Mendime Shpirti: Ai!
- Arian Galdini

- Jun 30, 2025
- 2 min read

Nga Arian Galdini
Ai nuk kërkon të dijë pse. Ai ndriçon aty ku ndodhet.
Është ai që nuk pret kuptim, por jep vend.
Ai nuk ndërton dritare për të parë botën, as pasqyra për të parë veten.
Ai hap një shteg pa shenjë, që nuk udhëhiqet, e megjithatë shfaqet.
Nuk shkruan me bojë.
As me zë.
Nuk kërkon të mbetet në libër.
Nuk shkruan fare.
Ndodh, sikurse fjala kur s’del nga goja,
si zgjatje e frymës në një heshtje që nuk mbaron.
Ai nuk është këngë, është ritëm.
Jo tingull, veçse pulsim.
Ai nuk thërret me fjalë, por me hapësirën që lejon.
E gjithë prania e tij është një “po” që nuk ka formë, e që nuk shterron asnjëherë.
Në një kohë që lavdëron guximin që duket, ai zgjodhi guximin që nuk shihet.
Në një botë që jep çmime për zërin, ai dha veten në një mënyrë që nuk zinte vend.
Ashtu si dheu që mban peshën e gjithçkaje
pa ndërruar ngjyrë, pa kërkuar falënderim.
Ai nuk bëhet themel për ndërtime.
Ai bëhet boshllëk që mban pa barrë.
Gjithçka që e rrethon nuk ndodh për të, në fakt ndodh më mirë për shkak të tij.
Sepse nuk kërkoi të rrezatojë, gjalloi të ngrohë nga thellësia e qetë.
Ai nuk kërkon të japë përgjigje.
Ai nuk i bën pyetjet të rëndojnë.
I lë të ulen, të rrinë pak, dhe pastaj të largohen më të lehta.
Ashtu si një gur në një përrua, që nuk ndal ujin, por nuk largohet.
Nuk e përkufizon asgjë.
Nuk ka nevojë për përkufizim.
Sepse gjithçka që ai është, nuk mund të vihet në një fjali.
Është ajo hapësirë ndërmjet dy fjalëve, kur zemra kupton më shumë se gjuha.
Dhe kur largimi i tij ndodh, nuk ndodh si mungesë.
Ndodh si një dritë që mbetet në trupin e atij që u ndez dikur prej saj.
Si kujtimi i një prekjeje që nuk është më në lëkurë, ama që është bërë frymë që të lëviz.
Ky është ai.
Ai që është pa u shfaqur.
Ai që krijon pa formë.
Ai nuk ka nevojë të kujtohet, sepse është bërë vetë thelbi i asaj që më në fund merr kuptim. Vertetë.
Arian Galdini
.png)











Comments