top of page

Kush ia uli çmimin guximit?



Nga Arian Galdini


Një shoqëri e frikësuar nuk bëhet papritur e patrembur pa ndryshuar çmimi i guximit.


Kjo nuk e bën plagën të rreme.


E bën pyetjen më serioze.


Zvërneci ka pyetje reale.


Toka, prona, mjedisi, dokumentet, dhuna private dhe përgjegjësia e shtetit nuk mbyllen me fjalime.


Qytetari që del për të kërkuar të drejtën e vet nuk meriton përbuzje.


Banori që sheh tokën e vetë të rrethuar para se të marrë përgjigje nuk është dekor i askujt.


Por pikërisht sepse plaga është reale, ajo nuk duhet t’i dorëzohet menjëherë tregut të guximit të lejuar.


Në një vend ku për vite njerëzit kanë matur një pëlqim, një koment, një fotografi, një përshëndetje publike, një fjali të thënë në kohën e gabuar me njeriun e gabuar, guximi masiv që shpërthen brenda pak ditësh nuk duhet shpallur menjëherë mrekulli morale.


Duhet parë si fenomen politik.


Kur guximi bëhet papritur i sigurt, dikush duhet të pyesë kush e bëri të sigurt.


Kur frika shpërndahet brenda një vale, dikush duhet të pyesë kush e hapi shtegun.


Kur njeriu që dje nuk merrte dot koston e një fjale të vetmuar sot merr koston e një thirrjeje publike, dikush duhet të pyesë, çfarë ndryshoi?


Ndoshta ndryshoi ndërgjegjja.


Ndoshta u mbush kupa.


Ndoshta njeriu i vonuar e gjeti më në fund zërin.


Këto mund të jenë të vërteta.


Por një Republikë e pjekur nuk jeton vetëm me ndoshta të bukura.


Ajo pyet edhe për mekanizmin.


Sepse guximi nuk del kurrë krejt pa çmim. Kur duket i lirë, duhet parë kush po e subvencionon.


Kjo është pyetja ime.


Jo pse protestohet.


Por kush e uli koston e protestës.


Kush e bëri guximin të përdorshëm nga shumë palë njëkohësisht?


Kush e ktheu plagën në hapësirë ku shumë botë të ndryshme mund të hyjnë njëkohësisht dhe secila të kërkojë pjesën e vet në valë?


Një protestë mund ta godasë pushtetin.


Por një protestë e paqartë mund edhe t’i japë pushtetit argumentin që i mungonte: shikoni, pa mua vjen kaosi.


Jo çdo forcë kundër pushtetit e dobëson pushtetin. Kur kundërshtimi nuk ka burim të qartë, mandat të qartë, kufi të qartë dhe përgjegjësi të qartë, ai nuk është vetëm i dobët, është i përdorshëm.


Mund t’i japë së keqes fytyrën e stabilitetit.


Këtë e kupton mirë çdo pushtet i gjatë.


Ai nuk trembet vetëm nga numrat.


Trembet nga një organizëm i kthjellët.


Nga njerëz që e dinë pse dolën, çfarë kërkojnë, kë përfaqësojnë dhe ku ndalen.


Një valë mund ta plagosë.


Një organizëm mund ta rrezikojë.


Dhe këtu lind pyetja tjetër, a po rritet një organizëm, apo vetëm një treg i ri i zemërimit?


Sepse edhe politika e vjetër e pret këtë çast, jo për ta çliruar qytetarin, por për ta trashëguar zemërimin e tij.


Ajo hyn si dëshmitare e pafajshme, sikur nuk ka qenë bashkëautore e tokës së mjegullt, shtetit të kapur, pronës së deformuar, opozitës së lodhur dhe qytetarit të lënë gjithmonë në fund.


Një protestë që nuk pyet kush do ta trashëgojë, mund të zgjohet nesër me trashëgimtarët më të vjetër të plagës së vetë.


Prandaj nuk më mjafton të di kush është kundër Ramës.


Dua të di kush po synon e luan e përgatitet të vijë pas Ramës mbi shpinën e zemërimit qytetar.


Dua të di nëse kjo valë do t’i japë Shqipërisë më shumë Republikë, apo vetëm një rrugë të re për t’u futur në pushtet me maskë të re.


Guximi i vërtetë nuk matet vetëm ditën kur është bërë i lehtë.


Matet kur çmimi kthehet.


Kur kamerat largohen.


Kur fjala prapë kushton.


Kur miku prapë hesht.


Kur pëlqimi i thjeshtë prapë bëhet provë karakteri.


Atëherë kuptohet kush kishte guxim dhe kush kishte vetëm hyrje të lirë në një çast të lejuar.


Në fund, pyetja mbetet e ftohtë.


Kush ia uli çmimin guximit?


Kush e subvencionoi?


Dhe, kur të mbarojë oferta, kujt do t’i shkojë fatura?


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page