Heshtja që flet më shumë se akuza!
- Arian Galdini

- Mar 12
- 3 min read

Nga Arian Galdini
Forma më e hollë e përjashtimit s’të sulmon. Të nxjerr nga pamja. Nuk të shpall armik, sepse armiku ka vend në hartë.
Nuk të akuzon, sepse akuza të jep trajtë.
Nuk të refuzon haptazi, sepse edhe refuzimi ta pranon peshën.
Të lë jashtë fjalës. Jashtë radhës.
Jashtë pamjes.
Kjo nuk është harresë.
Është teknikë pushteti.
Ka çaste në jetën publike kur njeriu nuk goditet sepse është i dobët, por sepse nuk duan t’i japin përmasë.
Ka prani që sulmohen për t’u ulur dhe ka prani që heshten për të mos u lejuar të ngrihen.
E para luftohet përpara syve të të gjithëve.
E dyta shtyhet drejt hijes.
Jo sepse s’ka rëndësi, por sepse rëndësia e saj, po të pranohej, do të bëhej e lexueshme për të tjerët.
Këtu fillon dallimi.
Kundërshtari i parashikueshëm është i përdorshëm.
Ai hyn në ritin e polemikës, ndez zhurmë, sjell reagim, i rikthen sytë te qendra.
Pushteti e njeh këtë figurë. E mat.
E shpërndan. E përdor.
Nganjëherë edhe e ka të nevojshme, sepse një kundërshtar i lexueshëm e ndihmon sistemin të duket ende si qendra e vetme e lojës.
Por ka një prani tjetër që e shqetëson më thellë.
Jo atë që bërtet më fort.
Atë që nuk hyn në lojën e lejës.
Kur një zë nuk kërkon vulë, kur një qëndrim nuk pret thirrje, kur një njeri nuk futet as në listën e të ftuarve, as në listën e të refuzuarve, sistemi ndodhet para një vështirësie tjetër.
Sulmi do t’i jepte formë.
Refuzimi haptazi do t’i jepte peshë.
Heshtja bëhet zgjidhja më e ftohtë.
Aty padukshmëria nuk ndodh. Prodhohet.
Sendi që e zbulon më mirë këtë teknikë është emri që nuk thuhet, jo te ftesa, jo te refuzimi, jo te lista e kundërshtarëve.
Aty punon heshtja.
Pushteti e sulmon më lehtë kundërshtarin që mund të menaxhohet.
Hesht praninë që mund të bëhet e lexueshme për të tjerët.
Këtu s’mbrohet vetëm rendi i ditës.
Mbrohet vetë kufiri i reales.
Emri që mungon është një nga rojat e këtij kufiri.
Kush përmendet, hyn në fushë.
Kush sulmohet, pranohet si faktor.
Kush ftohet ose refuzohet, njihet si pjesë e pamjes.
Por ai që heshtet qëllimisht trajtohet si rrezik për vetë kufirin e asaj që lejohet të duket.
Prandaj heshtja peshon më shumë se akuza.
Akuza të fut në përplasje.
Heshtja kërkon të të nxjerrë fare nga pamja.
Shumica gabojnë pikërisht këtu.
Mendojnë se sulmi është prova e vetme e frikës. Jo gjithmonë.
Ka raste kur forma më e qartë e shqetësimit është mungesa e sulmit.
Kur nuk të japin as dënimin e përmendjes, as nderin e refuzimit, por zgjedhin të sillen sikur nuk je pjesë e pamjes, atëherë nuk po tregojnë qetësi.
Po ruajnë kufijtë e hartës së tyre.
Sepse çdo prani e pavarur, po të pranohet si reale, krijon një rrezik të ri.
Rrezikun e imitimit.
Njerëzit nuk lëvizin vetëm nga fjalët që dëgjojnë.
Lëvizin edhe nga ajo që shohin të bëhet e mundshme para syve të tyre.
Një qëndrim që nuk hyn në pazar, një zë që nuk e kërkon legjitimitetin nga qendra, një jetë publike që nuk pranon të blejë vendin e vet me përkulje, mund të mos jetë e madhe në numër, por bëhet e rrezikshme sapo bëhet e lexueshme.
Jo sepse pushton menjëherë skenën, por sepse u jep të tjerëve një masë tjetër për të krahasuar veten.
Këtu politika lidhet me antropologjinë e pushtetit.
Sistemi nuk mbron vetëm institucionet e veta.
Mbron mënyrën si njerëzit mësojnë të mendojnë për veten.
Do që dinjiteti të duket i arritshëm vetëm përmes afrimit me të.
Do që njeriu ta përfytyrojë veten të plotë vetëm po u pranua, po u thirr, po u fut, po u njoh.
Një prani që qëndron jashtë kësaj nevoje është e vështirë për t’u menaxhuar, sepse ajo nuk kundërshton thjesht rendin e ditës.
Ajo vë në provë mënyrën si rendi i ditës i ka mësuar njerëzit të mendojnë për vlerën, për pranimin, për dukjen.
Prandaj heshtja strategjike është armë më e rafinuar se shpifja.
Shpifja të lufton.
Heshtja përpiqet të mos të të lërë hyrje fare.
Por edhe kjo armë ka kufirin e vet.
Ka një çast kur heshtja pushon së qeni shenjë force dhe bëhet shenjë frike.
Pikërisht kur mungesa e përmendjes nuk e zvogëlon dot praninë, por vetëm zbulon ankthin e atij që hesht.
Në atë çast sistemi nuk po të mohon më.
Po ruhet.
Po ruhet nga koha kur të tjerët do të fillojnë të të lexojnë.
Dhe ky është ligji i fundit i kësaj heshtjeje.
Ka raste kur pushteti s’të sulmon ngaqë s’vlen.
Ruhet nga matja që mund të fillojë me ty, e pas teje.
Arian Galdini
.png)



Comments