top of page

Mendime Shpirti: Atje ku heshtja sheh!


Nga Arian Galdini


Është një vend ku fjala nuk hyn dot.

Jo ngaqë është e ndaluar, por sepse nuk mjafton.

Aty, ku njeriu nuk pyet më për çfarë është e drejtë apo e gabuar, por për si të mos humbasë ndjeshmërinë e vetë.

Aty nuk ndodh logjika, por zgjimi.

Aty nuk komandohet vullneti, por lulëzon brishtësia që nuk ka nevojë të shpjegohet.


Njeriu nuk u krijua për të pasur të drejtë, por për të mbajtur dritën gjallë në zemër, edhe kur gjithçka tjetër errësohet.

Nëse ka një të vërtetë të madhe që ne jemi thirrur të përmbushim, ajo është të mos bëhemi si ata që na lënduan.

Dhe kjo nuk është një ide.

Është flijim i heshtur.


Në thellësi të qenies ndodhet një vend ku as triumfi nuk është më lavdi dhe as humbja nuk është turp.

Aty ku çdo gjë që ke duruar, çdo braktisje që s’e ke ulëritur, çdo buzëqeshje që ke dhënë pa qenë i detyruar, ato janë arkitektët e shpirtit tënd.

Jo për t’u treguar. Jo për t’u shpërblyer.

Por sepse njeriu që mbetet i mirë në një botë të pamëshirshme është më i fortë se çdo hero i historiografive.


Nuk kemi ardhur këtu për të fituar.

Kemi ardhur për të mos u bërë humbja vetë.

Kjo është fitorja më e lartë që njeriu njeh.

Një fitore që nuk zhurmon, por formëson.


Ka vetmi që thërret për ndihmë.

Dhe ka një tjetër që është e shenjtë.

E cila nuk është boshësi, por hapësirë për të dëgjuar veten, për të ndjerë peshën e një fryme që nuk shfaqet në pasqyra.

Ajo vetmi është vendi ku njeriu mëson se nuk është jeta ajo që duhet fituar, por qetësia që nuk shitet.


Në një botë që shurdhon me zëra, ka pak mëshirë për atë që hesht.

Por ai që hesht dhe nuk fiket, ai që mban veten gjallë pa nevojë për skenë, ai është tempulli më i pastër që ka njohur historia.


Ndër dilemat më të thella të qenies është kjo:


Kur duhet të heshtim dhe kur duhet të flasim?


Kur duhet të largohemi dhe kur duhet të qëndrojmë?


Por njeriu i thellë nuk i përgjigjet këtyre me sisteme vlerash të jashtme.


Ai e ndien. Jo në logjikë.


Në përvëlimin që ndodh kur e tradhton veten.

Ai nuk i bindet kodeve.

As nuk u shërben normave.

Ai i bindet asaj drite që s’ka emër, por e ka peshën e vet në çdo zgjedhje.


Mos lufto për të fituar.

Mos hesht për të qenë i pëlqyer.

Lufto për të mos vrarë veten brenda vetes.

Hesht për të ruajtur dritën që nuk kërkon miratim.


Ka përqafime që ndodhin për të ngushëlluar.

Ka të tjera që ndodhin për të mos lejuar shpirtin të thyhet në fund të një dite që s’ka ditur të jetë e mirë.


Njerëzit më të vërtetë nuk e shfaqin dhembjen e tyre.

Ata nuk i bëjnë fjalimet qetësisë.

Ata rrinë pranë, nuk e trumbetojnë praninë.

Dhe në heshtjen e tyre, një zemër tjetër e kupton se kjo botë nuk është kaq e ftohtë sa duket.


Dashuria nuk është ndjenjë.

Është vendim për të mos u bërë i ngjashëm me atë që nuk deshi.


Falja nuk është akt fisnik.

Është akt mbijetese e shpirtit tënd, që nuk do të mbajë asgjë të helmuar brenda vetes.


Dhe kujtesa, ajo që të mban të gjallë, nuk është biografia jote, por zëri që të thotë çdo mëngjes:


“Mos u bë si ata.

Ji ai që do të doje ta takonte dikush në pikën e vet më të errët.”


Njeriu nuk është fjalë.

Njeriu është ndikim që mbetet në të tjerët, edhe kur ai vetë largohet.

Ai është frymë që nuk ka nevojë të mbajë leksione, sepse mënyra si ecën është vetë rrëfimi.

Nuk është thjesht veprim. Është dritë që rri e ndezur në prani, pa zhurmë.


Prandaj, në fund, nuk ka rëndësi sa shumë je dashur apo kuptuar.

Por a ia dole të mos e humbasësh dritën tënde, edhe kur askush nuk të mbrojti.

Sepse në këtë botë, më shumë se heronj, më shumë se dijetarë, më shumë se gjykues,

na duhen njerëz që të mos harrojnë të jenë dritë, edhe kur nata nuk ikën.


Nëse do ndërtosh një botë më të mirë, nis duke mos e shuar veten në botën që gjen.


Ky është morali i pathënë i shpirtit që zgjodhi të jetojë, jo për t’u imponuar, por për të mbetur i vërtetë.


Për të mbetur njeri.


Arian Galdini


Byblos, Liban, 11 qershor 2025

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page