Jezusi dhe universi i hapur, ose përtej Big Bangut dhe Multiversit!
- Arian Galdini

- Jun 29, 2025
- 2 min read

Nga Arian Galdini
Teoria e Big Bangut nuk është më pika e padiskutueshme e zanafillës.
Shkenca bashkëkohore flet për multivers, për inflacion të përjetshëm, për cikle kozmike, për brana dhe dimensione që ndodhen përtej imagjinatës.
Po ndodh ajo që as klerikët, as ateistët nuk e pritën, universi nuk po shpjegohet, por po çudit më shumë se kurrë.
Por kur gjithçka zgjerohet, humbet qendra. Dhe pikerisht atje ku njeriu po noton në pafundësi teorike, Jezusi shfaqet jo si alternativë, por si pikë fikse që jep peshë.
Multiversi, si ide, mund të shpjegojë fine-tuning-un pa ndihmë hyjnore, nëse ka pafundësi universesh, çdo konfigurim ndodh diku. Edhe ky i yni.
Por ka një problem, nëse çdo gjë ndodh diku, asgjë nuk ka vlerë unike.
Si mund të jetë domethënëse dhimbja, sakrifica, dashuria, drejtësia, në një realitet që në variante të tjera mund të mos ketë ndodhur fare?
Kjo është kriza e pashpallur e mendimit bashkëkohor, një relativizëm kozmik që e bën jetën e njeriut statistikë dhe ndjenjat e tij artefakte.
Jezusi nuk është thjesht një Krisht në një nga universet.
Ai është ai që i jep kuptim gjithë ekzistencës, edhe kur ajo duket se ndodh pafund herë.
Asnjë Krisht paralel nuk ringjall.
Sepse nuk ka nevojë të ketë alternativë kur prania e Tij është absolute.
Ai është thelbi që nuk ndryshon, edhe në pafundësi realitetesh.
Ai është pikëndalimi i gjithçkaje që nuk gjen ndalesë.
Sa më shumë zgjerohet universi, aq më i peshëlehtë duket njeriu.
Zbulimet e fundit të James Webb tregojnë struktura të ndërlikuara galaktike që shtrihen përtej horizontit të zbulueshmërisë.
Ne jemi pika që sheh yje të vdekur dhe nuk di pse jeton vetë.
Por Jezusi nuk vjen si zbulim i galaksive.
Ai vjen si thelb i atij që pyet.
Ai nuk na rrëfen hartën e gjithësisë, por na ndriçon vetëdijen për të mos u humbur në të. Jezusi nuk zvogëlohet në raport me yjet.
Ai e rrit peshën e njeriut në raport me pafundësinë.
Nëse universi vjen e ikën, nëse rishfaqet dhe shuhet pafund herë, atëherë ringjallja e Krishtit nuk është një event historik.
Èshtë ndodhia që bën historinë domethënëse.
Ringjallja nuk konkuron me ligjet e fizikës. Ajo u shfaq atje ku ato nuk mjaftojnë.
Nuk është antishkencore.
Është mbishkencore.
Aty ku realiteti shpjegohet, por nuk jep shpresë, Jezusi ringjallet.
Nëse gjithçka është e mundur, Ai është i nevojshëm. Nëse gjithçka shpjegohet, Ai është i domosdoshëm.
Nëse gjithçka zgjerohet, Ai është nyja që mban gjithçka së bashku.
Jezusi nuk vjen të na shpëtojë nga multiversi.
Ai vjen të na shpëtojë nga relativizmi që na bën qenie pa peshë në pafundësi.
Ai nuk është zgjedhje në mesin e pafundësive, por e vetmja portë ku mund të kalojmë nga ekzistenca tek kuptimi.
Arian Galdini
.png)











Comments