Poezi: Sa thellë hyri dora…
- Arian Galdini

- 4 days ago
- 1 min read

Nga Arian Galdini
Në një manastir,
një dorë gërreu
rrathët e një teoreme nga pergamena
dhe mbi plagën e faqes
shkroi një psalm.
Boja u tha,
lutja u këndua.
Poshtë shkrimit,
rrethi mbajti qendrën.
Shekuj më vonë,
dikush e ngriti pergamenën drejt dritës.
Dolën bashkë,
mendja që lexonte ujin
dhe zëri që i kërkonte qiellit mëshirë.
Në gurin e një qyteti,
fitimtari skalit emrin e vetë.
Shiu hyn në brazdat e vjetra.
Nën një shkronjë të tij
del maja e një tjetre,
edhe ajo, dikur,
kishte mbuluar një emër.
Më poshtë,
një nënë gjen pa lexuar
ku mungon i biri.
Vë gishtin në zgavër.
Uji qëndron aty
dhe ia lag dorën.
Në dokumente,
fytyra mëson të mos lëvizë,
firma të përsërisë veten.
Por një zë nga fundi i oborrit
na thërret pa titull,
dhe qafa kthehet
para se biografia të përgjigjet.
Mund t’ia presësh fillimin një fjalie.
Pjesa që mbetet
del e pastër nga goja,
por mushkëritë kanë marrë frymë
edhe për fjalën e hequr.
Fleta është holluar.
Drita kalon përmes saj.
Nën firmën e fundit,
një shkronjë është më e zezë se të tjerat.
Boja është mbledhur aty
në një pikë të vogël.
Pastaj vija vazhdon.
Arian Galdini




Comments