top of page

Letër e Hapur drejtuar 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Avokatit të Popullit dhe Opozitës Shqiptare

ree


Diella, akti i kolonizimit nga kodi dhe algokracia


Nga Arian Galdini


Autor i librit Neoshqiptarizmi


Të nderuar përfaqësues të zgjedhur, mbrojtës të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve,


Sot, në zemër të Parlamentit të Shqipërisë, ndodhi një akt që nuk është i zakonshëm.


Në foltore nuk hyri ministër, as përfaqësues i zgjedhur nga populli dhe i betuar me ndërgjegje para tij.


Në foltore hyri një avatar i quajtur “Diella”, një zë pa trup, një figurë prej dritash artificiale, i paraqitur si ministre e qeverisë.


Ky çast nuk është kuriozitet teknik dhe as performancë folklorike teknologjike.


Ai është shkelje e kufirit të pakalueshëm të Kushtetutës.

Është kolonizim i sovranitetit nga kodi, përpjekje për ta zëvendësuar llogaridhënien njerëzore me simulim elektronik.


Është fillimi i asaj që filozofia politike e quan algokraci, sundim i algoritmeve, një rend i rrezikshëm ku qytetari nuk është më sovran, por përdorues, ku përfaqësimi nuk është më marrëdhënie e gjallë, por një pasqyrë e ftohtë digjitale.


Ky akt është moment kufitar për republikën shqiptare.


I. Kushtetuta si kufi i pakalueshëm


Kushtetuta është themel, jo manual teknik.

Ajo nuk është kod që ndryshohet me një “update”, por kontrata e shenjtë e popullit me shtetin.

Çdo nen i saj është kufi dhe garanci.


Ta tejkalosh është ta çosh republikën përtej bregut të saj dhe ta fundosësh në ujëra të rrezikshme.


• Neni 95 thotë: “Këshilli i Ministrave përbëhet nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat.”

Fjala ministër nënkupton njeri, shtetas shqiptar, me emër dhe mbiemër, me jetë e histori, me ndërgjegje dhe betim.

Ky është kuptimi i qartë juridik, pa ekuivok. Një avatar nuk është ministër.

Një algoritëm nuk është ministër.

Prandaj, Diella është jashtë Kushtetutës.


• Neni 103 shpall: “Këshilli i Ministrave është përgjegjës para Kuvendit.” Përgjegjësia është individuale.

Por si mund të mbajë përgjegjësi një algoritëm?

Si mund të thirret në interpelancë një avatar?

Si mund të japë dorëheqje një server? Përgjegjësia është akt njerëzor, jo matematik.

Vetëm njeriu ndjen turp, vetëm njeriu mban barrë, vetëm njeriu përballet me gjykimin.


• Neni 2: “Sovraniteti i përket popullit.” Sovraniteti nuk është një rresht kodi, nuk është një statistikë, nuk është input dhe output.

Sovraniteti është vullnet i gjallë, mish e gjak, akt i qytetarëve që zgjedhin përfaqësues, i thërrasin, i rrëzojnë, i mbajnë përgjegjës.

T’i dorëzosh sovranitetin një algoritmi do të thotë t’ia mohosh popullit pushtetin e tij themelor.


II. Llogaridhënia si zemër e republikës


Republika nuk është aparat që prodhon vendime, ajo është organizëm që rreh me zemrën e llogaridhënies.

Interpelanca është rit i saj: pyetje, përgjigje, përgjegjësi.

Ky rit nuk është formalitet, është vetë puls i demokracisë.


Ministri është i thirrshëm, i pyetshëm, i rrëzueshëm.

Ai ndien turp, bart nder, jep dorëheqje. Algoritmi nuk turpërohet, nuk jep dorëheqje, nuk gjykohet.

Në vend të ndërgjegjes ka parametra, në vend të betimit ka logje, në vend të përgjegjësisë ka output.


Pa llogaridhënie, shteti nuk është më republikë, por pajisje.

Dhe një pajisje nuk qeveris, ajo administron të dhëna, por nuk mban përgjegjësi.


III. Sovraniteti kërkon fytyra


Sovraniteti është marrëdhënie mes qytetarit dhe përfaqësuesit.

Qytetari njeh emrin, historinë, dështimin dhe suksesin e përfaqësuesit të tij.

Ai kërkon llogari dhe e rrëzon kur ai dështon. Ky është akti i gjallë i sovranitetit.


Një avatar nuk ka fytyrë. Një algoritëm nuk ka histori, nuk ka nder, nuk ka turp.

Një qeveri me avatar është një qeveri pa trup.

Një parlament me avatarë është një teatër me pasqyra, ku qytetarët shohin vetëm reflektimin e vet, por jo përfaqësues real.


Pa fytyra, sovraniteti zhduket.

Pa përfaqësim të gjallë, republika shuhet.


IV. Aksiomat e Republikës së Vërtetë


1. Kushtetuta flet me njeri, jo me algoritëm.

2. Sovraniteti jeton me njeriun, jo me kodin.

3. Liria matet me përgjegjësi njerëzore.

4. Kur kodi ngrihet mbi betimin, shteti bie nga ligji në algoritëm.

5. Kur sovraniteti kalon nga njeriu te algoritmi, demokracia shuhet.

6. Një komb nuk qeveriset me kod. Një komb qeveriset me përgjegjësi.


Këto nuk janë metafora. Janë ligje aksiomatike, të pakthyeshme, të prera si teh i kushtetutës.


V. Thirrje për veprim të menjëhershëm


Të nderuar deputetë, të nderuar përfaqësues të Avokatit të Popullit,


Ky nuk është moment për retorikë politike, as për heshtje taktike.

Ky është moment kufitar.

Çdo ditë që kalon pa reagim është një ditë ku sovraniteti i popullit kolonizohet nga kodi.


Prandaj, kërkojmë:


• Opozita shqiptare të depozitojë menjëherë kërkesën në Gjykatën Kushtetuese, për të mbrojtur Kushtetutën nga shkelja flagrante.


• Avokati i Popullit të ushtrojë mandatin e tij për mbrojtjen e të drejtave themelore dhe për të parandaluar shndërrimin e republikës në një farsë teknologjike.


Ky gjykim nuk është thjesht për një dekret apo një nismë qeveritare.

Ky gjykim është për të ardhmen e republikës.

Vendimi nuk duhet të jetë vetëm shfuqizim i një eksperimenti, por rikthim i kufirit: njeriu mbi teknologjinë, betimi mbi kodin, përgjegjësia mbi optimizimin.


VI. Dy fjali që hapin dy botë


• Qeveris njeriu me ligj.

• Apo administrohet njeriu nga kodi.


E para është fjalia e lirisë, që ruan dinjitetin njerëzor dhe sovranitetin popullor.


E dyta është epitafi i demokracisë, që e shndërron qytetarin në përdorues dhe përdoruesin në numër.


Të nderuar deputetë,


Historia sot ju ka thirrur.

Ky është momenti kur fjalët e Kushtetutës testohen me veprimin tuaj.

Nuk mund të heshtni.

Nuk mund të pranoni që Kushtetuta të bëhet hi.


Ju takon juve të thoni me zë të fortë:


Kushtetuta është kufi. Ky kufi nuk kalohet.


Nëse e lini këtë çast të rrëshqasë, Shqipëria do të bëhet laboratori i algokracisë.


Nëse ngriheni dhe e çoni këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, do të mbeteni mbrojtësit e fundit të republikës.


Zgjedhja është mes lirisë dhe hirit.

Mes njeriut dhe kodit.

Mes demokracisë dhe farsës.


Ju bëj thirrje të zgjidhni njeriun.

Ju bëj thirrje të zgjidhni lirinë.

Ju bëj thirrje të mbroni Kushtetutën.


Me respekt dhe përgjegjësi,


Arian Galdini


Autor i librit Neoshqiptarizmi

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page