top of page

Republika e Përgjigjes: Kur gjurma e kërkesës mat edhe kohën e shtetit…


Nga Arian Galdini


Një qytetar hyn në e-Albania dhe dërgon një kërkesë.


Platforma shënon çastin e paraqitjes, ruan dokumentet dhe krijon një identifikues, në shërbimet ku ofrohet ndjekja elektronike, ai mund të kontrollojë ecurinë te “Aplikimet e mia”.


Që prej atij çasti shteti e di se qytetari ka vepruar, ndërsa qytetari mund të mos dijë ende cili organ e ka marrë çështjen, ku është ndalur dhe kujt i takon detyrimi institucional për t’i dhënë përgjigje.


Identifikuesi elektronik nuk është hollësi teknike.


Ai shënon fillimin e një marrëdhënieje pushteti.


Në njërën anë, njeriu bëhet i dukshëm për administratën përmes emrit, dokumenteve, kërkesës dhe çastit kur e paraqiti, në anën tjetër, vendimmarrja mund të tretet ndërmjet zyrave, delegimeve, sistemeve dhe formulës së pafundme “në proces”.


Aparati e lexon qytetarin me saktësi gjithnjë e më të madhe, ndërsa qytetari ende nuk e lexon dot aparatin.


Regjimi komunist e ndaloi fjalën.


Rendi pluralist i pas vitit 1990 e lejoi atë, ngriti Kushtetutë, gjykata, mjete ankimi dhe rregulla procedure, por nuk e ktheu gjithmonë normën e shkruar në përvojë të sigurt për njeriun.


Shteti digjital ka sjellë një gjendje të tretë, fjala e qytetarit as ndalohet, as humbet, ajo regjistrohet.


Pas fjalës së ndaluar dhe fjalës së lirë kemi hyrë në epokën e fjalës së regjistruar, ku prova e demokracisë nuk është më vetëm nëse njeriu mund të flasë, por nëse regjistrimi e lidh institucionin me përgjigjen apo vetëm e ruan pafuqinë e qytetarit në një server.


Shqipëria ka ndërtuar një infrastrukturë të gjerë digjitale.


Vetë qeveria deklaron mbi 1,200 shërbime publike në internet dhe mbi tre milionë përdorues të e-Albania-s, në maj 2026 paraqiti shoqërinë publike “Albanian Digital Solutions” për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve shtetërore, ndërsa Diellës i ka dhënë një mision zyrtar që përfshin shërbimet publike, dokumentet, proceset shtetërore dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.


Pikërisht sepse këto aftësi janë reale, ato e bëjnë shumë më pak të falshme padukshmërinë e atij që vendos.


Digjitalizimi e çliron qytetarin nga radha vetëm kur nuk e lë të vetmuar përballë ekranit, algoritmi mund ta ndihmojë procedurën, por nuk duhet të bëhet hapësira ku përgjegjësia shpërndahet në aq shumë hallka, saqë në fund askush të mos mbetet përpara njeriut.


Shqipëria nuk niset nga një zbrazëti ligjore.


Kodi i Procedurave Administrative njeh afatet, arsyetimin, ankimin dhe kontrollin e mosveprimit, ligji nr. 107/2021 e ngriti bashkëqeverisjen në strukturë ligjore, me Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje dhe me koordinatorë pranë institucioneve, ndërsa aktet zbatuese i dhanë Agjencisë rol në monitorimin e afateve dhe të shërbimeve elektronike.


Problemi shqiptar, pra, nuk është vetëm mungesa e normës.


Është largësia ndërmjet së drejtës që gjendet në ligj dhe fuqisë që qytetari ka për ta vënë atë në lëvizje pa mik, pa telefonatë dhe pa ndërhyrjen e dikujt më lart.


Gjurma elektronike fiton kuptim republikan kur bëhet dykahëshe.


E dhëna që provon se qytetari e paraqiti kërkesën duhet të tregojë edhe çfarë bëri institucioni, ku e kaloi çështjen, sa kohë ka kaluar dhe çfarë pasoje procedurale është krijuar.


Kur afati përfundon, kërkesa nuk mund të mbetet në një gjendje pa emër, sipas ligjit që zbatohet, duhet të shfaqet vendimi, zgjatja e arsyetuar, miratimi në heshtje kur ai parashikohet, ose mosveprimi që hap rrugën e ankimit.


Qytetari nuk ka të drejtë të fitojë çdo çështje, por ka të drejtë të mos humbasë në mjegull.


Edhe refuzimi e ruan brenda Republikës kur ka organ përgjegjës, bazë ligjore, arsyetim dhe mundësi kundërshtimi.


Reciprociteti i gjurmës kërkon që infrastruktura e cila e bën të matshme sjelljen e qytetarit të bëjë të matshme edhe sjelljen e administratës.


Platforma që shënon minutën kur njeriu veproi duhet të ruajë me të njëjtën përpikëri edhe minutën kur institucioni veproi, kur e zgjati procedurën me arsye ose kur e la kohën të kalonte pa vendim.


Pushteti më i vështirë për t’u kundërshtuar nuk është gjithmonë ai që thotë “jo”, shpesh është ai që nuk merr përsipër aktin e mohimit, ndërsa pasojën e tij e lë të bjerë mbi jetën e tjetrit.


Në verën e vitit 2026, Edi Rama e vendosi marrëdhënien shtet - qytetar në qendër të një faze të re politike.


BESA u paraqit si akronim i besimit, empatisë, shërbimit dhe angazhimit, Pasqyra Albania si një dritare e vetme ku qytetari do të ndjekë në kohë reale kërkesat, afatet dhe veprimet e shtetit, ndërsa Prania Besnike, aneks i BESËS që i drejtohet vetëm Partisë Socialiste, u lidh hapur me dëgjimin e njerëzve që nuk e votojnë PS-në dhe me aftësinë e saj për të kërkuar mandate të tjera.


Pushteti e ka kuptuar pyetjen.


Nevoja për ta paraqitur këtë marrëdhënie si kthesë të mandatit të katërt, megjithatë, hyn vetë në bilancin e mandateve që e paraprinë.


BESA nuk është shpallur thjesht si virtyt personal i Kryeministrit, Rama e ka paraqitur si metodë dhe si proces që duhet kontrolluar.


Pikërisht kjo e bën kritikën më të rëndë.


Një detyrim që Kodi, e-Albania, platforma e vitit 2018 dhe ligji i bashkëqeverisjes i vitit 2021 e kanë njohur tashmë, rikthehet me një emër moral dhe me një program të ri politik.


Shteti mund t’i japë emër të bukur kthesës së vetë, por qytetari ka të drejtë të kërkojë bilancin, pse mekanizmat e mëparshëm nuk e bënë përgjigjen të sigurtë, ku u ndalën, kush dha llogari dhe çfarë ndryshon tani përtej markës, ndërfaqes dhe vëmendjes së përtërirë nga maja?


Prania Besnike i drejtohet vetëm partisë dhe, sipas vetë Ramës, dëgjimi i atyre që nuk e votojnë PS-në lidhet edhe me aftësinë e saj për të kërkuar mandate të tjera.


Kështu shërbimi ndaj njeriut dhe vijimësia elektorale hyjnë në të njëjtën arkitekturë.


Një parti ka të drejtë të dëgjojë, të bindë dhe të kërkojë besim, administrata, ndërkaq, i detyrohet qytetarit pa e pyetur se kë voton dhe pa e kthyer zgjidhjen e hallit në provë të dobisë së partisë.


Prania e partisë nuk e zëvendëson praninë e së drejtës.


Pasqyra Albania, po të realizojë gjurmimin dhe transparencën që premton, mund të sjellë përmirësim të vërtetë.


Por një pasqyrë e re nuk bëhet vetvetiu republikane vetëm sepse i jep qendrës më shumë pamje mbi administratën.


Ajo bëhet e tillë kur gjurma është mjet kontrolli në duart e qytetarit, kur ai mund ta përdorë për të kundërshtuar vonesën, për të identifikuar organin përgjegjës dhe për të vënë në lëvizje pasojën që ligji parashikon pa pritur ndërhyrjen politike.


Pyetja, prandaj, nuk është vetëm çfarë do të shohë Rama në Pasqyrë, por kush e mban Pasqyrën përballë Ramës.


Që në vitin 2018, platforma “Shqipëria që duam” premtonte përgjigje brenda dhjetë ditësh dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë të qeverisë; në vitin 2021 mekanizmi u kthye në ligj, Agjenci, koordinatorë dhe monitorim afatesh, ndërsa aktet pasuese rregulluan bashkëveprimin elektronik ndërmjet institucioneve.


Para se detyrimi i vjetër të shpallet sërish si fillim i ri, pushteti u detyrohet qytetarëve një përgjigje për vetë historinë e tij, çfarë prodhoi sistemi i mëparshëm, çfarë nuk përmbushi, cilat hallka mbetën të dobëta dhe përse platforma e re do të ketë një pasojë që e vjetra nuk arriti ta bënte të qëndrueshme.


Rama e ka paraqitur dikur platformën e bashkëqeverisjes si “mikun më të fortë” që e vendoste Kryeministrin dhe ministrat në krah të qytetarit.


Kjo formulë zbulon pa dashje sëmundjen që pretendon të shërojë.


Kur zbatimi i ligjit kërkon mikun më të fuqishëm, vetë miku dëshmon se e drejta nuk po ecën me këmbët e veta.


Qytetari shqiptar nuk ka nevojë që shteti t’i gjejë një mik edhe më të fortë, ka nevojë që miku të bëhet i panevojshëm.


Përgjigjja që pushteti organizon për qytetarin dhe përgjigjja që qytetari mund ta imponojë juridikisht kundër pushtetit nuk janë e njëjta gjë.


E para varet nga kujdesi i qendrës, nga disiplinimi i administratës, nga energjia politike e çastit dhe nga interesi për të treguar se sistemi funksionon.


E dyta jeton edhe kur Kryeministri nuk e sheh rastin, partia nuk e njeh qytetarin dhe ministri nuk telefonon askënd.


Ajo është e drejtë, jo vëmendje, procedurë, jo ndërmjetësim, kontroll qytetar, jo vetëm mbikëqyrje nga lart.


Edi Rama mban adresën kryesore të përgjegjësisë, sepse administron pushtetin real dhe po i jep formën e vet fazës së re.


Mandati i katërt nuk e bën automatikisht të paligjshëm pushtetin, por e bën të pambrojtshëm pretendimin se përgjigjja ndaj qytetarit po zbulohet tani për herë të parë.


Pas tri mandateve të plota, qeveria nuk gjykohet vetëm nga aftësia për të shpallur mekanizmin pasues, gjykohet edhe nga ajo që ndodhi me mekanizmat që shpalli më parë.


Rreziku që opozita të trashëgojë të njëjtin model nuk e zvogëlon asnjë grimë përgjegjësinë e qeverisë që e ushtron sot.


Shqipëria i ka hapur të 33 kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian, ka përmbushur piketat e ndërmjetme për grupkapitullin e themeleve dhe në korrik 2026 ka mbyllur përkohësisht tre kapitujt e parë.


Përparimi europian bëhet i plotë vetëm kur administrata nuk di t’i përgjigjet vetëm Brukselit, por edhe njeriut që kërkon zbatimin e ligjit në vendin e vetë.


Europa nuk mbërrin te qytetari përmes ceremonisë së kapitullit, mbërrin kur ai nuk ka nevojë të njohë askënd për të marrë atë që norma ia njeh.


Një demokraci digjitale nuk gjykohet nga sa mirë udhëheqësi i saj organizon dëgjimin, por nga aftësia e qytetarit për ta vënë institucionin nën detyrimin e përgjigjes edhe kur udhëheqësi nuk dëgjon, nuk ndërhyn dhe nuk ka interes.


Reciprociteti i gjurmës vlen përtej Shqipërisë, infrastruktura që e bën njeriun të matshëm duhet ta bëjë edhe institucionin të matshëm prej tij.


Kur qytetari të kthehet te “Aplikimet e mia”, nuk duhet të gjejë vetëm shenjën se kërkesa u pranua ose një status që zgjat pa fund.


Duhet të shohë organin që e trajton, kohën që ka kaluar, vendimin e arsyetuar ose rrugën që hap mosveprimi, në mënyrë që të mos nisë një betejë të dytë vetëm për të provuar se e para mbeti pa përgjigje.


Atëherë gjurma elektronike nuk do të dëshmojë vetëm se qytetari hyri në procedurë, do të dëshmojë se edhe koha e shtetit ka hyrë nën ligj.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page