top of page

Kur e vërteta bëhet barrë dhe figura bëhet ligj!



Nga Arian Galdini


Koha jonë nuk e dëmton së pari të vërtetën duke e mohuar, e dëmton duke i imponuar ritme që nuk i përkasin.


Pothuaj çdo gjë e shtyn njeriun të reagojë shpejt, të flasë para se të kuptojë, të marrë anë para se ta peshojë të vërtetën.


Shpejtësia është ngritur në provë force edhe aty ku duhej të mbetej vetëm mjet.


Por sëmundja e vërtetë qëndron këtu, legjitimiteti fillon të kërkohet te figura, jo te barra e së vërtetës.


Dhe kur ritmi i jashtëm hyn kaq thellë në ndërgjegje, fjala nis të ndryshojë natyrë.


Ajo nuk shërben më për të ndriçuar sendin për të cilin flet, por për të mbrojtur figurën e atij që flet.


Të dukesh i vendosur para se të jesh i drejtë. Të fitosh çastin para se të mbash peshën e tij.


Të dalësh i paprekur para se e vërteta të peshohet.


Pikërisht aty fjala korruptohet, kur e vërteta bëhet barrë dhe figura bëhet ligj.


Ky dëmtim nuk ndalet te folësi.


Ai kalon te vetë jeta publike.


Debati pushon së qenuri vend ku peshohet e vërteta dhe kthehet në qarkullim figurash.


Kjo shihet para kamerës, në ndërprerjen që shitet si forcë, në fjalën që mbijeton pasi e vërteta është zbrazur prej saj.


Debati nuk vdes kur mungojnë fjalët, vdes kur fjala heq dorë nga barra e së vërtetës.


Dhe aty nuk dëmtohet vetëm debati.


Dëmtohet aftësia e një shoqërie për të pasur të njëjtën të vërtetë para syve.


Qytetari nuk hyn më në një hapësirë gjykimi të përbashkët, ai futet në një shesh pranimesh të shpejta.


Kështu varfërohet jo vetëm debati, por edhe vetë mundësia e një realiteti të përbashkët.


Kjo nuk është më vetëm sëmundje e një politike, e një studioje apo e një vendi.


Është sëmundje e çdo rendi ku figura prodhon legjitimitet më shpejt se e vërteta.


Njeriu i lirë dallohet pikërisht këtu.


Jo vetëm nga ajo që thotë, por nga mënyra si pranon të mos e shpëtojë veten me fjalë.


Fjala e drejtë pranon rënien e figurës, nuk pranon rënien e gjësë.


Pikërisht aty vendoset karakteri i njeriut publik, kur pranon humbjen e vetes së dukshme, që të mos tradhtojë peshën e gjësë.


Shoqëritë nuk rrëshqasin vetëm kur gënjeshtra ngrihet hapur.


Ato rrëshqasin edhe kur mësohen me një fjalë që mbron figurën më shumë se të vërtetën.


Kur e vërteta bëhet barrë dhe figura bëhet ligj, fjala mbetet. Gjykimi zbrazet.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page