Kur të vegjlit refuzojnë të heshtin: Ballkani dhe Lindja e rëndesës morale në kohë krize globale!
- Arian Galdini

- Jun 20, 2025
- 3 min read

Nga Arian Galdini
Një djalë ukrainas ecën mes rrënojave të një shkolle në Bahmut. Në Gaza, një nënë heq rrobat e bardha të fëmijës që s’i mbijetoi natës. Në Teheran, qyteti merr frymë rëndë mes një tjetër nate pa dritë. Dhe në Tiranë, një tregtar mbyll dyqanin sepse çmimi i naftës ia ka vështirësuar mbijetesën.
Këto nuk janë thjesht ngjarje të ndara.
Janë nota të një sinfonie që përplaset në të njëjtën membranë.
E Ballkani, pa bujë, është ajo membranë.
Kur Ukraina lufton, e gjithë arkitektura e Perëndimit tundet.
Kur Gaza digjet, morali i Perëndimit ftohet. Kur Irani goditet dhe kundërpërgjigjet, ekonomia e Perëndimit përpiqet të mos dridhet.
Kur Izraeli përpiqet të mbrojë qytetarët e vet nga sulmet me raketa dhe tmerret e frikës ekzistenciale, bota përballet me pyetjen më të vështirë, si të mbrojmë të drejtën për të jetuar, pa humbur të drejtën për të ndjerë dhimbje?
Në këtë përpjekje globale për të ruajtur balancat mes sigurisë dhe humanizmit, vendet e vogla nuk janë më thjesht spektatore.
Janë pika matjeje të etikës globale.
Ballkani është më shumë se një gjeografi. Është një pasqyrë e vonuar ku shfaqet fytyra reale e botës së re.
Nuk kemi tanke.
Por kemi ndjeshmëri.
Nuk kemi fuqi për të ndalur luftën.
Por kemi zë për të mos heshtur.
Nuk kemi karrige në Këshillin e Sigurimit.
Por kemi kujtesë të mjaftueshme për të kuptuar kur drejtësia nuk flet dot.
Perëndimi është aleati ynë.
SHBA është partneri ynë historik.
Izraeli është një mik që ka ndërtuar mbijetesën e vet mes rrethimit dhe sulmeve, një vend që meriton siguri dhe jetë.
Dhe pikërisht sepse janë miqtë tanë, nuk duam që ata të shndërrohen në gjykatës të vetvetes, nëse harrojnë njeriun përballë strategjisë, apo të vërtetën përballë momentit.
Sot, Ukraina nuk është thjesht kufiri i një lufte, është shtylla e karakterit të një bote që po përpiqet të mos dorëzohet.
Gaza nuk është thjesht një zonë konflikti, është pasqyra që e detyron Perëndimin të vendosë nëse është ende shtëpi e humanizmit, apo strehë e interesit të ftohtë.
Dhe tensioni mes Iranit dhe Izraelit nuk është thjesht duel ushtarak, është përballje për shpirtin e rendit global.
Ballkani ka zgjedhur të jetë me lirinë, me Perëndimin, me miqtë që ndihmojnë, jo imponojnë.
Por kjo zgjedhje kërkon të shoqërohet me zë, jo vetëm me heshtje diplomatike.
Ndaj, unë do të propozoja modestisht por plot qëllimmbarësi, krijimin e një Aksi Moral të Kombeve të Vogla, një forum për të artikuluar qëndrime të përbashkëta ndaj krizave të mëdha, jo për të ndikuar balancat e fuqisë, por për të ruajtur ekuilibrin e ndërgjegjes.
Një rrjet ku Shqipëria, Kosova, Ukraina, Sllovenia, Tajvani, Zelanda e Re, dhe çdo komb i vogël që refuzon të bëhet lodër përplasjesh, të thonë një fjalë të vetme që i mungon botës, ndjeshmëri me karakter.
Kjo nuk është retorikë.
Është përgjegjësi.
Në një botë që mat gjithçka me peshë ekonomike apo ushtarake, kushdo që ruan moralin, ruan rendin.
Perëndimi nuk ka nevojë për më shumë aleatë të bindur.
Ka nevojë për miq që kujtojnë.
Dhe shqiptarët, nëse kanë diçka për ti ofruar botës, është kjo, ne dimë çfarë do të thotë të mos të të dëgjojë askush, dhe prandaj nuk mund të heshtim kur dikush tjetër bërtet nga dhimbja.
Nëse bota e nesërme do të ketë një busull, ajo s’do të vijë nga satelitët.
Do të vijë nga fjalët që fliten nga skajet që nuk kanë më frikë të ndriçojnë.
Arian Galdini
.png)











Comments