Poezi: Anatomia e një fshirjeje…
- Arian Galdini

- 2 days ago
- 3 min read

Nga Arian Galdini
Kur shembën shtëpinë e vjetër,
muri i dhomës së ngrënies
mbeti një natë vetëm
përballë qiellit.
Fotografia kishte ikur.
Gozhda jo.
E shtrembër prej viteve,
mbante ende mbi vete
peshën e asaj që nuk varej më aty.
Rreth saj, muri kishte një katërkëndësh
më të çelët,
që korniza ia kishte kursyer diellit.
Tryeza, katër plagë të zbehta në dysheme
ku këmbët kishin qëndruar gjatë.
Vija e dollapit.
Njolla e sobës.
Shtëpia kishte humbur çatinë
dhe hëna, për herë të parë,
hyri në dhomë
pa kaluar nga dritarja.
Ndriçoi gjithçka që mungonte.
Të nesërmen erdhi fadroma.
Në gurin e një godine
një emër i ri hyn
me daltën e fitimtarit.
Shkronjat e vjetra merren.
Vrimat që i mbanin
nuk dinë të largohen.
Kur bie shi,
uji hyn në to
dhe një emër që askush nuk e lexon më
mbushet me qiell.
Një grua ndalet.
Vë pëllëmbën mbi gur
dhe e lë aty
më gjatë nga ç’duhet
për të lexuar.
Pastaj ikën.
Në mermer mbetet
avulli i pesë gishtave.
Në një shtëpi tjetër
fotografia ruhet kështu prej vitesh.
Dikush është prerë prej saj.
Të tjerët afrohen
pa bërë asnjë hap.
Një krah mbetet në ajër
duke përqafuar
atë që gërshëra mori.
Një sy vazhdon të shohë
drejt një vendi të bardhë.
Një buzëqeshje,
e shpëtuar përgjysmë,
nuk ka më kujt t’i mbërrijë.
Në arkiv
një burrë hap dosjen e vetë.
Emri është i saktë.
Data e lindjes po.
Fotografia i ngjan.
Vetëm një fjali mungon.
Ai e di ku ka qenë.
Paragrafi që vjen pas saj
fillon me shkronjë të vogël.
Rri gjatë mbi atë germë.
Nuk e prek.
Mbyll dosjen.
Kur çohet,
karrigia mban për pak
formën e shpinës së tij.
Pastaj edhe ajo kthehet ngadalë
në send.
Mund ta ndërrosh emrin.
Mund të mësosh një gjuhë tjetër
derisa një natë
të shohësh në ëndërr shtëpinë e fëmijërisë
dhe të mos dish në cilën gjuhë
të thërrasësh nga oborri.
Mund të betohesh
se nuk të dhemb më.
Por dikush shqipton një fjalë
siç e shqiptonte dikur një njeri
që nuk jeton.
Dora jote lë gotën.
Pa të pyetur,
kërkon mbi tavolinë
një dorë tjetër.
Nuk e gjen.
Gotës i dridhet ende uji.
Ka duar që fshijnë
pa dashur të zhdukin.
Një nënë merr nga dollapi
këmishën e të vdekurit.
Në mëngën e djathtë
ka mbetur një rrudhë
që nuk i bindet hekurit.
Ajo e shtrin mbi shtrat.
Rregullon jakën.
Kalon pëllëmbën
mbi kraharorin bosh.
Pastaj e palos.
Mes dy palëve të stofit
mbetet një hapësirë
në formën e një trupi të palosur.
E fut në fund të dollapit
që fëmija të mos e shohë.
Dora që pak më parë
rregulloi jakën
është e njëjta dorë
që e fsheh.
Shekuj më parë,
mbi një pergamenë,
një teh hoqi shkrimin e vjetër.
Rrathë, vija, matje
u holluan nën teh.
Mbi plagën e faqes
hyri një lutje.
Shekujt bënë atë që dinë,
kaluan.
Pastaj një dritë
që syri nuk e kapte
hyri në fletë.
Nën lutje
u shfaqën vijat.
Mbi vijat
lutja vazhdoi.
Faqja kishte mbajtur të dyja
duke u holluar.
Studiuesi afroi fytyrën.
Këtu tehu kishte kaluar lehtë.
Këtu ishte kthyer.
Këtu dora kishte shtypur më fort.
Dhe këtu,
pak përpara se boja e re të vazhdonte,
kishte ngurruar.
Një ndalesë e vogël,
pa fjalë,
kishte mbetur nën shkrim
për shekuj.
Pastaj e njëjta dorë
kishte vazhduar.
Mund të ketë pasur nevojë
për një faqe bosh
më shumë sesa ne kemi nevojë sot
për të gjetur çfarë ishte poshtë.
Mund të ketë besuar
se shkrimi i ri vlente më shumë.
Mund të mos ketë menduar asgjë.
Asnjërën prej këtyre
fleta nuk e di.
Ajo mban vetëm presionin.
Ti e merr në duar.
Drita hyn
atje ku materiali është dorëzuar më shumë.
Jo aty ku fjala ishte më e keqe.
Jo aty ku fjala ishte më e shenjtë.
Aty ku dora hyri.
Në vendin më të hollë
faqja pothuaj mungon.
Megjithatë mban.
Arian Galdini




Comments