top of page

Poezi: E vërteta…


Nga Arian Galdini


Njeriu shpiku horizontin

që të kishte ku të ikte.


U dha emra yjeve,

nguli meridianë në trupin e tokës,

u mësoi deteve të ndanin largësinë,

sikur ajo, po të matej mirë,

mund të bëhej pafajësi.


E vërteta ishte aty,

në frymën

me të cilën thoshim të kundërtën.


Ne iknim,

merrnim me vete një breg,

pastaj një tjetër,

derisa edhe kthimit

i gjetëm një emër të bukur:


Itakë.


Një Itakë që do të njihte velat

pa pyetur ç’njeri po kthehej.


Shtëpia mund ta njohë hapin,

qeni i vjetër, erën,

druri i shtratit mund të ruajë

rrënjët e ullirit nën dysheme.


Por as era, as druri, as pragu

nuk dëshmojnë për udhëtarin.


Deti vetëm ia kthen bregut

atë që nuk mundi ta lajë.


Ne e duam njerëzimin

kur rri larg.


Në libra nuk na kundërshton,

në lutje nuk na ndërpret,

në hartë nuk merr frymë.


Mund ta mbash të tërin në zemër

pa i lëvizur askujt karrigen.


Pastaj troket dikush.


Në një zanore të tij

zgjatet një vend

që për ty ka qenë vetëm lajm.


Ti e njeh qytetin nga ekrani,

ai, nga dritarja e nënës.


Për luftën ke lexuar gjatë,

ke zgjedhur fjalët,

ke mësuar cilën anë

duhet të mbajë fjalia.


Ai përmend një varr.


Gjithë njerëzimi

nuk zë më vend në një fjali.


Kërkon një karrige.


Historia ka brigjet e saj.


Në njërën anë,

fitimtari lan shpatën

dhe ia mëson kronikës zërin e vetë,


në tjetrën,

një grua mban të njëjtin zjarr

në vajin e saj.


Troja digjet në të dyja.


Zjarri nuk ndryshon anë.


Mund të presësh një fotografi,

ta mësosh dëshmitarin

ku duhet të nisë kujtesa.


Ajo që ndodhi

nuk merr urdhra.


E vërteta nuk fiton.


Nuk i duhet.


Më vonë shpikim

largësinë më të vështirë:


veten.


I vëmë një emër që ecën para nesh,

një titull mbi derë,

një fytyrë që fotografia e kap

vetëm pasi ka mësuar

si duhet parë.


Qepim një njeri

dhe hyjmë brenda tij

si në një kostum

të porositur herët.


Në fillim na rri ngushtë,

pastaj trupi mësohet.


Vitet i marrin masat tona

nga rrobat që zgjodhëm,

derisa nuk dimë më

nëse emri na përket

apo ne i përkasim emrit.


Por kur dikush të thërret

pa titull, pa dëshmitarë,

nuk e di kush kthen kokën.


Mund të vijë një çast

kur gjithë biografia jote

të duket si një odise

e shkruar për të mos hyrë

në një dhomë të vetme.


Atje s’ka publik.


Emri yt s’ka më kë të bindë.


Reputacioni mbetet jashtë

si një pallto pa trup për të ngrohur.


Brenda hyn vetëm

ajo që ende nuk ke arritur

ta kthesh në tregim.


E vërteta nuk afrohet.


S’ka nga të vijë.


Pas çdo kufiri,

drita binte ndryshe mbi sendet.


Buka kishte një emër tjetër,

e qara një zanore tjetër,

një tokë tjetër na pranonte hapin,

ndërsa në këpucë udhëtonte me ne

ajo që s’kishim lënë pas.


Edhe qiellit i kemi lënë

atë që nuk pranuam në tokë.


Porta hapet në të dy drejtimet.


Nëse gënjeshtra ka mësuar frymën tënde,

ajo kalon bashkë me ty.


Ta kesh të vërtetën aq pranë

sa të mos mund ta humbasësh,


dhe një botë të tërë

ku të ikësh prej saj.


Derisa një ditë

udhëtarit t’i mbarojnë brigjet.


Jo bota.


Ikja.


Anija është ende aty,

deti nuk i ka humbur rrugët,

një port vazhdon të ndezë

dritat e mbrëmjes.


Por për të, asgjë përpara

nuk mund të quhet më larg.


Horizontet që kishte marrë për dalje

mbeten pas tij

si dyer të vizatuara në mur.


Kthen fytyrën.


Ajo që kishte kërkuar

në dete, në emra,

në rrëfimet me të cilat

kishte mbrojtur veten nga vetja,


ishte aty edhe kur e mohonte,


në të njëjtën frymë

që e mbante gjallë.


Nuk thotë:


“E gjeta të vërtetën.”


Edhe kjo do të ishte

një mënyrë për ta bërë pronë.


Rri.


Nuk po ikën më.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page