Kush është për të qeshur më shumë?
- Arian Galdini

- Aug 17
- 2 min read

Jam i qartë se Pëllumb Pilinçi është një personazh që e ka të shkruar në ballë fatin dhe të vërtetën e tij.
E shikon dhe e kupton që nuk është as për ta marrë seriozisht, as për të humbur kohë me të asnjë njeri.
Pyetja ime për të gjithë ata që sot po e kthejnë në sport kombëtar talljen me të, është kjo:
A jeni të sigurt se Pilinçi është maja e qesharakes?
A jeni të sigurt se ai përfaqëson më fundoren, më të marrën, për ta bërë humorin masiv të shoqërisë?
A jeni të bindur se ai është figura më groteske që ka Shqipëria sot?
Sepse unë po ju them një gjë:
Shikoni për një çast drejtuesit kryesorë të partive të mëdha në Shqipëri.
Shikoni kryetarët, udhëheqësit, ata që dalin çdo ditë në ekrane e flasin me tonin e “shtetarëve”.
Po t’i njohësh pa paketimet e kuratorëve të imazhit, pa buzëqeshjet e montuara nga kamerat, do shihni një tufë qesharakësh, bosh në mendje e në shpirt, të paaftë, të shastisur, e megjithatë të ulur në karriget e pushtetit.
Shikoni ministrat, deputetët, kryetarët e bashkive, drejtuesit e partive të vogla me egon e Napolonit dhe trurin bosh si tullumbace.
Shikoni pronarët e mediave, që e kanë marrë përsipër të edukojnë opinionin publik, ndërkohë që mezi lexojnë një fjali pa gabime dhe e kanë horizontin më të ngushtë se një filxhan kafeje fallxhoresh.
Shikoni pronarët e universiteteve private, që s’kanë parë as shkollë të vërtetë në jetën e tyre, dhe prapë shiten si “reformatorë të arsimit”.
Shikoni oligarkët dhe “sipërmarrësit e suksesshëm”, që i shohim në gala e në “business forums” me gravata të shtrenjta, kur në fakt janë dhjetë herë më injorantë dhe më qesharakë se Pilinçi.
Dhe atëherë më thoni: kush është për të qeshur më shumë?
Ai që bën teatër në rrugë, apo ata që na bëjnë teatër nga maja e pushtetit e parave?
Tallja masive me Pilinçin është një mënyrë e thjeshtë për të qeshur me “budallain e fshatit”, ndërkohë që harrojmë të qeshim me mbretin lakuriq.
E nëse do të kishim vërtet sy për të parë, do të shihnim se Pilinçi është thjesht pasqyra groteske e gjithë klasës që sot e drejton Shqipërinë.
Dhe ju që talleni me Pilincin, keni gjetur mënyrën të talleni me dikë që është i dobët se nuk jua mban të talleni me ata që u jepni votën e bëni shërbimet…
Thjesht shikoni listën e deputetëve të listave të hapura në zgjedhjet e 11 majit.
Më të votuarit nuk janë më të mirët, më të diturit e më të shkolluarit.
Më të votuarit me 10 mijë vota e sipër janë më kokëboshat, më kaqolat, më të panjohurit, sepse kështu ju orientoi partia dhe bandat…
Kaq
.png)











Comments