Skuthologët e Kuptimit!
- Arian Galdini

- 8 minutes ago
- 2 min read

Nga Arian Galdini
(Për dëshmitarët e rremë që jetojnë nga drita e plagës publike..)
Qytetari mund të përdoret edhe duke u lavdëruar.
Mund ta quash popull, ndërgjegje, zgjim, trup historik, provë se shoqëria ende merr frymë.
Mund ta ngresh aq lart në fjali, sa njeriu konkret të zhduket poshtë tyre, ai që lodhet, rrezikon, shtyhet, numërohet, keqpërfaqësohet, përdoret dhe pastaj përkthehet nga të tjerët.
Ka njerëz që nuk e duan drejtësinë aq shumë sa duan të duken në anën e saj.
Çdo kohë ka pasur dëshmitarët e rremë të plagës.
Ata nuk vijnë gjithmonë me gënjeshtër.
Kjo do të ishte shumë e trashë për ta.
Ata shpesh thonë të vërtetën e plagës, por e thonë në mënyrë që drita të bjerë mbi ta.
Këtu lind skuthologu i kuptimit.
Ai nuk e mohon njeriun që vuan.
E përdor. Nuk ia fshin plagën.
I afrohet. Nuk e mban. Ndriçohet prej saj.
Ata nuk janë pranë njeriut që vuan.
Janë pranë dobisë morale që del nga vuajtja e tij.
Nuk e mbajnë plagën.
E vendosin veten në dritën e saj.
Çdo plagë publike krijon dy turma, ata që e mbajnë dhe ata që e shpjegojnë.
Të dytët zakonisht flasin më bukur.
Sa fatlumë janë këta njerëz, qytetari lodhet, ata thellohen.
Qytetari rrezikon, ata qartësohen.
Sheshi çoroditet, ata shpallin mendim.
Zëri kapet, ata flasin për lirinë e zërit.
E drejta merret pa pyetje, ata shkruajnë për legjitimitetin.
Populli përdoret, ata zbulojnë shpirtin e epokës.
Kanë shpikur formën më ekonomike të heroizmit, të bëjnë detyrën pa bërë asgjë që kushton.
Ata janë gjithmonë në anën e popullit, sidomos kur nuk duhet të përgjigjen për asgjë që i ndodh popullit.
Nuk e braktisin plagën, do të ishte humbje imazhi.
Nuk e shërojnë plagën, e ruajnë si burim ndriçimi.
Një plagë e mbyllur nuk ndriçon më askënd.
Prandaj u duhet qytetari i lënduar, por jo qytetari sovran.
U duhet populli i ngritur në metaforë, por jo populli që pyet kush flet në emër të tij.
U duhet plaga si provë, jo njeriu si gjykatës.
Ata nuk dëshmojnë për qytetarin.
E bëjnë qytetarin dëshmi të vetes.
Ky nuk është mendim kritik.
Është parazitizëm moral me fjalor të lartë.
Pushteti e përdor qytetarin duke ia marrë lirinë.
Mikrofoni e përdor duke ia marrë zërin.
Skuthologu e përdor duke ia marrë kuptimin dhe dëshminë.
Dhe kur njeriut i marrin lirinë, zërin, kuptimin dhe dëshminë, i mbetet vetëm të quhet “qytetar” nga ata që e kanë konsumuar.
Qytetari që përdoret nga pushteti bëhet klient.
Qytetari që përdoret nga mikrofoni bëhet turmë.
Qytetari që përdoret nga skuthologu bëhet dëshmi.
Në të treja rastet, njeriu mungon.
Dhe kur njeriu mungon, mund ta quajnë popull sa të duan.
Në fund nuk mbetet popull.
Mbetet njeriu si ushqim moral për virtytin e të tjerëve.
Arian Galdini
.png)



Comments