top of page

Mendime Shpirti: Ajo që ndodh në heshtje e mban botën gjallë!


Nga Arian Galdini


Nuk ka krismë kur lulja çel.

Nuk ka ovacione kur një shpirt ndriçon përbrenda.

Bota nuk e dëgjon dashurinë kur lind, as të vërtetën kur piqet.

Sepse ajo që është më e fortë, më e thellë, më e shenjtë, ndodh pa zhurmë.


Në një botë që adhuron e marroset pas zërit, dramës, rrëzimit dhe thyerjes, mbin një heshtje që nuk është mosqenie, por burimi i së gjithës.


Jeta fillon në heshtje.

Rritja ndodh pa jehonë.

Dashuria nuk ka nevojë të dëgjohet për të qenë e vërtetë.


Dhe shpresa, e shenjta më e keqkuptuar e njerëzimit, nuk brohoritet, ajo përkundet në brendësi, e padukshme, e pathyeshme.


Çdo rrënjë që çan tokën e bën pa duartrokitje.


Çdo shpëtim që ndodh vërtet, ndodh kur askush nuk po sheh.


Ne nuk e kemi humbur të mirën.

E kemi bërë të padukshme.

Sepse e mira nuk pëlqen skenën.

Nuk e ka të natyrshme të shfaqet.

E mira është dhuratë, jo performancë.


Kemi mësuar të masim jetën me zhurmë, si të ishte lavdi ajo që thërret më fort.

Por gjerat që mbajnë botën në këmbë nuk bëjnë zë.

Nuk bën zë durimi i një nëne, as lutja e një zemre të copëtuar.


Nuk bën zë një njeri që fal, as një shpirt që mbart barrën e dikujt tjetër në heshtje.


Sepse ajo që është hyjnore, është gjithnjë e padukshme në fillim.


E më pas, kur shfaqet, është kaq e butë, sa bota nuk di ç’të bëjë me të.


Dhe prandaj njerëzit vrapojnë pas asaj që tingëllon më fort, jo pas asaj që qëndron më gjatë.


Nuk jemi lodhur nga errësira, por nga mungesa e durimit për të parë dritën që rritet ngadalë.


Jemi bërë të padurueshëm ndaj heshtjes, ndaj butësisë, ndaj asaj që nuk kërkon të fitojë por vetëm të mbetet.


Jemi mësuar të admirojmë ato që bien me zhurmë, jo ato që ngrihen pa u ndier.


Por vetëm gjërat që rriten në heshtje nuk shuhen kurrë.


Sepse nuk janë të ndërtuara për t’u duartrokitur, por për të qëndruar.


Nuk janë për sy, por për shpirt.


Nuk janë për të pushtuar, por për të dhënë jetë.


Është më e lehtë të jesh tragjik se të jesh i butë.


Më e lehtë të bërtasësh se të pranosh.

Më e lehtë të flasësh për dashurinë, se ta mbash atë gjallë kur ajo nuk është e dukshme.


Por thellësia është ajo që e duron kohën.

Është ajo që nuk ka nevojë për dëshmi publike, sepse është tashmë e vërtetë.


Madhështia nuk është në fitore, por në rrënjë.

Jo në jehonë, por në rritje.


Të rritesh pa u dëgjuar, kjo është forma më e lartë e guximit.

Të duash pa u parë, kjo është forma më e lartë e dashurisë.

Të besosh pa u ndjerë, kjo është forma më e pastër e shpresës.


Të mbetesh dritë, edhe kur askush nuk po sheh, kjo është shenjtëri.


Sepse nuk je i madh kur të përmendin të gjithë, por kur jeton një jetë që nuk ka nevojë për zë, sepse është vetë zëri i butë që nuk pushon kurrë së ushqyeri botën.


Të jesh ai që nuk bie për t’u dëgjuar, por që rritet për të mbajtur, kjo është forca që nuk kërkon të ngadhënjejë, por të qëndrojë.


Dhe vetëm ajo që qëndron pa zhurmë është ajo që mbetet përjetë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page