Kush e trashëgon zemërimin?
- Arian Galdini

- 1 day ago
- 4 min read

Nga Arian Galdini
Qytetari doli në shesh.
Nuk i dha askujt prokurë mbi zemërimin e vet.
Ka një send që nuk shihet në asnjë pamje nga lart.
Nuk e sheh droni. Nuk e kap kamera.
Nuk e numëron titulli.
Nuk e mban mikrofoni.
Nuk shfaqet mbi flamur, as në rrjedhën e njerëzve që mbushin një rrugë.
Është prokura që qytetari nuk e ka dhënë.
Ai mund të ketë dalë për një vend të rrezikuar, për një pronë të marrë, për një breg të mbyllur, për një poshtërim që nuk e mbante më brenda shtëpisë.
Mund të ketë lënë punën, të ketë marrë fëmijën për dore, të ketë kthyer kokën kur telefoni i dridhej në xhep dhe dikush nga shtëpia e pyeste kur kthehej.
Mund të ketë bërtitur, ose mund të ketë ecur pa folur fare.
Por ai nuk i ka dhënë askujt prokurë mbi zemërimin e vet.
Kjo është gjëja që harrohet më shpejt në politikë.
Trupi i qytetarit duket si numër.
Numri duket si forcë.
Forca duket si mandat.
Dhe sapo kjo ndodh, dikush afrohet për ta përkthyer atë që nuk e ka pyetur.
Dikush thotë, kjo turmë flet në gjuhën time. Dikush thotë, kjo plagë më përket mua. Dikush pret që rruga të lodhet, që zëri të ulet, që qytetari të kthehet në shtëpi, dhe pastaj ulet në tryezë sikur mbi tavolinë të ketë mbetur një firmë e lënë prej tij.
Nuk ka firmë.
Protesta është pasuri publike morale.
Ajo lind nga qytetari dhe nuk mund të regjistrohet në emër të atij që mbërrin më shpejt te mikrofoni.
Siç një vend nuk duhet të mbyllet me gardh vetëm sepse dikush gjeti letrën e duhur në zyrën e duhur, as zemërimi qytetar nuk duhet të mbyllet me emër vetëm sepse dikush gjeti çastin e duhur për ta thënë më fort.
Një breg mund të privatizohet me dokumente, me vonesë, me heshtje, me tabela të vendosura kur qytetari e merr vesh tepër vonë.
Një protestë privatizohet më hollë: me pamje nga lart, me titull, me fjalim, me tryezë, me një histori të vjetër që kërkon trup të ri.
Në të dy rastet, qytetarit i merret diçka që ishte e përbashkët.
Prandaj pyetja e këtyre ditëve nuk është kush u kthye, kush u tremb, kush u dobësua, kush doli më i fortë nga fotografia, kush e fitoi ekranin, kush e mbajti mikrofonin më gjatë.
Këto janë pyetje të zhurmës.
Pyetja e Republikës është më e thjeshtë dhe më e rëndë, kush e ka prokurën?
Nëse nuk e ka, nuk flet dot si pronar i zemërimit.
Mund të marrë pjesë.
Mund të mbështesë.
Mund të dëshmojë.
Mund të shërbejë.
Por nuk mund ta trashëgojë sheshin.
Pamja nga lart nuk është vullnet nga brenda. Nga lart, turma duket si vijë.
Nga toka, ajo ka këpucë të lodhura, fytyra që kanë lënë punën, telefona që dridhen në xhep, njerëz që kanë ardhur për një vend dhe nuk kanë sjellë me vete asnjë autorizim që dikush tjetër ta përdorë zërin e tyre si pronë.
Sheshi dëshmon se njerëzit janë ngritur. Nuk dëshmon se dikush ka marrë të drejtën të ulet në emër të tyre.
Këtu fillon dallimi mes pranisë dhe mandatit.
Prania mbush rrugën, mandati duhet të provohet.
Ai nuk del vetvetiu nga dendësia e turmës, as nga zemërimi i ligjshëm.
Mandati fillon vetëm aty ku qytetari pyetet dhe përgjigjja e tij nuk kthehet në plaçkë nga të tjerët.
Njeriu që doli në shesh për një vend të rrezikuar nuk ka dhënë firmë për rikthimin e askujt.
Ai që doli për pronën nuk ka firmosur për partinë.
Ai që doli kundër arrogancës së pushtetit nuk i dha çek bosh opozitës.
Ai që doli kundër grabitjes së një hapësire të përbashkët nuk pranoi të bëhej pronë politike e një dore tjetër.
Qytetari nuk ka firmosur asgjë vetëm pse doli në shesh.
Rreziku më i madh i një proteste nuk vjen gjithmonë kur ajo shtypet.
Ndonjëherë vjen kur ajo fillon të fitojë.
Humbja e ka dhunën më të dukshme.
Fitorja e ka grabitjen më të rafinuar.
Në çastin kur qytetari mendon se diçka u arrit, rruga nis të shpërndahet, këmbët kthehen në lodhje, zëri kthehet në kujtim, ndërsa tryezat bëhen gati për ata që dinë të ulen shpejt.
Aty mund të vidhet protesta.
Jo duke e ndalur.
Duke e administruar pa qytetarin.
Jo duke ia mbyllur rrugën.
Duke ia marrë fundin.
Një tryezë e hapur në çastin e lodhjes mund të duket si zgjidhje, ndërsa mund të jetë vendi ku qytetari mbetet jashtë fitores së vet.
Një emër mund të shfaqet si shpëtim, ndërsa mund të jetë vetëm pronari i radhës që kërkon të shkruajë veten mbi një zemërim që nuk e lindi.
Fitorja pa mandat është plaçkë.
Kjo vlen për çdo dorë që i afrohet sheshit pasi qytetari ka paguar koston.
Asnjë pushtet, asnjë opozitë, asnjë ekran, asnjë emër i vjetër a i ri nuk trashëgon dot atë që nuk e pyeti.
Zemërimi qytetar nuk është trashëgimi politike.
Nuk kalon me zakon.
Nuk kalon me frikë.
Nuk kalon me kujtim të vjetër.
Duhet mandat.
“Populli vendos” nuk është parullë.
Është rend.
Pa mënyrë për të vendosur, edhe kjo fjali bëhet pronë e atij që e thotë më fort.
Nëse Shqipëria nuk shitet, as protesta nuk pronësohet.
Sheshi ka kuptim vetëm kur e ruan qytetarin si autor, jo kur e dorëzon si masë.
Prandaj prova e protestës nuk është vetëm nata kur rruga mbushet.
Është mëngjesi pas saj.
Është çasti kur qytetari kthehet në shtëpi dhe duhet të dijë nëse zëri i tij mbeti i tij, apo dikush e mori në mungesë.
Është dita kur kamera ikën, mikrofoni pushon, tryeza mbyllet, dhe mbi tavolinë kërkohet një firmë që qytetari nuk e ka lënë.
Sheshi tregon se një popull është zgjuar.
Dita pas sheshit tregon nëse ai zgjohet ende me zemërimin në duart e veta, apo me një prokurë të falsifikuar mbi emrin e tij.
Arian Galdini
.png)


Comments