Që Non Grata të mos kthehet në “Non Gracka”!
- Arian Galdini

- 6 hours ago
- 4 min read

Nga Arian Galdini
Një derë mund të hapet për një politikan dhe prapë të mbyllet për qytetarin.
Ky është rreziku i orës sonë.
Kur një vend e ngatërron lëvizjen e një vule të huaj me lindjen e një lirie të brendshme, lajmi bëhet kurth.
Një korridor diplomatik nuk është pagëzim moral.
Një hapje e jashtme nuk është mandat i brendshëm.
Një njeri mund të hyjë sërish në qarkullim dhe prapë një popull nuk duhet të hyjë në të njëjtën grackë.
“Non Gracka” nuk është përkthim.
Është paralajmërim.
Është emri ironik i rrezikut që një “jo” diplomatik, sapo zbutet nga interesi i jashtëm, të shitet si “po” politike për rikthimin dhe duelin e njohur.
Non Grata ishte historia e një politikani me një shtet të huaj.
Gracka nuk duhet të bëhet historia e Shqipërisë me të nesërmen e vet.
Një vendim i jashtëm mund t’i hapë derën një politikani, nuk mund t’i japë atij çelësat e sheshit.
Interesi i një fuqie të huaj mund të hapë një korridor, nuk mund të prodhojë virtyt publik për një komb tjetër.
Një njeri mund të bëhet i përdorshëm në një llogari të madhe politike dhe prapë të mos jetë përgjigjja morale e një Republike që kërkon të lindë.
Të bëhesh i përdorshëm nuk do të thotë të bëhesh i ri.
Kur një shoqëri është në protestë, çdo derë që hapet papritur mund t’i duket si shenjë.
Çdo figurë e vjetër mund të veshë kostumin e rikthimit.
Çdo plagë mund të kërkojë një emër që ta administrojë.
Por protesta nuk është certifikatë kthimi për askënd.
Qytetari nuk doli në shesh që zemërimi i tij të kalojë nga një dorë e vjetër në tjetrën.
Nuk doli që një grabitje të zëvendësohet nga një trashëgimi.
Nuk doli që e nesërmja e tij të përdoret si korridor për ata që nuk dinë më të hyjnë në histori pa marrë peng revoltën e të tjerëve.
Kjo është gracka, jo thjesht kthimi i një njeriu, por kthimi i mekanizmit.
Një vend mund të lodhet nga një pushtet dhe prapë të mos jetë çliruar nga modeli që e prodhoi atë pushtet.
Mund të urrejë arrogancën e sotme dhe prapë të bjerë në krahët e arrogancës së djeshme.
Mund të dalë kundër një grabitjeje dhe pastaj ta dorëzojë zemërimin te një tjetër pronar i vjetër i së njëjtës shtëpi politike.
E vjetra nuk e lufton gjithmonë të renë.
Shpesh e përqafon për ta mbytur.
I del përpara si përfaqësuese.
I ofron emër, mikrofon, rrugë të shkurtër dhe i thotë se pa të nuk fiton.
Por një derë e hapur nga jashtë nuk është provë se qytetari ka dhënë çelësin nga brenda.
Në Shqipëri, e vjetra nuk ka nevojë gjithmonë të takohet për t’u marrë vesh.
Ndonjëherë i mjafton të ketë të njëjtin interes ndaj së resë.
Pushteti i vjetër ka nevojë që revolta të kthehet në frikë të njohur, në armik të vjetër, në duel që di ta menaxhojë.
Opozita e vjetër ka nevojë që revolta të mos lindë si qytetar i pavarur, por si anti-pushtet klasik që mund të trashëgohet.
Kjo nuk kërkon domosdoshmërisht një pakt në dhomë.
Mjafton një bashkëjetesë interesi.
Kur revolta kthehet në duel të vjetër, pushteti shpëton nga Republika dhe opozita e vjetër shpëton nga harresa.
Njëri fiton armikun që e mban në këmbë.
Tjetri fiton pushtetin që e bën të duket i domosdoshëm.
Të dy humbin vetëm nëse qytetari nuk kthehet më te asnjëri.
Prandaj kundër pushtetit nuk mjafton.
Kundër modelit është prova.
Nuk mjafton të jesh kundër një njeriu, nëse je brenda mënyrës që e prodhon atë njeri.
Nuk mjafton të thërrasësh kundër arrogancës, nëse kërkon ta trashëgosh zemërimin e qytetarit pa e pyetur qytetarin.
Nuk mjafton të jesh kundër qeverisë së sotme, nëse e sheh protestën si lëndë për qeverisjen tënde të nesërme.
Këtu ndahet opozita nga riciklimi.
Këtu ndahet revolta nga gracka.
Një popull nuk çlirohet kur gjen pronar më të mirë për zemërimin e vet.
Çlirohet kur nuk pranon më pronar mbi zemërimin e vet.
Ai nuk çlirohet kur një vulë lëviz jashtë vendit.
Çlirohet kur brenda vendit nuk pranon më të përdoret si masë, si frikë, si dekor, si shkallë kthimi, si vërtetim i rremë për ata që duan të vijnë prapë në emrin e tij.
Nëse protesta shqiptare ka një kuptim, ai nuk është kthimi i ndonjë pronari të vjetër të zemërimit.
Është lindja e qytetarit që nuk pranon më pronar.
Ky qytetar nuk del për t’i shërbyer rikthimit të askujt.
Del sepse një pjesë e së përbashkëtës u prek, sepse një vend nuk mund të trajtohet si mall, sepse një popull që e ndien se po i merret toka, ligji dhe dinjiteti nuk mund të vazhdojë të jetojë si spektator.
Por nëse ai del kundër privatizimit të një vendi dhe pastaj lejon privatizimin e revoltës së vet, humbja ka ndërruar vetëm formë.
Nuk quhet më pushtet.
Quhet trashëgimtar.
Gracka është pikërisht kjo, kur protesta kundër grabitjes kthehet në pasuri politike për një dorë tjetër, kur zemërimi kundër modelit përdoret për të ringritur një pjesë të modelit, kur e vjetra, sapo i hapet një korridor, sillet sikur i është hapur edhe historia.
Kjo nuk është çlirim.
Është kthim në grackë me emër tjetër.
Shqipëria nuk ka nevojë të dalë nga një damkë për të hyrë në një kurth.
Nuk ka nevojë ta ngatërrojë lëvizjen e një dere për një politikan me hapjen e së ardhmes për një popull.
Nuk ka nevojë që protesta e qytetarit të bëhet korridor kthimi për të vjetrën.
Ajo ka nevojë për qytetarin që nuk trembet nga pushteti, por as hipnotizohet nga rikthimi, qytetarin që e di se armiku i armikut të tij nuk bëhet automatikisht Republika e tij.
Nëse revolucioni përfundon si korridor kthimi për të vjetrën, atëherë sheshi nuk ka hapur të ardhmen.
Ka rihapur grackën.
Prandaj pyetja është më e rëndë se lajmi, a do ta përdorë Shqipëria këtë çast për të menduar, apo do të lejojë që çasti të përdoret për ta futur përsëri në të njëjtin rreth?
Non Grata mund të ketë qenë histori e një politikani.
Gracka nuk duhet të bëhet fati i një populli.
Qytetari që doli në shesh për të mos qenë më pronë e pushtetit, nuk duhet të kthehet nesër si pronë e rikthimit.
Arian Galdini
.png)



Comments