top of page

Ju lutem lexoni me vëmendje para se të gjykoni, komentoni, shani apo shkruani…



Unë jam Arian Galdini.

Revolucioni im është shumë i vogël.

Revolucioni im është prej 36 vitesh, i përditshëm, i pandalshëm, i pasosur, i qëndrueshëm, rezistent, i pakompromis, i paluajtshëm, i paluhatshëm, themelor, e mbi të gjitha me pasoja rrënuese për jetën time e me çmim e kosto personale e familjare për mua, aq sa një Zot e di sesi jam ende në këmbë.

Jam cdo ditë, përditë, gjatë çdo dite, 24 orë, në këmbë e kryelart, si refuzues i çdo pazari, shitjeje, transaksioni, shkëmbimi, joshjeje, përfitimi, karriere, apo shpërblimi.

Madje, po të doni jam edhe një Askush i Madh i paarrirë, e i pasuksesshëm, e nëse ju kënaq kjo, jam edhe Dështak e Kampion i Dështimeve e Dështakëve.

Por gjithësesi, jam kryelartë, vetvetja, në udhën e korsinë time, në shtegun tim të vetmisë, e nuk e shkëmbej as dështimin tim, as askushërinë time, e as vetminë time për askënd e asgjë që nuk më jep dinjitet e vlerë.

Refuzoj çdo çmim.

Jetoj veç me dinjitet e vlerë.

Sigurisht që gjithçka kam shkruar më sipër nuk ka rëndësi fare për asnjërin prej jush, e aq më pak me interesin publik.

E megjithatë ka rëndësi për mua kur unë mbaj qëndrime publike.

Ndaj ju sqaroj qartë e në mënyrë përfundimtare:

Unë nuk jam as pjesë e protestave, as protestues, as mbështetës i protestave.

Nuk jam as kundër e as pro.

Protestat a Revolucioni nuk janë as qëllimi e as prioriteti im.

Shqipëria e shqiptaria janë qëllimi dhe prioriteti im.

Kushdo që beson e frymezon a frymëzohet nga këto Protesta a Revolucion, ka gjithë respektin e vleresimin tim.

E megjithatë nuk më ka mua me vete.

Nuk jam me Protestat a Revolucionin.

Nuk jam.

A kam të drejtë të mos jem?

Nuk jam, nuk besoj, nuk frymëzohem.

As i kundërshtoj, as i dekurajoj.

Protestat a Revolucioni, kanë nisur pa mua, janë rritur pa mua, nuk kanë nevojë për mua, e me zemër u uroj të fitojnë e triumfojnë pa mua.

Protestues e Revolucionarë, suksese e triumf ju uroj me gjithë mend e shpirt.

E prapë, nuk jam me ju. Nuk do të jem me ju.

Mos kini merak, se as kur të fitoni, as kur të triumfoni, nuk do të jem me ju.

Rrini të qetë, se nuk kam për të ndryshuar kah, mendim e drejtim pasi ju të fitoni e triumfoni.

Kur unë shkruaj për Protestat a Revolucionin, nuk shkruaj se dua tju ndërhyj juve në punët tuaja.

Jo.

Aspak.

Kurrësesi.

Ama, Protestat tuaja, a Revolucioni juaj, janë çështje e madhe publike, që po ndodh në Sheshe, Bulevarde e Media Publike.

Ndaj, ma bëni hallall, që askushër si unë, ishin të vetmuar në ndershmërinë, rezistencën, e revolucionin tonë të vogël, duke mbrojtur çdo ditë, përditë, dinjitetin tonë personal e qytetar, duke luftuar çdo ditë pakompromis e pandalesë me të ligjtë e me të keqen, e unë e di se jam i vetmuar sot, kur ju jeni me mijëra në Revolucionin tuaj të Madh, e kështu unë do të mbetem i vetmuar në revolucionin tim të vogël edhe pasi ju të keni fituar e triumfuar me në e me Revolucionin tuaj të Madh.

Duke qenë se e di që isha, jam e do të jem i vetmuar edhe pas Revolucionit tuaj të Madh, më mirëkuptoni kur ju them se kam një betejë timen publike këtu që të mbroj revolucionin tim të vogël.

Çfarë është ky revolucioni im i vogël?

Asgjë me rëndësi për ju nuk është.

Për mua është i vetmi revolucion që kam e që dua.

Kjo është arsyeja pse e mbroj e do ta mbroj me gjithë qënien time.

Revolucioni im i vogël është vetmia ime që më erdhi ae nuk pajtohem me ligësitë e të ligjtë çdo ditë.

Revolucioni im është dështimi im e mohimi im, e mbytja ime e askushëria ime, pse nuk u pajtova e as bashkëpunova kurrë as me Berishën, as me Ramën, as me Metën, as me Sorosin, as me Erdoganin, as me Iranin, as me Izraelin e as me Italianin, as me Gjermanin e as me Amerikanin, as me Oligarkun e as me Banditin, as me horrat e as me xhambazët…

Revolucioni im i vogël është mos-suksesi im dhe mosfama e mosnjohshmëria ime sepse nuk bëra kurrë ujdi me asnjë pasunar, politikan, parti, fondacion, a grup kriminal e as me asnjë shërbim sekret të huaj.

Revolucioni im i vogël është papunësia ime, mosshperblimi im, lënia ime në hije e terr, dënimi me harresë, mospërfillja masive, mohimi total, tallja, përqeshja e nënçmimi i të “Ligjve e Elitave” por edhe i atyre qytetarëve që nuk më njohin nga unë por më njohin sipas mohimit e baltës së “Politikanëve, Liderëve Politikë e Partiakë, Të korruptuarve” e të ushtrive të porositura të militantëve trushplarë…

Revolucioni im i vogël është një jetë 36 vjeçare, pa asnjë ditë punë në shtet, pa asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, pa asnjë sukses, ofiq, rol, post a detyrë kurrë kurrë në shtet a parti pushteti a opozite.

Revolucioni im i vogël është jeta plot dinjitet edhe pse i dështuar, i pasuksesshëm, i mohuar, i shpërfillur dhe madje i sulmuar e baltosur.

Revolucioni im i vogël është qëndresa ime për të folur e vepruar e për tu organizuar çdo ditë, përditë, parreshtur, për të thënë, shpallur të vërtetën, edhe kur ajo më përvëlon mua me çmimin e saj të rëndë.

Ju të Revolucionit të Madh, fitoni e triumfoni, por mos ma vrisni ju lutem revolucionin tim të vogel.

Ju do fitoni.

Unë do dështoj e humbas përsëri.

Nuk e dua fitoren me ju.

E dua humbjen time e dështimin tim vetëm.

Të paktën mos ma vrisni revolucionin tim të vogël.

Se revolucioni im i vogël i nderit dhe vlerës i qëndresës dhe dinjitetit, do vazhdojë edhe të nesërmen edhe çdo ditë sa të kem frymë, edhe pasi Revolucioni juaj i Madh të ketë bërë histori, a të jetë bërë histori.

Për mua, rroftë revolucioni im i vogël.

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page