top of page

Jezusi dhe kriza e vdekjes në epokën e teknologjisë!


Nga Arian Galdini


Krishti përtej modernitetit. Filozofia e qenies në epokën e zhbërjes.


Vdekja në epokën moderne nuk ka më fytyrë. Ajo nuk shihet, nuk përjetohet, nuk emërtohet. Ajo zhduket në korridoret sterile të spitaleve dhe zëvendësohet nga fjalë si “proces biologjik” apo “kalim”. Por frika rritet.


Shkenca premtuese e zgjatjes së jetës, teknologjia e pavdekësisë digjitale, projektet e transferimit të mendjes dhe trupat e krijuar artificialisht në laboratorë nga Tokio në Zürich, të gjitha bashkë formulojnë mitin modern: njeriu do të shpëtojë nga fundi.


Por ajo që ndodh nuk është shpëtim.

Èshtë më e frikshme, vdekja nuk largohet, por maskohet.

Dhe kur nuk e shohim më, nuk jemi të lirë. Jemi të burgosur në ankthin pa emër.


Moderniteti i ka dhënë njeriut gjithçka përveç një përgjigjeje për vdekjen.


Ai ofron ilaçe, operacione, asistencë teknologjike, por nuk di çfarë të bëjë kur shpirti thyhet.


Heidegger thoshte se njeriu është “qenie drejt vdekjes”.

Por për ne sot, jeta është vetëm ikje nga ajo. Jo përballje. Jo kuptim. Çdo gjë është anestetike ndaj humbjes.


Jezusi nuk e zgjat jetën. Ai e plotëson.

Ai nuk e anashkalon vdekjen, por futet brenda saj.

Qëndron pranë varrit të Lazrit dhe qan.

Dhe pastaj e thërret përtej.


Kryqi nuk është pajtim me vdekjen.

Èshtë hyrje e plotë në të, pa frikë, pa mashtrim. Krishti nuk u mund nga vdekja.

As nuk e shmangu. Ai e tejkaloi, jo duke e shkatërruar, por duke e mbushur me kuptim.


Nëse vdekja është fundi i biologjisë, ringjallja është fillimi i qenies së re.

Nuk është kthim në formën e vjetër, por kalim në peshën e dritës.


Teknologjia ofron transferim memorieje. Jezusi ofron trup të ringjallur.

Shkenca premton vazhdim, Krishti premton kuptim që nuk shterron.


Njeriu që nuk vdes kurrë, por as nuk rilind kurrë, është qenie e ngecur. Transhumanizmi synon vazhdim të pafund, e megjithatë pa transformim.

Por pa transformim, nuk ka shpëtim.

Vetëm limbo e pafund.


Krishti nuk premton jetë të pafundme si sasi. Ai premton jetë që nuk matet më me kohë.

Ai nuk e zgjat kornizën.

Ai krijon horizont të ri.


Jezusi nuk vjen të rrëzojë vdekjen si armik, por ta çarmatosë me dashuri.


Ai nuk thotë “mos vdisni”, por “në mua, edhe kur të vdisni, do të jetoni”. (Gjoni 11:25)


Epoka jonë do të shmangë fundin, por ka humbur kuptimin.

Krishti vjen për ta shndërruar fundin në portë, humbjen në rilindje, heshtjen në zbulesë.


Jezusi nuk është zgjidhja ndaj vdekjes.

Ai është fundi i frikës nga vdekja.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page