top of page

Kur vendi i qytetarit nuk mbetet bosh!



Nga Arian Galdini


Shqipëria nuk është dëmtuar vetëm nga ata që kanë qeverisur keq.


Është dëmtuar edhe nga vendi bosh që qytetari ka lënë në jetën publike.


Jo sepse nuk ka votuar, nuk është zemëruar apo nuk ka folur në shtëpi, në rrugë, në ekran, në vetminë e tij.


Plaga është më e thellë, qytetari ka qenë shpesh i pranishëm si pakënaqësi dhe i munguar si përgjegjësi.


I pranishëm kur numërohet.


I munguar kur duhet të ndërtojë.


I pranishëm kur ankohet.


I munguar kur vendi kërkon një njeri që nuk ikën pas fjalës.


Kjo mungesë e ka lënë Republikën të paplotë.


Pushteti i vjetër e ka ditur këtë.


Prandaj e ka dashur qytetarin të dobishëm, por jo të lirë.


E ka dashur votues, jo njeri që krijon përfaqësim.


E ka dashur numër, jo peshë.


E ka dashur turmë, jo ndërgjegje.


E ka dashur të thirrur në ditën e duhur dhe të harruar ditën tjetër.


Kështu ndërtohet një vend ku njerëzit votojnë, por nuk ndihen përfaqësuar.


Ku flitet shumë për demokraci, por qytetari mësohet ta shohë politikën si diçka që ndodh diku tjetër, nga të tjerë, për interesa që rrallë mbërrijnë te jeta e tij.


Një shoqëri nuk prishet vetëm kur sundohet keq.


Prishet edhe kur të mirët tërhiqen.


Kur i ndershmi thotë se nuk ia vlen.


Kur i lënduari bëhet shikues.


Kur i zemëruari e mbyll zemërimin në koment dhe e lë ditën tjetër njësoj si dje.


Shqipëria nuk ndryshon vetëm nga zemërimi.


Zemërimi mund ta çajë heshtjen.


Mund ta tregojë plagën.


Mund ta ndezë një çast.


Por një vend nuk ndërtohet nga çasti. Ndërtohet nga njeriu që kthehet prapë.


Nga fjala që mbahet pas duartrokitjes.


Nga dora që nuk largohet kur puna humb shkëlqimin e parë.


Këtu nis dallimi mes qytetarit që sheh dhe qytetarit që mban.


Ai që sheh, gjykon nga larg.


Ai që mban, hyn në pjesën e vet.


Ai që sheh, pret që turma t’i japë guxim.


Ai që mban, nuk e shtyn më ndërgjegjen deri sa të bëhet e rehatshme.


Ai që sheh, flet për vendin si për një trup të huaj.


Ai që mban, e kupton se Shqipëria nuk është vetëm ajo që i bëhet atij, është edhe ajo që ai pranon të bëjë për të.


Qytetari nuk lind politikisht vetëm kur voton.


Vota është çast.

Përgjegjësia është rrugë.


Një njeri që shkon vetëm te kutia, por mungon në jetën publike, ka të drejtë formale, por jo prani të plotë.


Ai është numëruar, por nuk ka peshuar.


Ka marrë pjesë në procedurë, por jo në fat.


Republika nuk mbahet vetëm me dorën që hedh fletën e votimit.


Mbahet me njeriun që nuk e braktis vendin e vet midis dy zgjedhjeve.


Prandaj çdo reformë, çdo prag, çdo listë, çdo marrëveshje dhe çdo formulë mbetet e mangët nëse qytetari trajtohet si shikues i rregulluar i një loje të vjetër.


Një sistem që i kërkon vetëm votën, por ia vështirëson pjesëmarrjen, nuk e liron Republikën.


Vetëm ia administron heshtjen.


E vjetra nuk ka frikë vetëm nga partitë e reja. Ka frikë nga qytetari që nuk mungon më.


Nga njeriu që nuk pret më ftesë për të menduar.


Nga ai që nuk e lë Shqipërinë gjithmonë në dorën e dikujt tjetër.


Nga ai që nuk lejon që lodhja t’i bëhet atdhe i dytë.


Këtë lindje politike Shqipëria ka nevojë ta rifitojë.


Jo si zhurmë tjetër, jo si flamur më shumë në një treg të lodhur emrash, jo si ambicie që kërkon vetëm karrige, por si kthim të qytetarit në vendin ku përgjegjësia nuk mund të delegohet më.


LRE Rinisja nuk kërkon vëmendje mbi veten.


Është një ftesë për këtë kthim, nga largësia në prani, nga komenti në pjesëmarrje, nga lodhja në përgjegjësi.


Aty ku kjo ndodh, edhe një fillim i vogël nuk është më i vogël.


Është shenjë se vendi ende mund të nxjerrë njerëz që nuk e shesin besimin e tyre te lodhja.


Shqipëria nuk do të rilindë ditën kur qytetarët të zemërohen më shumë.


Do të rilindë ditën kur qytetari të mos mungojë më aty ku vendi kërkon njeriun e vet.


Aty fillon Republika.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page