top of page

Matrapazët e Zemëratës!


Nga Arian Galdini


(Për qytetarin që nuk duhet të merret më hua.)


Ata që shahen çdo ditë dhe prapë mbeten në të njëjtën skenë nuk i mban besimi.


I mban pamundësia për ta zotëruar vetëm zemërimin e qytetarit.


Ky është sekreti.


Njëri ka mikrofonin, tjetri ekranin, tjetri rrjetin, tjetri partinë e vjetër, tjetri fytyrën e re, tjetri diasporën, tjetri fjalorin, tjetri moralin, tjetri turmën e komenteve, tjetri ëndrrën e njohjes së huaj.

Secili ka një copë.

Askush nuk ka trupin e plotë.


Prandaj nuk ndahen.


Po të mbeteshin vetëm, shumë prej tyre do të ktheheshin menjëherë në përmasën e tyre reale, zëra pa trup, parti pa besim, folës pa mandat, ideologë pa barrë, fytyra të reja me metoda të vjetra.


Bashkimi i tyre nuk është virtyt.


Është frikë nga zbrazëtia.


Kjo nuk është lëvizje.


Është bashkëpronësi e përkohshme mbi një plagë që nuk u takon.


Pushteti e di këtë. Pret.


Nuk ka nevojë ta shtypë çdo natë një trup që lodhet, përsëritet, grindet dhe kërkon vazhdimisht një simbol të ri për të mos pranuar dobësinë e vetë.


Kur i duhet, e quan rrëmujë.


Kur i duhet, rrezik për rendin.


Kur i duhet, e vendos përballë ekranit të madh të shtetit që punon, turizmit, eventeve, imazhit, qetësisë së rreme.


Pushteti fiton kohë kur zemërimi qytetar duket si treg mikrofoni.


Por pamja mund të menaxhohet. Plaga jo.


Sepse plaga që e lindi zemërimin është më e thellë se nata e protestës, shteti që sillet si pronar, prona publike që trajtohet si plaçkë, qytetari që njihet vetëm kur duhet numëruar, bindur, heshtur ose përdorur.


Opozita e vjetër fiton ndryshe.


Asaj nuk i duhet pronësia e plotë.


I mjafton zjarri.


Sa herë zemërimi kthehet kundër pushtetit, ajo merr oksigjen.


Edhe kur shahet, prapë ngrohet nga temperatura.


Ajo do një qytetar mjaft të zemëruar kundër pushtetit, por jo aq të kthjellët sa të refuzojë gjithë regjimin e pronarëve.


Fytyrat e reja presin trashëgiminë.


Duan trup pa u dukur pronare.


Duan moral pa u matur me barrë.


Duan zemërimin si kapital fillestar.


Hyjnë si rrjet, si strukturë, si diasporë, si koment, si “qytetar i pavarur”, si shpresë e paprovuar.


E reja që kërkon ta trashëgojë zemërimin me metoda të vjetra nuk është e re.


Është e vjetra para se t’i dalin rrudhat.


Mikrofonarët kërkojnë prokurën.


Nuk presin votë, u mjafton skena.


Vendosin kush flet, kush hesht, kush shpallet i pastër, kush përkthehet si armik.


Në fillim mikrofoni duket si zë.


Pastaj bëhet filtër.


Pastaj bëhet pushtet i vogël.


Pastaj kërkon të flasë në emër të popullit.


Ideologët (apo si i quaj unë tashmë, Skuthologët e Kuptimit) kërkojnë dritën.


Nuk e komandojnë trupin, e bekojnë.


Nuk marrin barrë për kaosin, i japin kuptim.


Nuk hapin procedurë, shkruajnë për legjitimitet.


Nuk ndalin sharlatanët, shpjegojnë epokën.


Nuk janë pranë njeriut që vuan.


Janë pranë dritës që del nga vuajtja e tij.


Çdo kohë ka pasur tregtarë të zemërimit, disa blejnë frikën, disa shesin shpresën, disa trashëgojnë plagën, disa i vendosin mikrofon qytetarit dhe e quajnë këtë liri.


Kështu qytetari përdoret disa herë.


Pushteti e bën klient.


Opozita e vjetër e bën oksigjen.


Fytyra e re e bën kapital.


Mikrofoni e bën turmë.


Ideologu e bën metaforë.


Media e bën pamje.


Rrjeti e bën armë.


Të gjithë flasin për të me aq dashuri, sa ai zhduket.


Ky është matrapazllëku i zemëratës, të mos e shërosh plagën, por ta qarkullosh, të mos e çlirosh qytetarin, por ta përkthesh, të mos e pyesësh, por ta përfaqësosh, të mos i japësh shtet, por t’i japësh skenë.


Qytetari duhet të ruhet jo vetëm nga pushteti që e shtyp.


Duhet të ruhet edhe nga ata që e lavdërojnë për ta marrë hua.


Liria nuk është të ndërrosh zinxhir.


Demokracia nuk është të dalësh nga klientela e pushtetit për të hyrë në klientelën morale të protestës.


Dinjiteti nuk është të bëhesh simbol i bukur në gojën e dikujt tjetër.


Qytetari nuk çlirohet kur një pronar i ri flet më bukur se pronari i vjetër.


Çlirohet kur askush nuk guxon më ta marrë hua.


Kjo nuk është kundër protestuesit të ndershëm.


Është në mbrojtje të tij.


Protestuesi i ndershëm nuk është dekor i qeverisë, oksigjen i opozitës, kapital i partive të reja, trup i mikrofonarëve, ushqim moral i ideologëve, apo material i mediave.


Ai është qytetar.


Dhe qytetari, nëse nuk është sovran mbi fjalën, plagën, trupin, votën dhe mandatin e vet, nuk është qytetar. Është mall politik.


Kur qytetari nuk zotëron më as plagën e vetë, Republika nuk bie menjëherë me zhurmë.


Fillon të shitet pjesë-pjesë në heshtje.


Republika nuk fillon kur një pronar humb dhe një tjetër fiton.


Fillon kur qytetari pushon së qenuri plaçkë.


Jo kur ndërron foltorja.

Jo kur ndërron flamuri.

Jo kur ndërron fytyra e pronarit.

Jo kur një zë i ri trashëgon plagën e vjetër.


Republika fillon kur njeriu mund të thotë, kjo është fjala ime, kjo është plaga ime, ky është votimi im, ky është mandati im, kjo është liria ime, dhe askush nuk flet në emrin tim pa mua.


Shqipëria nuk shpëton duke ia marrë qytetarin një pronari për t’ia dorëzuar një tjetri.


Shqipëria shpëton kur qytetari nuk bëhet më pronë.


Kush kërkon pushtet mbi qytetarin, nuk kërkon Republikë.


Kush kërkon mikrofon mbi qytetarin, nuk kërkon zë.


Kush kërkon të duket i mirë me plagën e qytetarit, nuk kërkon shërim.


Sepse qytetari nuk është dekor i Republikës.


Qytetari është arsyeja pse Republika ekziston.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page