top of page

Mendime Shpirti: Drita që nuk shuhet!

ree

Nga Arian Galdini


Kur errësira ngrihet si valë pa brigje dhe pi gjakun e shekujve, e këndon veten si himn të ftohtë, por qenia mban një bërthamë që nuk përmbytet.


Mashtrimi shemb ura dhe vesh gjuhën me mjaltë të hidhur, e vërteta nuk zbret nga lart, por rëndon si gur themeli.

Pesha e saj është më e madhe se çdo zhurmë.


Korrupsioni ngjesh baltë mbi sheshe dhe rrit myk mbi frymë, ajri rëndon nga pluhuri që errëson qepallat e ndërgjegjes.

Ky pluhur nuk prek gjeometrinë e shpirtit.


Jo përmes meje. Jo në oborrin tim të fshehtë.


Porta e qenies është sovrani i vetëm.


Stuhia nuk bindet me urdhra, zhurma nuk mbytet me zë, tërmeti i së keqes nuk ndalet me lutje.


Pushteti i njeriut është mos-pajtimi i tij i fshehur.


Kur gënjeshtra hyn te ndërgjegjja, shuhet një yll, kur shpirti përkulet, thyhet simetria e njeriut, kur terri gjen shteg, trupi rri më këmbë por qenia bie.


Rënia nis nga rrënja përpara se të shfaqet në fytyrë.


Rrënja që mban tokën nuk çahet as kur qielli shembet, ka vende ku përmbytja nuk gjen shtrat.

Qëndresa është formë, jo zhurmë.


Forca nuk është të rrëzosh errësirën, por të mos i lejosh kurorë.


Një “jo” e fshehtë bëhet horizont.


Ka çaste kur universi vibron si tel i lahutës së padukshme, e atëherë mjafton të mos dorëzosh çelësat e oborrit të shpirtit.


Heshtja e drejtë ka peshë gravitacionale.


Njeriu nuk matet me pallate, as me medalje, as me klithma turmash, matet me qetësinë që mban dhe dritën që nuk e këmben.


Valuta e përjetësisë është pesha e padukshme.


Drita nuk është figurë, është kujtesa e shpirtit, arkitektura e padukshme mbi të cilën qëndron qenia.


Plaga që nuk mbyllet bëhet portë e përjetësisë.


Errësira nuk është hije, por helm që hyn në gjak dhe i mëson gjakut këngën e terrin.


Sa më e zezë nata, aq më i gjallë burimi.


Ajo që ruhet thellë nuk blihet, nuk thyhet, nuk shuhet.


Gjërat pa çmim nuk humbasin.


Shpirti që ruan flakën është kështjellë e paçelur për stuhitë, ndërgjegjja e ndezur ngre tempull që nata nuk e çan, drita harkon kupolën që nuk bie.


Arkitektura e brendshme mban peshën e botës.


Tundimi nuk është thesar, por çmim me të cilin shitet qenia.


Shpirti i shitur humbet përjetësinë.


Ka orë kur heshtja kërkohet pikërisht aty ku fjala është zjarr, ka shkëlqime që verbojnë kur drita kërkon dalje, ka zakone që pagëzohen ligj ndërsa gërryejnë shenjtërinë.


Altar quhet vendimi që nuk lëviz.


Zjarri i padukshëm mbahet me frymë, jo me brohoritje.


Vetmia e drejtë është më e gjerë se turma.


Ka heshtje që peshojnë më shumë se zhurma e botës.


Atje ku drita nuk këmbehet, koha humbet pushtetin.


Ruajtja e flakës në stuhi kërkon guxim pa emër, pastërtia në baltë kërkon dritë që nuk venitet, kundërshtimi në një botë të shtrembër është liturgjia e njeriut.


Bota nuk ringrihet nga një hero, por nga shumë zemra që çdo ditë e mbyllin portën e tyre të padukshme.


Kur zemrat bëhen gurë, perandoritë kthehen në pluhur.


Nderi i shitur shuhet nga koha, drita e këmbyer shuhet nga brenda.


Ajo që nuk thyhet është mburoja e jetës.


Kur gjithçka shembet, drita e ruajtur thellë është horizont pa fund.


Horizont pa fund është emri i saj.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page