top of page

Lamtumirë David Gergen


Me trishtim lexova lajmin për ndarjen nga jeta të David Gergen, një njeri i urtësisë së rrallë, një udhërrëfyes i qetësisë në stuhitë politike, dhe një zë i kthjellët mendonjëse në kohë paqartësie.


Kam patur nderin dhe fatin e jashtëzakonshëm ta kem lektor në klasën ku unë kam studiuar, në programin Senior Managers in Government në Kennedy School of Government, Harvard, në vitin 2008.

Ishte një përvojë që nuk harrohet.

Me një thjeshtësi që vetëm të mëdhenjtë e kanë, David Gergen dinte të të ndalte në mendim, të të ngjallte dyshime të shëndetshme, e të të udhëzonte pa imponim.

Fjala e tij ishte gjithnjë e peshuar, e kthjellët, e thellë.


Nuk ishte thjesht lektor.

Ishte një ndërgjegje që ftonte për përulësi, reflektim dhe përgjegjësi.

Na fliste për pushtetin jo si privilegj, por si barrë dhe shërbim.

Na mësonte se të jesh këshilltar i një Presidenti nuk është kurorë lavdie, por sprovë e karakterit dhe një përballje e përditshme me vetveten.


Nga ai program mbaj mend jo vetëm ligjëratat e tij, por edhe mënyrën si dëgjonte.

Dëgjonte me kujdes, vështronte me një qetësi që të ftonte të jepje më të mirën tënde, dhe pastaj fliste me një ton të ngadaltë por me përmbajtje që mbetej gjatë brenda teje.


David Gergen ishte një nga ata njerëz të rrallë që e lartësojnë jo vetëm politikën, por edhe shpirtin e njeriut që i afrohet.

Ai i ka shërbyer Amerikës përmes katër presidentëve nga të dy partitë, por mbi të gjitha i ka shërbyer qytetarisë, të vërtetës, dhe vlerave që mbijetojnë përtej çdo partie.


Lamtumirë, Profesor Gergen. Ju faleminderit për gjithçka.

U prehshi në paqe.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page