet nga gara.


Po kërkon që gara të fillojë përpara se pragu ta gjykojë.


Kjo është themelore.


Sepse pragu mund të ketë kuptim vetëm pas mundësisë.


Nëse mundësia ka qenë e deformuar, pragu nuk mat më vetëm përkrahje.


Mat edhe pabarazinë e rrugës deri te qytetari.


Nëse media e ka mbyllur dëgjimin, nëse paraja e ka mbushur hapësirën, nëse administrata ka punuar në heshtje për njërën anë, nëse patronazhi ka ndërtuar hartë frike, nëse emri i vjetër ka zënë çdo dritare, atëherë pragu nuk vjen pas garës.


Vjen pas një parazgjedhjeje të padukshme.


Dhe një vend europian nuk duhet të ketë frikë nga qytetari që zgjedh pas dëgjimit të lirë.


Listat e hapura janë të mira kur hapin lirinë e qytetarit brenda subjektit.


Por ato nuk mjaftojnë nëse vetë hyrja e subjektit në fushë mbetet e filtruar.


Nuk mjafton të hapësh korridorin brenda një ndërtese ku shumë zëra nuk lejohen të hyjnë.


Nuk mjafton t’i japësh qytetarit më shumë zgjedhje brenda një liste, nëse para listës i ke ngushtuar hartën e alternativave politike.


Nuk mjafton të hapen listat, nëse mbyllet fusha.


Kjo nuk është betejë e vogël partie.


Është betejë për kuptimin e Republikës. Sepse Republika nuk është vetëm institucionet që mbajnë emrin e saj.


Është mundësia që qytetari të mos jetë spektator i rregullave të bëra për ta mbajtur në vendin e vet të vjetër.


Është mundësia që një ide, një grup, një lëvizje, një zë i ri, një ndërgjegje qytetare të mos trajtohet si e papërshtatshme për t’u dëgjuar vetëm sepse nuk vjen nga familja politike e lejuar prej kohësh.


Demokracia nuk dëmtohet vetëm kur vota preket. Dëmtohet edhe kur dëgjimi kufizohet.


Kjo është arsyeja pse çdo standard europian për zgjedhjet duhet të fillojë para kutisë.


Te financimi. Te media. Te administrata.

Te transparenca. Te sanksioni.

Te barazia e mundësisë.

Te aftësia e një force të re për të arritur te qytetari pa u mbytur në heshtje përpara se vota të flasë.


Nëse qytetari e sheh vetëm atë që sistemi ia lejon të shohë, vota e tij mbetet formalisht e lirë, por politikisht e varfëruar.


Një demokraci e pjekur nuk ka frikë nga zgjerimi i dëgjimit.


Përkundrazi, e kërkon.


Sepse vetëm aty ku dëgjohet më shumë, zgjedhja bëhet më e përgjegjshme.


Vetëm aty ku hyrja është reale, humbja bëhet e ndershme.


Vetëm aty ku alternativa nuk mbytet përpara garës, fituesi ka legjitimitet më të plotë.


Këtu Shqipëria duhet ta kuptojë më mirë Europën.


Europa nuk është lavdërim për të fortët që kanë mësuar gjuhën e standardit.


Është kufizim i tyre.


Është mënyra si pushteti mëson se nuk është pronar i fushës.


Është mënyra si opozita mëson se nuk është e vetmja trashëgimtare e pakënaqësisë.


Është mënyra si partitë e reja mësojnë se liria nuk dhurohet, por as nuk duhet të mbytet.


Është mënyra si qytetari mëson se vota nuk është ritual i vonuar, por fundi i një procesi ku ai duhet të ketë pasur mundësi të shohë, të dëgjojë, të krahasojë dhe të vendosë.


Para se Shqipëria të integrohet plotësisht në Europë, qytetari duhet të integrohet plotësisht në Republikën e vetë.


Ky është integrimi i brendshëm.


Pa të, integrimi i jashtëm mbetet i cunguar.


Mund të sjellë hapje kapitujsh, konferenca, vlerësime, pritje të mira, por nuk e shëron atë vend ku qytetari ende ndien se Republika ka hyrje të ruajtura.


Drejtësia duhet të hyjë te pushteti.

Paraja politike duhet të hyjë në dritë.


Administrata duhet të hyjë në paanshmëri.

Media duhet të hyjë në përgjegjësi publike.

Zëri i ri duhet të hyjë në dëgjim.


Qytetari duhet të hyjë në garë përpara se të hyjë në kuti.


Këto janë portat e brendshme të Europës.


Pa to, një vend mund të ecë drejt Brukselit, por të mbetet i mbyllur në mënyrën si prodhon pushtet.


Mund të marrë dritë jeshile jashtë, por të ruajë të njëjtën errësirë brenda.


Mund të flasë për kapituj dhe të heshtë për fushën.


Mund të quhet kandidat më i afërt dhe prapë të mos jetë Republikë më e hapur.


Nuk ka Europë të vërtetë mbi një demokraci të filtruar.


Prandaj ky moment nuk duhet humbur në festë, as në cinizëm.


Festimi pa kërkesë e kthen Europën në dekor.


Cinizmi pa dashuri për vendin e kthen Europën në armë të brendshme.


Shqipërisë i duhet një qëndrim më i pjekur, të gëzohet kur dera hapet dhe të kërkojë që standardi të hyjë menjëherë në fushë.


Kjo është detyra e një force politike që e do Europën jo si skenë, por si rend.


Jo si slogan, por si disiplinë.


Jo si shpëtim nga jashtë, por si mënyrë për ta rindërtuar jetën publike brenda.


Për këtë arsye, beteja për një fushë të lirë nuk është betejë kundër integrimit.


Është një nga provat më serioze të tij.


Kush e do Europën vetëm kur ajo hap dyer në Bruksel, por nuk e do kur kërkon hapje brenda Republikës, nuk e do Europën si standard. E do si stoli.


Një vend europian nuk mbron të fortin nga qytetari. Nuk e quan rrezik zërin e ri.

Nuk e shpall stabilitet mbylljen.


Nuk e fsheh paranë.

Nuk e përdor administratën.


Nuk e lë median të bëhet gardh i padukshëm.


Nuk i thotë alternativës, provo më parë të mbijetosh jashtë dëgjimit, pastaj do të të masim.


Një vend europian i hap fushën qytetarit, sepse nuk ka frikë nga zgjedhja e tij.


Në këtë pikë, Shqipëria nuk pyetet vetëm nëse Europa po i hap një derë.


Pyetet nëse vetë Shqipëria ka guxim të hapë fushën.


Nëse jo, do të kemi një paradoks të hidhur, një shtet që përparon në letra, por qytetarët e tij vazhdojnë të ndeshen me porta të ruajtura, një vend që afrohet me Brukselin, por nuk afrohet sa duhet me qytetarin, një demokraci që mban kutinë, por e varfëron rrugën drejt saj.


Dera nga jashtë nuk e shpëton një Republikë që brenda e ka lënë fushën nën rojë.


Prandaj lajmi europian duhet përshëndetur. Por pikërisht sepse duhet përshëndetur, duhet marrë seriozisht.


Dhe ta marrësh seriozisht Europën do të thotë të mos e lësh vetëm në raport.


Ta çosh te drejtësia. Te financimi. Te administrata. Te media. Te Kodi Zgjedhor.


Te qytetari që kërkon të krijojë një përfaqësim të ri.


Te forca e re që nuk kërkon strehë, por fushë.


Te gara që nuk duhet të vendoset para votës.


Sepse një vend nuk bëhet europian ditën kur i hapet një derë në Bruksel.


Bëhet europian ditën kur nuk ka më frikë t’ia hapë fushën qytetarit të vetë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page