Për mediat dhe gazetarët: Nuk hyj më pa emrin tim…
- Arian Galdini

- 2 hours ago
- 2 min read

Prej vitit 2016, një pjesë e madhe e mediave shqiptare zgjodhi të mos më kishte.
Ishte zgjedhja e tyre dhe, për shumë vite, mungesa ime publike u përcaktua prej saj.
Nuk po u kërkoj sot ta ndryshojnë.
Mediat kanë lirinë editoriale të vendosin kë ftojnë dhe kë lënë jashtë.
Të njëjtën liri kam edhe unë, të vendos cilën ftesë pranoj, ku hyj, përse hyj dhe, mbi të gjitha, kush jam kur hyj.
Më 21 gusht mora publikisht mirëbesimin e Komunitetit të Rinisjes dhe, bashkë me të, një përgjegjësi që nuk ndryshon sipas vendit ku ndodhem.
Ai mirëbesim nuk më dha të drejtën për të vendosur mbi emrin tim, atë e kam pasur gjithmonë.
Më ngarkoi të mos e fsheh përkatësinë time kur rrethanat do ta bënin më të volitshme heshtjen për të.
Prandaj nuk do të hyj më në studio si komentues i përgjithshëm i ditës, opinionist rezervë apo emër për të plotësuar një panel, ndërsa identiteti im lihet jashtë derës.
Jam Arian Galdini, autor dhe zë publik e doktrinar i Rinisjes.
Nuk do ta zvogëloj këtë identitet për disa minuta ekran.
Nga sot, nuk pranoj ftesa televizive apo mediatike për rolin e komentuesit të përgjithshëm politik e shoqëror, qofshin ato nga miq, dashamirës apo njerëz me të cilët nuk ndaj të njëjtin mendim.
Do të pranoj vetëm aty ku tema, formati dhe prezantimi publik më njohin ashtu siç paraqitem, me autorësinë dhe përkatësinë time të plotë.
Nuk kërkoj pyetje të favorshme, trajtim të privilegjuar apo mbrojtje nga kritika.
Kërkoj vetëm që një ftesë të mos vijë me kushtin e pashkruar që, për të hyrë në studio, duhet të lë një pjesë të vetes jashtë saj.
Është kufiri im.
Për shumë vite, mungesa ime në media ishte vendim i të tjerëve.
Tani mund të jetë edhe vendimi im.
Nuk kërkoj ekran. Nuk negocioj emrin.
Aty ku për të hyrë duhet të lë jashtë një pjesë të asaj që jam, unë nuk hyj.
Arian Galdini




Comments