E djathta humane…
- Arian Galdini

- 4 days ago
- 3 min read
Miq,
Sot është 1 shtator 2026.
Pas 21 gushtit, Rinisja nuk ka më të drejtë ta matë veten me faktin se është ende këtu.
Në Sheshin Skënderbej dolëm përpara qytetarëve me emrin tonë, pa u fshehur pas një force tjetër dhe pa pranuar të bëhemi numër në shtëpinë e askujt.
Po atë ditë, Kuvendi Programatik na vuri përballë pyetjes më të vështirë, çfarë do të bëjmë me praninë tonë pasi sheshi të zbrazet dhe fjala të mos mbështetet më te çasti?
21 gushti nuk na dha të drejtën të kërkojmë më shumë besim.
Na ngarkoi të japim më shumë prova.
Prandaj ky 1 shtator nuk është një tjetër ditë rikthimi.
Është dita kur ndryshon kriteri me të cilin duhet të gjykohemi.
Rinisja nuk duhet të matet më nga fakti se mbijetoi, nga numri i njerëzve që mbledh, nga minutat që merr në ekranin e cel apo nga zhurma që mund të prodhojë. Duhet të matet nga aftësia për të kuptuar një problem, për të ndërtuar një zgjidhje, për t’ia besuar një njeriu me emër dhe afat, si edhe për të dhënë llogari mbi rezultatin.
Këtë vjeshtë nuk do ta kalojmë duke shpjeguar çfarë bëjnë të tjerët.
Duhet të fillojmë të ndërtojmë punën tonë.
Do të hapim Tryezat e Rinisjes për të mbledhur dijen që jeton te qytetarët, profesionistët, sipërmarrësit, prindërit, njerëzit e administratës, të fshatit, të qytetit dhe të diasporës.
Jo për të prodhuar një tjetër regjistër pakënaqësish, por që problemet e njohura nga afër të kthehen në punë programore, me përgjegjës, kosto, afate dhe mënyra të qarta matjeje.
Programi ynë duhet të nisë atje ku qytetari e ndjen çdo ditë mungesën e shtetit: te përgjigjja që nuk vjen, te prona që endet nëpër dosje, te puna që kërkon ndërmjetës, te familja që përballon e vetme pasojat e largimit dhe te bashkia që kujtohet për njeriun vetëm kur i kërkon votën.
Këtu provohet E Djathta Humane.
Politika duhet ta bëjë qytetarin më të aftë të qëndrojë mbi këmbët e veta, jo më të varur nga ndërmjetësi. Shteti duhet t’i përgjigjet pa e detyruar të kërkojë mik, telefon apo favor.
Një bashkësi politike duhet të kërkojë përgjegjësi pa e marrë ndërgjegjen si çmim të përkatësisë.
Republika nuk provohet vetëm në institucionet qendrore.
Ajo bëhet e prekshme te bashkia, aty ku taksa duhet të kthehet në shërbim, e drejta të mos ketë nevojë për ndërhyrje dhe qytetari të mos trajtohet si klient i kryetarit.
Për ne, sfida vendore e vitit 2027 nuk fillon kur shpallen zgjedhjet.
Fillon tani, duke gjetur e formuar njerëz që e njohin bashkinë e tyre, kuptojnë financat dhe shërbimet e saj, dëgjojnë lagjet e fshatrat, punojnë me të dhëna dhe japin llogari shumë përpara se të kërkojnë votën.
Nuk na duhen emra të mbledhur në orën e fundit për të plotësuar lista; na duhen njerëz me gjurmë pune, të cilët qytetari i ka parë duke marrë përgjegjësi pa pasur ende pushtet.
Për këtë punë nuk na duhen tifozë.
Nëse njihni një problem, sillni faktet dhe përvojën tuaj.
Nëse keni një zgjidhje, vendoseni në provë.
Nëse mendoni se gabojmë, kundërshtoni me argument dhe na detyroni të bëhemi më të saktë. Nëse merrni përsipër një punë, pranoni bashkë me të afatin, matjen dhe përgjegjësinë për rezultatin.
Rinisjes nuk i duhen kopje.
I duhen njerëz që mund të punojnë së bashku pa dorëzuar mendjen e tyre.
Një forcë që prodhon vetëm bindje mund të mbledhë turm, nuk mund të ndërtojë Republikë.
Ky shtator duhet të japë dëshmitë e para, një çështje të marrë përsipër, një ekip që punon, një afat që respektohet, një dokument që mund të kundërshtohet e të përmirësohet, një rezultat, ose një shpjegim të ndershëm përse ai nuk u arrit.
Prandaj mos na besoni përpara punës.
Na gjykoni nga ajo që bëjmë.
Dhe nëse vini pranë nesh, mos sillni vetëm pakënaqësinë apo duartrokitjen tuaj.
Sillni atë pjesë të Shqipërisë që njihni, problemin që nuk pranoni më ta lini pa përgjigje dhe gatishmërinë për të mbajtur përgjegjësi deri në fund.
Tani fillon prova më e vështirë, të bëhemi të dobishëm për qytetarin pa e bërë qytetarin të përdorshëm për ne.
Pyetja nuk është më nëse Rinisja mbeti gjallë.
Pyetja është nëse qytetari do të ketë dobi prej saj.
Përgjigjen do ta japë puna që nis sot.
Kush është gati të marrë përsipër një pjesë të kësaj pune, le të vijë.
WhatsApp: +355684060131
Arian Galdini




Comments