Nuk mjafton të ikë Rama…
- Arian Galdini

- 3 days ago
- 2 min read

Unë dua mbylljen demokratike të ciklit të Edi Ramës.
E dua pa ekuivok.
Por Shqipëria do të kishte humbur përsëri vite të tjera, nëse pas largimit të tij do të ndryshonte vetëm emri i njeriut që komandon, ndërsa qytetari do të mbetej po ai njeri që duhet të ulë kokën përballë pushtetit.
Nuk dua një Shqipëri ku qytetari duhet të gjejë mik për një dokument që i takon.
Ku një vend pune në shtet përdoret për t’i kërkuar bindje.
Ku sipërmarrësi duhet të gjejë derën e duhur që të mos i mbyllet e veta.
Ku një familje mëson se ligji është një gjë në letër dhe krejt tjetër kur përballet me zyrën, drejtorin, partinë apo të fortin.
Ky nuk është thjesht problem i një qeverie.
Është mënyra si pushteti shqiptar është mësuar ta shohë njeriun.
Dhe pikërisht kjo duhet të marrë fund.
Pas Edi Ramës nuk dua një pushtet tjetër që trashëgon të njëjtën të drejtë të pashkruar për të sunduar mbi qytetarin, një administratë që ndërron teserën, por vazhdon të kërkojë bindje, një drejtësi ku ndryshon i favorizuari, një ekonomi ku ndryshojnë njerëzit pranë qeverisë, ndërsa sipërmarrësi vazhdon të pyesë se kë duhet të njohë.
Dhe nuk dua një opozitë që lufton arbitraritetin vetëm derisa t’i vijë radha ta ushtrojë vetë.
Dua një Republikë ku pushteti të ketë kufij edhe kur qeverisin njerëzit që unë mbështes.
Kjo është prova.
Sepse demokracia nuk ndërtohet duke shpresuar se në krye do të jetë gjithmonë dikush që nuk abuzon me pushtetin.
Ndërtohet duke ia kufizuar pushtetin kujtdo që vjen, që as qëllimi i mirë, as shumica, as emri, as partia të mos i japin askujt të drejtën të bëjë me qytetarin çfarë të dojë.
Prandaj pyetja ime nuk është vetëm:
Kush vjen pas Ramës?
Pyetja që do të përcaktojë Shqipërinë e ardhshme është shumë më e rëndë:
Çfarë nuk do t’i lejohet më pushtetit t’i bëjë njeriut, kushdo që të vijë pas tij?
Për mua, Rinisja fillon këtu.
Jo te fotografia e re në zyrën e vjetër.
Te qytetari që, përballë kujtdo që ulet në atë zyrë, nuk ka më pse të ulë kokën.




Comments