Mandati para Strukturës!
- Arian Galdini

- Jun 28
- 8 min read

Pse Mikrofoni nuk është Sovrani?
Nga Arian Galdini
Çdo revoltë lind kundër një pushteti.
Por sprova e saj e vërtetë fillon kur ajo duhet të mos bëhet vetë pushtet mbi qytetarin që e lindi.
Kjo është drama e përhershme e lirisë politike, njeriu ngrihet për të mos qenë më objekt i pushtetit, por mund të kthehet sërish në objekt të atyre që pretendojnë ta përfaqësojnë.
Liria politike vdes sa herë që njeriu përdoret si burim legjitimiteti pa u bërë autor i mandatit.
Pushteti i vjetër e sulmon revoltën nga jashtë.
Pronari i ri e merr nga brenda.
I pari përdor frikën.
I dyti përdor përfaqësimin.
Të dy e rrezikojnë qytetarin.
Prandaj revolta nuk rrezikohet vetëm nga shtypja. Rrezikohet edhe nga përfaqësimi i parakohshëm.
Rreziku i parë i revoltës është dhuna e pushtetit.
Rreziku i dytë është trashëgimtari i saj i vetëshpallur.
Çdo aparat i ri nis me një fjali të vjetër: “ne e dimë çfarë do populli”.
Aty fillon rënia.
Jo kur protesta humb zërin.
Por kur zëri i dikujt shpallet protestë.
Jo kur sheshi zbrazet.
Por kur sheshi merret hua si emër.
Jo kur qytetari largohet.
Por kur qytetari mbetet aty dhe përsëri nuk pyetet.
Qytetari nuk bëhet sovran kur mbush sheshin.
Bëhet sovran kur pyetet se çfarë duhet të lindë prej tij.
Një turmë mund të jetë e madhe dhe prapë të jetë e papërfaqësuar.
Mund të brohorasë dhe prapë të mos ketë vendosur.
Mund të marshojë dhe prapë të mos ketë mandatuar.
Mund të ketë të drejtë kundër pushtetit dhe prapë të jetë e pambrojtur nga ata që duan të flasin në emër të saj.
Mobilizimi krijon prani.
Organizimi krijon formë.
Vetëm mandati krijon legjitimitet.
Prania nuk është prokurë.
Forma nuk është sovranitet.
Zelli nuk është mandat.
Aktivizmi nuk është përfaqësim.
Struktura nuk është e drejtë vetëm sepse lind në anën e protestës.
Struktura pas mandatit është rend.
Struktura para mandatit është aparat.
Kjo është aksioma e parë republikane.
Më parë qytetari.
Pastaj Kuvendi.
Më parë vota.
Pastaj përfaqësuesi.
Më parë prokura.
Pastaj mikrofoni.
Më parë mandati.
Pastaj struktura.
Çdo përmbysje e këtij rendi është rrezik.
Sepse revolta është e madhe kur thotë “jo”.
Por bëhet republikë vetëm kur mëson të thotë “po” me procedurë.
“Jo”-ja rrëzon.
“Po”-ja mandaton.
“Jo”-ja hap sheshin.
“Po”-ja ndërton rendin.
Pa këtë “po” të qytetarit, zemërimi mbetet trup.
Me këtë “po”, qytetari bëhet themel.
Populli bëhet autor vetëm kur mandaton, para kësaj, është emër që mund të përdoret nga kushdo.
Prandaj protesta është energji.
Agora është vetëdije.
Mandati është formë.
Struktura është vetëm mjet.
Kur mjeti vjen para vetëdijes, aparati ka nisur.
Mikrofoni nuk është Sovrani.
Mikrofoni mobilizon, por nuk mandaton.
Foltorja ndez, por nuk legjitimon.
Zëri më i lartë mund të thërrasë turmën, por nuk bëhet vetvetiu vullneti i saj.
Mund të jetë më i guximshëm, më i shpejtë, më i stërvitur, më i lidhur, më i gatshëm të dalë përpara.
Por as guximi, as shpejtësia, as zhurma, as prania nuk janë prokurë.
Turma është prani.
Mandati është prokurë.
Dhe prokura nuk shpallet.
Jepet.
Agora nuk është zbukurim antik.
Nuk është pushim i revoltës.
Nuk është fjalë e bukur për ta shtyrë vendimin.
Agora është kundërhelmi njerëzor ndaj pronësimit të sheshit.
Në turmë njeriu bërtet.
Në kuvendim flet.
Në turmë bëhet numër.
Në kuvendim bëhet fytyrë.
Në turmë humbet pas zërit të përgjithshëm.
Në kuvendim e mban fjalën me emrin e vet.
Dymbëdhjetëshja nuk është teknikë.
Është qelizë morale.
Ajo e nxjerr qytetarin nga mjegulla e masës dhe e vendos përballë qytetarit tjetër.
Aty njeriu nuk fshihet lehtë.
Nuk bëhet vetëm brohorimë.
Duhet të dëgjojë.
Duhet të flasë.
Duhet të kundërshtojë.
Duhet të votojë.
Duhet ta shohë në sy atë që e mandaton dhe atë që nuk bie dakord me të.
Kjo është qeliza fillestare e sovranitetit.
Jo podiumi.
Jo lista.
Jo sekretariati.
Jo grupi që e di para qytetarit se çfarë duhet të dojë qytetari.
Një Kuvend që lind nga Kuvendimi mund të kërkojë mandat.
Një Kuvend që lind para Kuvendimit kërkon pronësi.
Një përfaqësues që del nga qytetari është mandatar.
Një përfaqësues që del para qytetarit është pretendues.
Çdo Kuvend që lind para Kuvendimit është i dyshimtë.
Jo sepse çdo Kuvend është i keq.
Por sepse Kuvendi pa Kuvendim është dhomë që flet mbi sheshin.
Jo sepse organizimi është armik.
Por sepse organizimi pa mandat mund të bëhet armiku më i rrezikshëm i lirisë që pretendon të ruajë.
Kjo nuk është çështje shqiptare.
Është ligj i çdo revolte.
Në çdo vend ku qytetarët dalin në shesh, në çdo shoqëri ku zemërimi bëhet trup publik, në çdo çast kur pushteti i vjetër lëkundet, lind e njëjta pyetje, a do të prodhojë revolta mandat, apo do të prodhojë pronarë?
Një revoltë që nuk e kthen qytetarin nga turmë në mandatar, herët a vonë do ta kthejë qytetarin nga sovran në material.
Ky është ligji i hidhur.
Në fillim protesta lind si thirrje.
Pastaj bëhet masë.
Pastaj bëhet fuqi.
Pastaj bëhet aset.
Dhe në çastin kur bëhet aset, dikush kërkon ta përfaqësojë përpara se ajo ta ketë mandatuar.
Prandaj shoqëritë nuk duhet të kenë frikë vetëm nga policia që shtyp protestën.
Duhet të kenë frikë edhe nga aparati që flet në emër të protestës pa prokurën e saj.
Edhe te ne, kjo sëmundje ka filluar të kërkojë formë.
Flitet për Kuvende, Këshilla, Sekretariate, rregullore, anëtarësi, kritere morale, ruajtje të vullnetit popullor, përfaqësim të sheshit, madje edhe emra për qeveri teknike.
Këto nuk janë më thjesht çështje organizimi.
Janë çështje burimi legjitimiteti.
Kush e mandatoi?
Ku u votua?
Si u numërua?
Ku është qytetari që tha po?
Ku është qytetari që tha jo?
Ku është prokura?
Populli nuk jep pëlqim me metaforë.
Jep pëlqim me procedurë.
Populli nuk delegon me brohorimë.
Delegon me votë.
Nuk mandaton me entuziazëm të përgjithshëm.
Mandaton me prokurë të qartë, të dokumentuar, të kundërshtueshme dhe të kontrollueshme.
Pa këtë, fjala “popull” bëhet mantel.
Dhe manteli i popullit është veshja më e rrezikshme në politikë, mund të mbulojë lirinë, por mund të mbulojë edhe uzurpimin.
Edhe fjala “më të mirët” duhet të na bëjë të kujdesshëm.
Në çdo krizë del dikush që kërkon “më të mirët e popullit”.
Tingëllon fisnike.
Tingëllon shpëtuese.
Tingëllon si përgjigje ndaj mediokritetit.
Por Republika nuk ndërtohet mbi shpalljen e “më të mirëve”.
Ndërtohet mbi mandatin e të lirëve.
Kush i zgjodhi më të mirët?
Kush i mati?
Kush i certifikoi?
Kush i ruan nga vetja?
Kush i shkarkon?
Kush e mbron qytetarin nga kasta e re e atyre që u shpallën më të mirë para se qytetari të vendoste kush duhej ta përfaqësonte?
Në Republikë, qytetari i zakonshëm me mandat është më i lartë se “më i miri” pa mandat.
Kjo është aksiomë.
Demokracia nuk nis nga madhështia morale e atij që vetëofrohet të përfaqësojë.
Nis nga prokura e atij që do të përfaqësohet.
Edhe më i rëndë bëhet rreziku kur një strukturë që del nga protesta pretendon të propozojë emra për qeveri teknike apo për pushtetin e ditës-pas.
Aty mbaron thjesht aktivizmi.
Aty nis pushteti.
Dhe çdo pushtet i ditës-pas duhet të pyetet, kush të dërgoi?
Nëse përgjigjja është “populli”, trego procedurën.
Nëse përgjigjja është “protesta”, trego votën.
Nëse përgjigjja është “ne jemi më aktivët”, atëherë nuk jemi më në Republikë.
Jemi te zëvendësimi i qytetarit me administratorin e zemërimit të tij.
Ai që cakton qeveri pa mandat të provuar nuk po ruan protestën.
Po kërkon tavolinën e ditës-pas.
Nuk mjafton të thuash: “nuk konkurrojmë institucionet”.
Një strukturë nuk gjykohet nga ajo që thotë se nuk është.
Gjykohet nga funksionet që merr.
Nëse thërret popullin, krijon ekzekutiv, emëron sekretariat, disiplinon votë, cakton emra për qeveri, flet si miniaturë e popullit dhe e quan veten rojtar të vullnetit të tij, atëherë nuk është thjesht shoqërore.
Është pretendim politik.
Dhe pretendimi politik kërkon burim.
Burimi nuk mund të jetë vetë pretendimi.
Sistemi i vjetër nuk është vetëm kush sundon.
Është mënyra si merret qytetari pa u pyetur.
Është zakoni që qytetari të thirret pas vendimit, jo para tij.
Është skema ku populli duartrokitet si sovran pasi vendimi është marrë në emër të tij.
Është metoda që e kthen qytetarin në sfond, turmën në vulë, brohorimën në mandat, praninë në pronë.
Nëse protesta e lufton sistemin e vjetër me metodën e sistemit të vjetër, nuk e rrëzon.
E trashëgon.
Mund të ndryshojë emrat.
Mund të ndryshojë gjuhën.
Mund të ndryshojë flamujt.
Mund të ndryshojë fytyrat.
Por nëse qytetari merret prapë pa u pyetur, aparati është kthyer.
Vetëm ka ndërruar fytyrë.
Dallimi i vërtetë nuk është midis atyre që duan organizim dhe atyre që nuk duan organizim.
Ky është dallim i rremë.
Dallimi i vërtetë është midis atyre që duan strukturë pas mandatit dhe atyre që pranojnë strukturë para mandatit.
Midis atyre që duan qytetarin si burim dhe atyre që e përdorin qytetarin si emër.
Midis atyre që duan Agorën dhe atyre që ndërtojnë Aparatin.
Agora nis nga pyetja.
Aparati nis nga përgjigjja.
Agora e bën qytetarin burim.
Aparati e bën qytetarin material.
Agora pranon kundërshtinë.
Aparati kërkon disiplinimin.
Agora lind nga poshtë.
Aparati zbret nga lart.
Prandaj nuk u vodh fjala “Kuvend”.
U vodh qytetari prej Kuvendimit.
Nëse dikush merr emrin “Kuvend”, por heq qytetarin që e mandaton, nuk ka marrë idenë.
Ka marrë lëkurën dhe ka braktisur shpirtin.
Ideja nuk ishte të krijohej një trup që flet mbi protestën.
Ideja ishte që protesta të fliste përpara çdo trupi.
Ideja nuk ishte të ndërtohej një hierarki e re në emër të sheshit.
Ideja ishte që sheshi të mos mbetej pa prokurë ndaj çdo hierarkie.
Ideja nuk ishte të zëvendësohej mikrofoni i njërit me sekretariatin e tjetrit.
Ideja ishte që qytetari të mos zëvendësohej fare.
Kjo është arsyeja pse them, Mandati para Strukturës.
Mandati është çasti kur populli pushon së qeni emër dhe bëhet autor.
Protesta nuk shpëtohet duke i dhënë pronar.
Shpëtohet duke i dhënë procedurë.
Mandati është higjiena morale e përfaqësimit.
Pa të, edhe fjala “popull” mund të bëhet maskë.
Pa të, edhe Kuvendi mund të bëhet dhomë që flet mbi sheshin.
Pa të, edhe “më të mirët” mund të bëhen kasta e re.
Pa të, edhe revolta mund të kthehet në administrim të zemërimit nga ata që u treguan më të shpejtë për t’i vënë emër.
Prandaj çdo strukturë që kërkon të dalë nga protesta duhet t’i nënshtrohet rendit më të thjeshtë:
Të pyetet qytetari.
Të shkruhet vendimi.
Të numërohet vota.
Të pranohet kundërshtia.
Të publikohet mandati.
Të kufizohet përfaqësuesi.
Të kontrollohet negociatori.
Të kthehet fjala te sheshi sa herë që dikush kërkon ta përdorë sheshin si prokurë të përgjithshme.
Kjo nuk e dobëson protestën.
Kjo e armatos me legjitimitet.
Protesta pa mandat mund të jetë e fortë për një javë.
Protesta me mandat mund të bëhet themel.
Protesta pa procedurë mund të bëjë zhurmë.
Protesta me procedurë mund të prodhojë rend.
Protesta pa qytetarin e pyetur mund të bëhet pronë.
Protesta me qytetarin e pyetur mund të bëhet Republikë.
Shqipëria nuk ka vuajtur vetëm nga njerëzit që e kanë sunduar.
Ka vuajtur edhe nga forma si i është marrë qytetari.
Shpesh i është kërkuar të dalë, të mbushë, të brohorasë, të ratifikojë, të vuajë pasojën.
Rrallë i është dhënë mekanizmi për të mandatuar.
Kjo plagë është më e vjetër se një qeveri.
Është më e thellë se një protestë.
Prandaj, nëse ky shesh kërkon vërtet të jetë fillim i ri, nuk mjafton të jetë kundër pushtetit të vjetër.
Duhet të jetë kundër mënyrës së vjetër të marrjes së qytetarit.
Nuk mjafton të jetë kundër emrave.
Duhet të jetë kundër metodës.
Nuk mjafton të rrëzojë një qeveri.
Duhet të mos lindë një aparat tjetër mbi plagën që e solli në shesh.
Kush e do protestën, le ta pyesë qytetarin.
Kush kërkon mandat, le ta marrë nga qytetari.
Kush kërkon të negociojë, le të tregojë kush e dërgoi.
Kush kërkon parti, le të presë votën e sheshit.
Kush kërkon Kuvend, le të nisë nga Kuvendimi.
Kush kërkon strukturë, le ta pranojë se struktura pa mandat nuk është përfaqësim.
Është pronësim.
Dhe kush ka frikë nga qytetari i pyetur, nuk ka frikë nga kaosi.
Ka frikë nga Sovrani.
Mikrofoni nuk është Sovrani.
As grupi nismëtar.
As foltorja.
As Kuvendi i vetëshpallur.
As “më të mirët” pa mandat.
Sovrani është qytetari që pyetet, voton, mandaton dhe kontrollon.
Çdo revoltë që nuk e pyet qytetarin, herët a vonë do të flasë kundër tij në emër të tij.
Çdo shesh që nuk prodhon mandat, prodhon pronar.
Prandaj rendi mbetet i vetëm:
Mandati para Strukturës.
Sepse struktura pa mandat nuk është rend.
Është aparati që kthehet me emrin e lirisë.
Dhe edhe revolta më e drejtë, po nuk e bën qytetarin autor, lind aparatin që betohej se do ta varroste.
Arian Galdini
.png)


Comments