«Kë njeh?»

Shpesh na ndodh kur dashuria e prindit bëhet dëshmitare e një padrejtësie publike.
Ai i ka mësuar fëmijës të mos kërkojë kurrë atë që nuk i takon.
Pastaj, për ta ndihmuar të marrë atë që i takon, e këshillon të kërkojë një emër të fuqishëm.
Nuk e ka humbur besimin tek i biri, ka humbur besimin se një e drejtë do t’i njihet edhe pa ndërmjetës.
Frika kalon nga prindi te fëmija pikërisht përmes dorës që përpiqet ta mbrojë.
Në familje, njohja e tjetrit është fillimi i kujdesit.
Në Republikë, drejtësia duhet të arrijë edhe atje ku njohja personale mbaron.
E Djathta e Dinjitetit e ka themelin te familja që na jep rrënjë pa na marrë ndërgjegjen, te besimi që na kujton se pushteti nuk është Zoti, te puna e ndershme dhe prona që i japin njeriut mundësinë të qëndrojë më vete.
Sepse, nëse kundërshtimi i qeverisë mund t’i kushtojë qytetarit punën, pronën a një të drejtë, edhe «po»-ja e tij nuk është domosdoshmërisht besim.
Mund të jetë frika që ka mësuar të flasë me zë të butë.
Shumica fiton mandatin për të qeverisur, nuk fiton pronësinë mbi njeriun.
Gjashtë vjet më parë, nga Këndi i Shpresës lindi Rinisja.
Më 21 gusht 2021, në Marshimin e Dinjitetit, njerëzit që besuan në atë shpresë i dhanë besës hapin e tyre.
Ata na dhanë kohë, mund e dashuri që nuk na i detyroheshin, prandaj u jemi mirënjohës.
Kjo mirënjohje mbetet edhe kur rrugët ndahen.
Miqtë që dëshirojnë të rikthehen dhe ata që na afrohen për herë të parë janë të mirëpritur me të njëjtin respekt.
Por fjala që na lidh me njëri-tjetrin nuk mund të jetë kufiri i lirisë që duam për Shqipërinë.
Besa jonë bëhet Republikë në çastin kur na detyron edhe ndaj njeriut që nuk na ka dhënë asnjë besë.
Ai mund të mos na dojë, të mos na besojë, të mos na votojë kurrë.
Liria e tij nuk mund të varet nga ndershmëria që ai shpreson të gjejë te ne.
Duhet të mbrohet nga një rend që e kufizon pushtetin tonë, edhe nëse fitojmë, dhe që vazhdon ta mbrojë pasi ne të jemi larguar.
Një parti mund të kërkojë besimin e njerëzve për të qeverisur, Republika duhet t’i mbrojë njerëzit edhe kur ata nuk i besojnë asaj partie.
Kjo është besa më e vështirë, fjala që mbajmë ndaj atij që nuk na e ka dhënë fjalën.
Ne kërkojmë përfundimin demokratik të qeverisjes së Edi Ramës dhe fundin e oligopolit PS–PD, që Shqipëria të ketë një jetë politike vërtet të hapur.
Rinisja synon të bëhet forcë e madhe, të fitojë e të qeverisë.
Por ajo nuk mund të bëhet emri i radhës që qytetari duhet të njohë për të marrë të drejtën.
Agora e Shqipërisë Mendonjëse duhet ta bëjë partinë të ngrihet në lartësinë e njerëzve me dije, karakter e talent, edhe kur ata e kundërshtojnë.
Një forcë politike nuk bëhet më e mençur duke i mësuar njerëzit e saj të thonë vetëm «po».
Shqiptarizmi ynë e njeh Shqipërinë si një trashëgimi që nuk na jep pronësi mbi të ardhmen.
Fëmijët tanë do të kenë të drejtë ta duan ndryshe nga ne dhe ta pasurojnë me mendimin e tyre.
Ne duam t’u lëmë një vend të sigurt në identitetin e vetë, të palëkundur në aleancën me Shtetet e Bashkuara, brenda NATO-s dhe në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Përkatësia perëndimore duhet të ndihet edhe në atë që një qytetar mund t’i thotë shtetit pa pasur frikë prej tij.
Një ditë, një prind do t’i mësojë fëmijës emrat e atyre që do, emrat e atyre që i kanë lënë gjuhën e atdheun.
Nuk do t’i duhet t’i mësojë emrin e një të fuqishmi për të marrë atë që i takon.
Dhe kur fëmija ta pyesë: «Po unë, kë duhet të njoh?», përgjigjja do të vijë me qetësinë e një vendi që e ka mbajtur besën:
«Askënd. Republika të njeh ty.»
Arian Galdini
Rinisja




Comments