top of page

Mendime Shpirti: E tashmja është jeta!



Nga Arian Galdini



E shkuara ngjason me një pergamenë të palosur në thellësi, me erë boje të vjetër, faqe të zverdhura dhe shenja gishtash.


E ardhmja endet si skicë e paplotësuar, në pritje të dorës që i jep trajtë.



Koha rrotullohet brenda nesh si shteg malor me dredha në ngjitje.


Aty mblidhen aroma të mëngjesit, gjurmë të muzgut, ëndrra të pashtershme.


Bashkohen e bëhen hartë e brendshme.


Vijat e pëllëmbës zgjaten derisa prekin pulsin dhe, nga ai ritëm, i japin drejtim hapit.



Përjetësia është gurrë malore, ujë i kthjellët, shushurimë gurësh, jehonë zanash, hije shelgu mbi freski.


Në atë prehje, trupi fiton masë, mendja përqendrohet, frymëmarrja piqet dhe merr jetë e fuqi.



Mu në zemrën e atij çasti, dashuria shfaqet si prag guri mbi rrjedhë dhe afron brigje të largëta.


Udhëtarë të etur zbresin dhe gjejnë ujë të mirë.


Shpresa ndizet si shkëlqim kreshtash pas mjegullës.


Besa lartohet si urti e porosi e moçme, ngritur me fjalë e sakrifica të pjekura prej shekujsh; mbart pa ankesa peshën e çdo aspirate, të skalitur nga duar të pastra e mendje të mbara.



Plagët mbyllen kur mendja qartësohet me ide të kulluara, kur brendia ushqehet me kurajë e dora punon me ndershmëri.


Vendosmëria shtohet sa herë haset një pengesë.


Çdo portë e rëndë guri pret çelësin e brendshëm; ndryshe s’hapet.



E gjitha kjo sfidohet nga epoka e re digjitale që po vjen.



Koha jonë shfaq fytyrën e pikselëve.


Sheshet digjitale veshin maskat e filtrave mbi portrete të gjalla.


Algoritmet, hije pa trup, përzgjedhin çfarë shihet e çfarë tretet në harresë.


Inteligjenca artificiale ngjiz avatarë bindës; njeriu po rrëshqet e po përhumbet drejt kopjes së programuar.


Autokracitë e algoritmeve ngrenë frone të padukshme dhe sundojnë me imazh e slogane të kuruara.


Tani kemi veç botsa të shumtë që flasin me një zë, të njëjtat fjalë të mirësjelljes së shtirur, kurrë përfillëse a shërbyese.



Kaqolat e shekullit shesin shkëlqim pa thelb.


Ndërsa turma lodhet nga kakofonia dhe tirania e transparencës, ndaj hesht, tërhiqet, dorëzohet, gjunjëzohet, mumifikohet.



Shpëtimi nis në shtëpinë e ndërgjegjes sonë.



Aty ku fjalët, siç i ka shkruar Zoti, janë të pacensuruara, të lira, të dlirta.



Shëlbimi kërkon sy që çmojnë dritën e tjetrit, duar të ashpra nga puna e nderit, me peshë më të madhe se mijëra klikime.


E mira ndodh kur dashuria është vendim i përditshëm, i qëllimshëm e këmbëngulës, të shohë thellë, përtej dukjes e fasadave.



Shpresa rritet nga veprime me kuptim të gjallë.


Besa ngjizet, lind e forcohet me prova të vogla e të sinqerta.


Vullneti shndërrohet në themel kur hapat mbështeten te përgjegjësia.


Bëjmë mirë ta kemi të qartë se udhëzimet e ftohta të llogaritjeve mbeten mjete; përgjegjësia është busulla.



Ndaj, ky çast, tani, është arë mbjelljeje.


Një buzëqeshje ngroh ditë të akullta.


Një fjalë e mbarë zbut lëmshin e metalizuar të zemrave.


Një gjest i drejtë shkrep një varg ndryshimesh që trokasin shtëpi më shtëpi, e njeri pas njeriut.



Kur çdo hap lexohet si akt krijimi, e shkuara kthehet mësuese, skica mëson nga dora jonë dhe afrohet si nxënëse.



E tashmja vjen vetiu si mike e besuar.


Në bashkëjetesën e këtyre kohëve brenda nesh zbulohet se gjithçka e kërkuar strehën e ka ngahera këtu, pranë, gati për t’u marrë, gati për t’u shpalosur.



Jeta thërret kurajon.



Aty ku vetëdija lidhet me qëllimin, momenti përmbushet.



Lind dashuri e gjallë. Shpresa qëndron.


Besa përqafon këdo, teksa rikthehet në fije lidhëse, në enzimë të shoqërisë sonë.



Forca e qetë e njeriut çel bravën e rëndë, pa zhurmë.



Po e kapëm këtë çast, sytë tanë do të dëshmojnë; duart tona dhe shpirti ynë do të ndërtojnë.


Dhe ne do të dritëzojmë.



Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page