Forca private nuk është shtet: Trupi i qytetarit është kufiri i parë i Republikës!
- Arian Galdini

- Jun 1
- 8 min read

Nga Arian Galdini
Një shtet nuk humbet vetëm kur nuk mbron qytetarin.
Humbet edhe kur lejon që dikush tjetër të duket sikur ka të drejtë mbi trupin e tij.
Këtu fillon çështja e Zvërnecit.
Jo te prona private si parim.
Jo te investimi si mundësi.
Jo te kantieri si hapësirë pune.
Jo te siguria private si shërbim i ligjshëm.
Por te çasti kur qytetari, ende pa marrë të plotë dokumentin, shpjegimin, hartën dhe të vërtetën publike të asaj që po ndodh në vendin e tij, përballet me një forcë që nuk është shtet, por sillet sikur mban mbi vete një hije pushteti.
Një qytetar që tërhiqet nga krahu nuk është vetëm pamje lajmi.
Është çasti kur Republika shihet në vendin ku mungon, mes dorës që kap dhe trupit që nuk duhej të prekej.
Në një Republikë të lirë, asnjë kontratë private nuk mund t’i japë askujt pamjen e autoritetit mbi trupin e qytetarit.
Ky është kufiri.
Dhe kur ky kufi preket, nuk kemi më vetëm debat prone.
Nuk kemi më vetëm konflikt mes banorëve dhe investitorit.
Nuk kemi më vetëm protestë, gardh, kantier, roje, polici, deklaratë kompanie apo reagim qeverie.
Kemi pyetjen më të vjetër dhe më të rëndë të shtetit, kush ka të drejtë të ushtrojë forcë mbi njeriun?
Sepse trupi i qytetarit është kufiri i parë i Republikës.
Para se të ketë parti, projekt, pronë, investitor, gardh, kontratë, leje apo kompani sigurie, ka një trup që shteti ka detyrë ta mbrojë nga çdo dorë që nuk mban ligjin mbi vete.
Kush e prek atë trup pa autoritet publik të qartë, nuk prek vetëm një njeri.
Prek rendin që e bën njeriun të lirë.
Prona private është një nga themelet e lirisë.
Një shoqëri që nuk mbron pronën, nuk mbron as qytetarin.
Nuk mbron punën.
Nuk mbron trashëgiminë.
Nuk mbron familjen.
Nuk mbron njeriun nga turma, nga shteti që harron kufirin e vet, nga politika që e trajton pronën si plaçkë, nga arbitrariteti që kërkon të marrë emrin e drejtësisë.
Prandaj prona private duhet mbrojtur.
Siguria private, ruajtja e një objekti, rregulli i një kantieri dhe mbrojtja e pronës janë pjesë normale të një shteti të lirë, për sa kohë që qëndrojnë brenda ligjit dhe nuk marrin pamjen e autoritetit publik mbi qytetarin.
Një investitor ka të drejtë të mos i cenohet prona.
Por asnjë prej këtyre nuk i jep një kompanie sigurie mandat mbi dinjitetin fizik të qytetarit.
Një kompani sigurie mund të mbrojë një objekt.
Nuk mund të marrë pamjen e autoritetit publik.
Mund të pengojë dëmtimin e pronës.
Nuk mund ta trajtojë qytetarin si trup të tepërt që duhet zhvendosur nga rruga e projektit.
Mund të njoftojë Policinë e Shtetit.
Nuk mund të bëhet vetë pamja e parë e forcës përballë njeriut që kërkon shpjegim.
Në një ekonomi të lirë, prona mbrohet nga ligji.
Në një ekonomi të kapur, prona mbrohet nga frika.
Kjo është ndarja.
Dhe pikërisht këtu Zvërneci bëhet më i madh se Zvërneci.
Sepse nëse qytetari kërkon dosjen dhe merr spraj, çështja nuk është më vetëm prona.
Është rendi.
Nëse qytetari kërkon shpjegim dhe përballet me njerëz të maskuar, çështja nuk është më vetëm investimi.
Është shteti.
Nëse pas një përplasjeje publike, Policia korrigjon veten, kërkon ndjesë për raportim të gabuar dhe pezullon drejtuesin vendor, çështja nuk është më vetëm një incident në terren.
Është prova se e vërteta nuk ishte aty ku duhej të ishte që në fillim.
Në një Republikë, trupi i qytetarit nuk është pengesë fizike e një projekti.
Ai është kufiri ku projekti duhet të ndalet derisa shteti të flasë qartë.
Edi Rama mund të thotë se toka është private.
Por pikërisht sepse është private, shteti duhet të jetë më publik, më i paanshëm, më i kthjellët dhe më i rreptë me forcën.
Prona private nuk e përjashton shtetin.
E kërkon atë.
Sepse pa shtet publik, prona private kthehet në fuqi private.
Këtu është përgjegjësia politike.
Jo sepse kryeministri duhet akuzuar se ka urdhëruar një dorë të caktuar të prekë një qytetar.
Kjo kërkon hetim, provë, përgjegjësi konkrete dhe vendim të institucioneve.
Por sepse prej vitesh në Shqipëri është ndërtuar një filozofi qeverisjeje ku projekti hyn me dinjitet institucional, ndërsa qytetari hyn me dyshim.
Investimi prezantohet si e ardhme.
Banori shihet si pengesë.
Harta vjen vonë. Dokumenti vjen vonë.
Shpjegimi vjen vonë. Por gardhi vjen herët.
Kur shteti e ndërton këtë rend, nuk ka nevojë ta urdhërojë çdo gjest.
Mjafton të ketë krijuar klimën ku gjesti duket i mundur.
Rama nuk ka nevojë të jetë pronar i projektit që të mbajë përgjegjësi për të.
Mjafton që qeverisja e tij të ketë ndryshuar rregullat, kufijtë, ligjet dhe rendin publik në mënyrë që projekti të hyjë më shpejt se e vërteta.
Kjo është më e rëndë se kronika e një dite.
Sepse një kryeministër që e mbron menjëherë një çështje me fjalën “private” duhet të kuptojë se “private” nuk është fundi i pyetjes publike.
Është fillimi i saj.
Private si?
Me çfarë historie prone?
Me çfarë dokumentesh?
Me çfarë zinxhiri kalimi?
Me çfarë lejesh?
Me çfarë vlerësimi mjedisor?
Me çfarë transparence?
Me çfarë raporti me zonën e mbrojtur?
Me çfarë garancie për banorin, për qytetarin, për natyrën, për interesin publik?
Me çfarë sigurie private në terren?
Me çfarë kontrolli shtetëror mbi forcën?
Një shtet serioz nuk i trembet këtyre pyetjeve.
Një investitor serioz nuk i trembet dokumentit.
Një qeveri serioze nuk i trembet hartës.
Përkundrazi, investimi i ndershëm duhet ta kërkojë vetë dritën, sepse vetëm drita e mbron nga dyshimi.
Kapitali i huaj nuk është problem.
Investimi i madh nuk është problem.
Turizmi cilësor nuk është problem.
Prona private nuk është problem.
Problemi fillon kur kapitali hyn në territor të ndjeshëm me dokumente që publiku nuk i sheh në kohë, kur lejet duken më të shpejta se shpjegimi, kur gardhi vjen para besimit, kur siguria private bëhet fytyra e parë e rendit dhe kur qytetari e mëson kufirin e projektit jo nga shteti, por nga dora e një të kontraktuari.
Kjo nuk është betejë kundër sigurisë private.
Është betejë kundër privatizimit të pamjes së shtetit.
Në një Republikë normale, siguria private nuk duhet të jetë kurrë aktori i parë që përballet fizikisht me qytetarin në një konflikt me ndjeshmëri publike.
Ajo nuk ka atë peshë. Nuk ka atë mandat. Nuk ka atë përgjegjësi.
Nuk ka atë kontroll demokratik.
Nuk ka atë barrë kushtetuese.
Forca, edhe kur është e domosdoshme, është fjala e fundit e shtetit, prandaj duhet të jetë më e kontrolluara, më e dokumentuara, më e përgjegjshmja.
Forca publike është e rrezikshme prandaj lidhet me ligj, forca private është edhe më e rrezikshme kur del nga kontrata dhe merr pamjen e ligjit.
Roja private nuk është shtet, kontrata e sigurisë nuk është mandat publik, kantieri nuk është territor pa Republikë dhe investitori nuk është autoritet mbi qytetarin.
Nuk mjafton të arrestohet një roje.
Duhet hetuar zinxhiri që e bëri rojen të ndihej më i sigurt se qytetari.
Në një Republikë, dhuna private ndaj qytetarit nuk hetohet vetëm te gishti që shtyp sprajin apo te krahu që tërheq trupin.
Hetohet rruga e plotë që e çoi atë dorë deri te qytetari, kush e punësoi, kush e urdhëroi, kush e lejoi, kush e pa, kush heshti, kush raportoi gabim dhe kush përfitoi nga frika.
Duhet hetuar çdo punonjës sigurie i përfshirë në dhunë ndaj qytetarëve.
Duhet hetuar zinxhiri komandues i kompanisë së sigurisë.
Duhet parë kush e kontraktoi, çfarë detyrash i dha, çfarë protokolli kishte, kush e mbikëqyri dhe çfarë raporti kishte me Policinë e Shtetit në terren.
Nëse provohet shkelje, licenca duhet pezulluar, kontratat duhen audituar, përgjegjësit duhet të ndëshkohen.
Nuk mund të ketë kompani sigurie që e merr fuqinë nga tregu dhe sillet sikur e merr autoritetin nga shteti.
Nëse provohet se punonjës sigurie kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve, ndëshkimi nuk mund të jetë administrativ dhe i vogël.
Duhet të jetë penal, profesional dhe publik. Penal për dorën që ushtroi dhunë. Profesional për kompaninë që e lejoi.
Publik për shtetin që nuk e parandaloi.
Sepse dhuna private mbi qytetarin nuk është shkelje disipline, është plagë në autoritetin e Republikës.
Duhet hetuar roli i Policisë së Shtetit.
Jo vetëm polici që ishte aty.
Jo vetëm drejtori që raportoi gabim.
Por rendi institucional që lejoi qytetarin të dukej i dyshimtë më shpejt sesa projekti.
Në çdo konflikt prone, proteste, kantieri apo projekti me interes publik, duhet të vendoset një rregull i qartë, forca private nuk mund të jetë kurrë trupi i parë që prek qytetarin.
Nëse ka rrezik për pronën, thirret shteti. Nëse ka konflikt, ndërhyn ligji.
Nëse ka pretendime, hapet dosja.
Nëse ka dhunë, hetohet menjëherë.
Por Republika nuk mund të dorëzojë pamjen e saj te njerëz të kontraktuar për të mbrojtur një projekt.
Po aq e domosdoshme është transparenca e plotë e dokumenteve që sollën përplasjen.
Publiku duhet të shohë lejet, hartat, vlerësimin mjedisor, numrat e pasurive, zinxhirin e pronësisë, përfituesit fundorë, kontratat për sigurinë, autorizimet për rrethimin, rolin e institucioneve, arsyetimin për çdo ndryshim të statusit të zonës dhe çdo dokument që e bën të ligjshëm kalimin nga natyra e përbashkët e vendit te projekti privat.
Nëse gjithçka është e pastër, drita nuk e dëmton.
Nëse gjithçka është e ligjshme, publikimi nuk e rrëzon.
Nëse gjithçka është e drejtë, qytetari nuk është armik.
Qytetari që kërkon dokument nuk është sabotator.
Banori që kërkon shpjegim nuk është pengesë.
Shoqëria civile që kërkon transparencë nuk është kundër zhvillimit.
Një vend nuk zhvillohet duke e trajtuar pyetjen si kërcënim.
Investitori serioz nuk kërkon qytetar të trembur, kërkon shtet të besueshëm.
Sepse frika nuk mbron investimin.
Frika e ndot atë.
E bën të duket si pushtim edhe kur mund të ishte zhvillim.
E lidh projektin me dhunën edhe kur mund të lidhej me punën.
E bën kapitalin të duket si privilegj edhe kur mund të ishte mundësi.
E shndërron një resort në provë të krizës së shtetit.
Në një vend të lirë, tregu ka nevojë për ligj.
Në një vend të drejtë, prona ka nevojë për shtet.
Në një vend që do të zhvillohet pa humbur veten, investimi ka nevojë për transparencë.
Kjo është arsyeja pse Zvërneci nuk duhet lexuar si konflikt i thjeshtë mes zhvillimit dhe protestës.
Ky është leximi më i ulët.
Nuk është as betejë kundër kapitalit, siç do ta donte një pjesë e së majtës.
Nuk është as justifikim për të shpallur çdo investitor armik.
Nuk është as rast për të bërë patriotizëm të lirë mbi bregdetin.
Zvërneci është test i kufirit.
Ku mbaron prona private dhe ku fillon rendi publik?
Ku mbaron investimi dhe ku fillon interesi i përbashkët?
Ku mbaron siguria e objektit dhe ku fillon dhuna mbi qytetarin?
Ku mbaron “private” dhe ku fillon Republika?
Nëse këto kufij fshihen, humbasin të gjithë.
Humb qytetari, sepse nuk di më nëse përballë ka ligjin apo kontratën e dikujt.
Humb prona, sepse e drejta e pronës diskreditohet kur shfaqet pranë frikës.
Humb investitori serioz, sepse çdo kapital i ndershëm futet në të njëjtën hije me kapitalin e paqartë.
Humb tregu, sepse liria ekonomike nuk jeton dot kur qytetari mendon se paraja e madhe ka trup më të fortë se shteti.
Humb shteti, sepse monopoli i forcës nuk është privilegj i qeverisë, është garancia e qytetarit që i forti nuk do ta prekë me dorë private.
Dhe humb Republika, sepse Republika fillon aty ku njeriu nuk është më i pambrojtur përballë të fortit.
Në Zvërnec nuk u testua vetëm një projekt turistik.
U testua nëse Shqipëria e mban ende kufirin midis pronës private dhe forcës publike.
U testua nëse shteti është kujdestar i qytetarit apo roje e projektit.
U testua nëse fjala “private” përdoret për të mbrojtur lirinë, apo për të mbyllur pyetjen.
Përgjigjja nuk mund të jetë gardhi, spraji, dora private, raportimi i gabuar apo deklarata e shpejtë se gjithçka është private dhe prandaj gjithçka duhet të heshtë.
Përgjigjja duhet të jetë dosja, harta, ligji, hetimi, ndëshkimi i çdo dhune, pezullimi i çdo praktike që i jep sigurisë private pamjen e shtetit dhe kthimi i qytetarit në vendin që i takon: jo si pengesë e zhvillimit, por si arsyeja pse zhvillimi duhet të jetë i drejtë.
Në Zvërnec nuk po kërkohet që Shqipëria të mos zhvillohet.
Po kërkohet që Shqipëria të mos zhvillohet duke mos njohur më veten.
Toka mund të jetë private, por e vërteta për tokën është publike.
Investimi mund të jetë i madh, por Republika është më e madhe.
Dhe kur qytetari kërkon të shohë dosjen, shteti nuk ka të drejtë t’i tregojë gardhin, dorën private dhe sprajin.
Ka detyrë t’i tregojë të vërtetën.
Një vend ku roja private duket më e sigurt se qytetari nuk është vend i zhvilluar, është vend ku zhvillimi ka filluar të marrë formën e frikës.
Dhe në një Republikë, asnjë kontratë nuk e ngre dorën mbi qytetarin.
Arian Galdini
.png)



Comments