Mendime Shpirti: Ai që nuk braktis vetveten!
- Arian Galdini

- Jul 2, 2025
- 3 min read

Nga Arian Galdini
Njeriu lind në një kohë ku as e ka kërkuar jetën, as e ka kuptuar arsyen e saj.
Dhe megjithatë, që në atë çast, diçka pa zë nis të pulsojë në brendësinë e tij. Jo si fjalë. Jo si ide.
Por si thirrje që nuk pushon.
Nuk është urdhër. Nuk është bindje.
Është diçka që s’e shpjegon dot, e megjithatë që të njeh.
E bën këtë pa pasur nevojë të dëgjohet. Është thirrje që nuk vjen nga jashtë, e që gjithsesi i tejkalon të gjitha jehonat.
Nuk kërkon vëmendjen tënde. Ama e ka.
Nuk kërkon lejen tënde. Gjithësesi qëndron. Jo për të të shtyrë diku, qartësisht për të mos të humbur vetveten.
Të jesh nuk është të ndërtosh veten për sytë e të tjerëve.
Është të mos e largosh veten nga vetvetja. Të jesh është të jesh me veten. Pa nevojën për duartrokitje. Pa panik nga heshtja.
Pa hall nga vetmia.
Sepse ai që është me të vërtetë me veten, nuk është kurrë vetëm.
Nuk të shpëton askush. Jo sepse nuk duan.
Sepse nuk mundin.
Nuk ka dorë që mund të zgjatet drejt thellësisë ku ti fshihesh prej vetes.
Nuk ka fjalë që ta mbushë boshësinë ku ti ke hequr dorë nga të qenurit.
Ka vetëm një prani që nuk të lë.
Edhe kur ti vetë do të largohesh.
Është ajo që të shikon nga brenda.
Që nuk të gjykon. Të gdhend.
Që nuk të qorton. Të pastron.
Është si uji që nuk bën zhurmë për të treguar se rrjedh, thjesht e lag atë që e prek.
Është prania që nuk shfaqet, por qëndron.
Si terri që i jep dritës formë.
Në botën ku gjithçka matet, ajo nuk peshohet. Në botën ku gjithçka duket, ajo nuk shfaqet. Është aty.
Në çdo hap që hedh, në çdo mëngjes që hap sytë. Nuk të detyron. Të pret.
Nuk të urdhëron. Të ndjek.
Prania e Dlirë nuk është as bindje, as ndjesi. Është një qetësi që të rri mbi sup si një dorë që s’të prek. Është një njohje që s’të përkufizon, por që s’të le të harrohesh. Është kur ndihesh i plotë, pa pasur asgjë. Kur nuk flet. Je.
Kur nuk kërkon të fitosh. Lufton të jesh.
Mund të ikësh. Do të gjesh mijëra arsye.
Të gjitha të besueshme.
Asnjë s’mjafton për të justifikuar humbjen tënde nga vetvetja.
Nuk je këtu për të ngadhënjyer mbi botën.
Je këtu për të mos humbur betejën e qetë për të mos u fshirë.
Beteja më e madhe është të mos fshihesh prej vetes, kur bota të fton të bëhesh dikush tjetër. Të mos bëhesh turmë.
Të mos bëhesh fasadë. Të mos bëhesh fjalë e bukur që nuk ka trup.
Të mos bëhesh dritë që s’ngroh.
Të jesh aty ku askush s’të kërkon, sidoqoftë ti vetë e di që duhet të jesh.
Njeriu që nuk braktis vetveten nuk është heroi që përmendet. Ai është boshësia që mban urën.
Ai nuk ngrihet për t’u parë.
Ngrihet për të mos u zhdukur.
Nuk flet për t’u dëgjuar.
Flet për të mos heshtur përballë zbrazëtisë. Nuk shfaqet për të marrë duartrokitje.
E bën që të mbetet i gjallë përbrenda.
Nuk bën e as është luftë për të ndryshuar botën.
Bën e është qëndresë për të mos lejuar që bota të të ndryshojë deri në pikën që nuk e njeh më veten.
Është një valë që nuk lë gjurmë mbi shkëmb, a me durim e gdhend në thellësi.
Është një kthesë e brendshme që nuk shihet nga askush, a me siguri është ajo që përcakton gjithçka.
Në fund nuk ka fund. Ka vetëm një kthim në fillimin që nuk e ke harruar.
Nuk është kthim mbrapa. Është kthim brenda.
Aty ku nuk ka më nevojë për fjalë.
As për fitore. As për shpjegime.
Nisja e vërtetë nuk ka zhurmë. Nuk ka trumbetë. Është ajo që ndodh kur e kupton se nuk je thirrur për të qenë më i fortë se të tjerët. Je thirrur për të qenë më i vërtetë se frika jote.
Nuk je thirrur për të bërë dritë.
Je thirrur për të mos e mohuar zjarrin që të mban gjallë.
Ti nuk je një numër. As një përshkrim.
As një përkufizim.
Je një kujtim që s’është harruar ende.
Një shpresë që s’ka vdekur.
Një valë që s’e ndal asnjë breg.
Je një çast që s’ka orë.
Je një zbrazëti e pakufishme, që mban peshën e gjithçkaje që nuk shihet.
Je ai që nuk braktis vetveten.
Arian Galdini
.png)











Comments