Ne jemi historia e një njeriu me 1 celular e 1 Faqe Facebook
- Arian Galdini

- 1 day ago
- 3 min read

Ndaj mos na kërkoni në media.
Na gjeni në Rrjetet Sociale..
Miq,
Mos e matni praninë time publike me numrin e studiove ku më shihni.
Pas daljes në Sheshin Skënderbej dhe mirëbesimit që mora në Kuvendin Programatik të Rinisjes më 21 gusht, përgjegjësia ime është e qartë, kudo që flas, përgjigjem vetë për fjalën time dhe nuk e fsheh se i përkas Rinisjes.
Në media do të paraqitem vetëm ashtu siç jam: Arian Galdini, autor dhe zë publik e doktrinar i Rinisjes.
Nuk kërkoj trajtim të favorshëm, pyetje të lehta apo mbrojtje nga kritika, kërkoj që autorësia ime, përkatësia ndaj Rinisjes dhe arsyeja e ftesës të mos fshihen për të më kthyer në komentuesin e radhës.
Liria e fjalës nuk lind kur hapet një mikrofon dhe nuk shuhet kur kamera kthehet nga një fytyrë tjetër.
Ajo i përket personit përpara se një studio t’i japë hapësirë.
Media mund t’ia zgjerojë shtrirjen publike një zëri, por nuk e themelon atë, nuk i jep identitet autorit dhe nuk mund ta përcaktojë kuptimin me të cilin ai hyn në bisedën publike.
Televizioni mund të më transmetojë, por nuk mund të më prodhojë.
Po aq e patjetërsueshme është liria e gazetarit, të zgjedhë kë fton, të pyesë pa drojë, të hetojë, të kundërshtojë dhe të kritikojë.
I ftuari ka të drejtë të mos pranojë një paraqitje që e shkëput nga historia, autorësia dhe përkatësia që i japin kuptim fjalës së tij.
Liria editoriale nuk është leje për t’i caktuar tjetrit një identitet më të përshtatshëm për panelin, dinjiteti i të ftuarit nuk është mburojë kundër pyetjes së vështirë.
Qytetërimi i kësaj marrëdhënieje qëndron te ruajtja e të dyja lirive.
Gazetari nuk bëhet shërbëtor i të ftuarit, i ftuari nuk bëhet material i formatit.
Dinjiteti nuk është kërkesë për nderim ceremonial, por kufiri moral që e pengon bisedën publike të shndërrohet në përdorim të njeriut.
Prandaj vendimi im është i prerë: nuk i mbyll derën medias, i mbyll derën çdo ftese që kërkon prej meje të hyj më pak se ç’jam.
Marrëdhënia ime me ju nuk varet nga ftesa e asnjë televizioni.
Prej sot, rrjetet zyrtare të Arian Galdinit dhe të LRE Rinisjes përbëjnë median dhe platformën tonë të vetme të komunikimit të rregullt publik.
Televizionet dhe mediat e tjera mund të jenë vende të posaçme paraqitjeje, nuk janë qendra e marrëdhënies sonë me qytetarin dhe as burimi parësor i fjalës sonë.
Në faqen zyrtare Arian Galdini, fjala është personale dhe përgjegjësinë e mbaj unë.
Në faqet zyrtare të LRE Rinisjes, organizata flet me emrin e vetë dhe përgjigjet për qëndrimet e vendimet e saj.
Përkatësia ime është e dukshme, por fjala personale dhe qëndrimi institucional nuk ngatërrohen.
Në këto rrjete publikojmë shkrimet, qëndrimet, njoftimet, dokumentet programore, Tryezat e Rinisjes dhe punën për të cilën duhet të japim llogari.
Në www.rinisje.com ruhet arkivi zyrtar, bashkë me materialet e plota, WhatsApp-i është porta për pyetje, propozime dhe pjesëmarrje.
Në rrjetet shoqërore na kërkoni me emrat:
Arian Galdini
LRE Rinisja
WhatsApp: +355 68 406 0131
Do të ketë ditë kur të tjerët do të jenë në çdo televizion dhe unë në asnjë.
Televizioni mund ta zgjerojë dukshmërinë time, nuk përcakton zërin, identitetin apo vendin tim në jetën publike.
Mos më kërkoni vetëm aty ku të tjerët vendosin nëse dhe si shfaqem.
Më gjeni bashkë me LRE Rinisjen në rrjetet tona zyrtare, ku fjala mban firmën e autorit, organizata përgjigjet për qëndrimet e saj dhe puna del përpara gjykimit të qytetarit.
Arian Galdini




Comments