top of page

Hiqu tullën tënde…


Na thonë se Të Vjetrit janë të pamposhtshëm.


Paratë janë me ta. Ekranet i kanë pranë. Aparatet partiake, administrata e përdorur për votë, klientela, drejtuesit që telefonojnë vartësit, njerëzit që të kujtojnë vendin e punës kur afrohen zgjedhjet, të gjitha këto janë fuqi reale.


Pastaj vjen përfundimi që duan të na futin në kokë:


Ata janë shumë të fortë.

Ne jemi shumë të dobët.

Prandaj duhet të dorëzohemi.


Unë nuk e pranoj.


Sistemi i vjetër politik nuk është bërë i fuqishëm vetëm prej asaj që ka marrë.


Është bërë i fuqishëm edhe prej asaj që, nga nevoja, frika, interesi apo dorëzimi, ne kemi vazhduar t’i japim.


Votën që ia dhamë kundër bindjes sonë.


Praninë në sallën ku shkuam sepse na telefonoi drejtori.


Mitingun ku u paraqitëm që të mos rrezikonim punën.


Teserën që nuk e deshëm.


Duartrokitjen që nuk e ndjemë.


Heshtjen përballë një padrejtësie që e pamë.


Favorin që na e shitën si mirësi, pasi shteti na kishte mohuar atë që duhej ta merrnim si të drejtë.


Kjo është tulla.


Dhe dua të jem i drejtë me njeriun përpara se të jem i ashpër me sistemin.


Ai që hesht sepse i kërcënohet buka e fëmijëve nuk është njësoj me atë që e kërcënon me bukën.


Qytetari që kërkon ndihmë për një hall nuk është fajtor pse shteti e ka detyruar të lypë si nder atë që i takon me ligj.


Faji është te sistemi që e kthen nevojën në vartësi, vendin e punës në mjet presioni, administratën në ushtri elektorale, hallin në favor dhe qytetarin në numër që duhet të paraqitet kur bie telefoni.


Pikërisht ky sistem duhet këputur.


Jo me luftë.


Jo me dhunë.


Jo duke pritur një shpëtimtar.


Duke mos i dhënë më atë pjesë tonën pa të cilën ai nuk na përdor dot.


Të Vjetrit nuk kanë nevojë të të kenë të gjithin.


U mjafton pjesa që ua jep.


Prandaj:


Hiqu tullën tënde.


Mos ua jep votën nga frika.


Dhe nëse përpiqen të ta marrin, mbroje.


Mos hyr në sallë vetëm sepse dikush ka pushtet mbi rrogën tënde.


Mos u paraqit si numër për t’i bërë turmën dikujt që nuk e beson.


Mos duartrokit atë që mendon se duhet kundërshtuar.


Mos e kthe hallin tënd në detyrim politik ndaj atij që të dha si favor atë që shteti të detyrohej të ta jepte si të drejtë.


Mos u bëj ushtar në përplasjen e kampeve që prej dekadash kërkojnë njerëz për rreshtat e tyre.


Dhe mos mendo se po të kërkoj të dalësh nga rreshti i tyre për të hyrë në tonin.


Jo.


Rinisja nuk ka të drejtë të kërkojë prej teje atë që ua mohon Të Vjetërve.


Mos na beso verbërisht.


Na dëgjo. Na kërko program, ide, doktrinë, mendim, vizion.


Na kërko njerëz të zotë.


Na kërko punë që shihet dhe përgjegjësi kur gabojmë.


Gjykoje Rinisjen me të njëjtën liri me të cilën po të kërkoj të gjykosh ata.


Nëse një ditë të kërkojmë bindje në vend të gjykimit, teserë në vend të meritës, frikë në vend të lirisë, largohu edhe prej nesh.


Na rrëzo po u bëmë si ata.


Sepse Shqipërisë nuk i duhet një mur me emra të rinj.


I duhet qytetari që nuk pranon të jetë më tullë në murin e askujt.


Kjo është beteja e parë.


Jo, na votoni ne.


Por, mos ua dorëzoni më veten atyre.


Pastaj zgjidhni.


Me mendjen tuaj.


Me votën tuaj.


Me dinjitetin tuaj.


Të Vjetrit mund të kenë miliardat.


Mund të kenë ekranet.


Mund të kenë aparatet, klientelën dhe gjithë frikën që kanë mbjellë ndër vite.


Por një gjë nuk mund ta kenë pa ty.


Tullën tënde.


Hiqua…


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page