top of page

Revolucioni nuk ka nevojë për pronar!



Nga Arian Galdini


Një protestë rrezikohet dy herë.

Herën e parë, kur pushteti përpiqet ta trembë.


Herën e dytë, kur dikush tjetër hap regjistrin për ta shkruar në emrin e vet.


Kjo është ora më e rrezikshme e çdo sheshi.


Në fillim, njeriu del.

Del nga frika, nga heshtja, nga poshtërimi, nga ajo dhomë e brendshme ku kishte duruar tepër gjatë.


Del sepse një vend i përbashkët është prekur, sepse një e drejtë është shtypur, sepse një plagë nuk pranon më të mbahet si turp privat.


Pastaj rruga mbushet.


Pastaj fillon numërimi.


Pastaj fillon përkthimi.


Dhe pas përkthimit, gjithmonë dikush afrohet me dorë të qetë te regjistri.


Aty nis grabitja më e hollë.


Jo kur sheshi trembet.


Jo kur rruga ndalet.


Jo kur zëri shuhet.


Por kur zemërimi i shumë njerëzve fillon të shkruhet në emrin e pak njerëzve që dinë të mbërrijnë në kohë te letra, te tryeza, te mikrofoni, te fjalia zyrtare e fitores.


Revolucioni nuk ka nevojë për pronar.


Pronari kërkon regjistrin.


Do që ajo që lindi nga shumë trupa, shumë frikëra të thyera, shumë heshtje të çara dhe shumë plagë të mbajtura gjatë, të përfundojë si pronë e një emri.


Kujdestari nuk e merr sheshin.


Nuk e regjistron.


Nuk e trashëgon.


E ruan nga dora që vjen pasi qytetari ka paguar koston.


Shqipëria ka njohur shumë pronarë të zemërimit dhe pak kujdestarë të qytetarit.


Prandaj dita pas frikës është më e rëndë se nata e guximit.


Në natën e parë, mjafton që njeriu del.


Në ditët që vijnë, nuk mjafton më të ketë dalë.


Duhet të mos humbasë kuptimin e daljes së vet.


Sepse një protestë nuk vidhet vetëm kur e shtypin.


Vidhet edhe kur e administrojnë pa qytetarin, në çastin kur ajo mendon se fitoi.


Zemërimi që nuk merr formë, kalbet.


Zemërimi që merr formë pa qytetarin, vidhet.


Një shesh nuk mund të mbetet vetëm zjarr.


Zjarri pa formë lodhet, shpërndahet, kthehet në mit, në kujtim, në dyshim.


Por forma pa qytetarin është një tjetër grabitje.


Është gardh i ri rreth një zemërimi që lindi pikërisht kundër gardheve.


Protesta është pasuri publike morale.


Nëse ajo lindi sepse një vend i përbashkët po trajtohej si mall, ajo duhet të ruajë veten nga i njëjti fat.


Nuk privatizohet vetëm toka.


Privatizohet edhe kuptimi.


Nuk rrethohet vetëm bregu.


Rrethohet edhe zemërimi.


Nuk mbyllet vetëm një hapësirë.


Mbyllet edhe e drejta e qytetarit për të qenë autor i asaj që vetë ndezi.


Kush privatizon protestën, bën me sheshin atë që pushteti bëri me bregdetin.


Kjo vlen për çdo dorë që i afrohet protestës pasi ajo fillon të vlejë, dorën që e zbut, që e përkthen, që kërkon ta trashëgojë, që do ta shpallë të vetën para se qytetari të ketë folur deri në fund.


Të gjithë mund të afrohen te protesta.


Askush nuk ka të drejtë ta regjistrojë në emrin e vet.


Këtu ndahet kujdestaria nga pronësia.


Pronari e shkruan protestën në emrin e vet.


Kujdestari ruan që të mos shkruhet pa qytetarin.


Pronari pret që sheshi të lodhet.


Kujdestari e di se sheshi nuk është trashëgimi.


Nuk ishte e tij.


Masa matet. Qytetari pyetet.


Pamja nga lart nuk është vullnet nga brenda.


Rruga e mbushur tregon se frika u ça.


Nuk tregon ende kush ka mandat.


Numri provon praninë.


Nuk provon përfaqësimin.


Republika fillon kur qytetari nuk pranon më të shkruhet nga të tjerët.


Një pushtet mund të tërhiqet pak, të hapë një tryezë, të premtojë një rishikim, të ngrejë një komision, të japë një fjalë që tingëllon si fitore.


Por pyetja e rëndë mbetet, kush e merr në dorë atë fitore?


Në çastin e fitores së vogël, qytetari lodhet.


Sheshi rrallohet.


Kamera kërkon pamjen tjetër. Zëri bie.


Dhe pikërisht atëherë nis puna e atyre që dinë tryezat më mirë se rrugën.


Aty mund të merret fundi i protestës pa marrë qytetarin.


Aty mund të shpallet zgjidhje ajo që nuk ka marrë mandat.


Aty mund të shndërrohet fitorja në pronë të atyre që nuk e paguan plagën.


Fitorja pa mandat është plaçkë.


Një popull nuk çlirohet kur ndërron pronarin e zemërimit.


Çlirohet kur nuk pranon më pronar mbi zemërimin e vet.


Mund të bjerë një emër dhe të mbetet zakoni.


Mund të largohet një fytyrë dhe të mbetet mënyra.


Mund të thyhet frika në shesh dhe të ringrihet vartësia në kutinë e votimit, në vendin e punës, në telefonatën e të fortit, në etjen për shpëtimtar.


Revolucioni nuk është vetëm rruga e mbushur.


Është njeriu që nuk kthehet më i njëjtë në shtëpi.


Nëse ai del si sovran dhe kthehet prapë si klient, sheshi ka fituar mbrëmjen, jo historinë.


Nëse ai refuzon një grabitje dhe pastaj lejon të grabitet kuptimi i refuzimit të tij, humbja ka ndërruar vetëm formë.


Nuk quhet më shtypje.


Quhet përfaqësim i rremë.


Prandaj pyetja e vërtetë nuk është më vetëm kush doli, kush foli, kush u pa, kush u tremb.


Pyetja është kush do të jetë aty kur të hapet regjistri pas sheshit.


Qytetari, apo ata që flasin më mirë në emër të tij sesa dinë ta dëgjojnë?


Nëse qytetari nuk është aty, revolucioni ka filluar të ndryshojë pronar.


Dhe aty mbaron liria që dukej sikur sapo kishte nisur.


Nëse Shqipëria nuk shitet, as zemërimi i saj nuk pronësohet.


Një popull që del në shesh ka mundur frikën.


Një popull që ruan kuptimin e sheshit ka filluar të bëhet sovran.


Fitorja e kësaj proteste nuk do të jetë vetëm çfarë do të tërhiqet pushteti.


Do të jetë çfarë nuk do të dorëzojë më qytetari.


Në fund, kur rruga të qetësohet dhe zërat të bien, dikush do të përpiqet ta shkruajë këtë protestë në një emër.


Atë ditë do të dihet nëse sheshi hyri në regjistër.


Apo në Republikë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page