top of page

Jezusi dhe kriza e njeriut: Identiteti i humbur!


Nga Arian Galdini


Krishti përtej modernitetit. Filozofia e qenies në epokën e zhbërjes.


Njeriu i epokës së teknologjisë së lartë jeton në pamje, qarkullon në ekrane, pasqyrohet në algoritme, por nuk e njeh më vetveten.

Ai është profil që reagon, jo shpirt që ndjen. Ai është identitet i ndërthurur nga preferenca, gjeste, ndjekje, por jo nga heshtje, lidhje dhe pranësi.


Njeriu ka gjithçka, përveç vetes.


Në historinë e filozofisë, njeriu ka kaluar nga “mikrokozmos” (Plotini), tek “kafshë politike” (Aristoteli), tek “qenie që mendon” (Descartes), tek “qenie që ekziston në liri” (Kierkegaard).


Por sot, njeriu është qenie që pasqyron, që sillet sipas “likes”, që prodhon vetveten si përceptim.

Identiteti nuk është dhuratë. Èshtë projekt. Èshtë marketing.


Njeriu nuk ka më emër. Ka username.

Nuk ka fytyrë. Ka imazh.

Nuk ka trashëgimi. Ka shfaqje.


Në një botë ku gjithçka matet, Jezusi është ai që nuk matet. Nuk matet në sukses, në përqindje, në ndikim.

Ai nuk e rrit reputacionin e vet. Ai shfaqet, dhe zhduket. Nuk lyp turmën.

Qëndron me të harruarit. Nuk përfiton nga emri. E shndërron emrin në thirrje.


Jezusi është fytyra që nuk manipulohet. Është identiteti që nuk performohet.

Është vetëdija që nuk përkthehet në algoritëm.


Ai nuk është version. Ai është themel.


Njeriu modern mendon se zgjidhet.

Qëndron para pasqyrës dhe vendos se kush do të bëhet.

Por në të vërtetë, qenia njerëzore është e thirrur.

Nuk lind nga zgjedhja, por nga lidhja.

Nuk formohet nga vetvetja, por nga dashuria.


Jezusi thotë: “Erdha që të keni jetë, dhe ta keni me bollëk”. Kjo nuk është ofertë.

Èshtë zbulesë. Identiteti yt i vërtetë gjendet atje ku guxon të besosh se je i dashur, edhe pa merita.


Jezusi nuk na jep një model identitar.

Ai na jep një njeri. Një trup që ha, qan, fal, mban për dorë.

Një shikim që është thellësi jo ekran.


Ai është i vetmi që të sheh jo si produkt, por si biri. Jo si ndjekës, por si mik.

Jo si potencial, por si prani që ka për të ngjallur.


Në praninë e Tij, identiteti nuk është rezultat, por zbulim i diçkaje që ka qenë gjithmonë atje.


Njeriu nuk ka nevojë të shpikë vetveten.

Ka nevojë të kujtohet. Jezusi nuk është model njerëzor.

Ai është qenia që ma kujton që edhe unë jam njeri.


Në botën e harresës, Ai është kujtesë.

Në epokën e profilit, Ai është fytyrë.

Në epokën e ndjekësve, Ai është ai që të thërret me emër.


Dhe aty ku gjithçka mund të ndryshohet, Ai është e vetmja pikë që të thotë, je i dashur qysh para se të jesh dikush.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page