Mendime Shpirti: E vërteta s’ka nevojë të bindë!
- Arian Galdini

- Aug 5, 2025
- 3 min read

Nga Arian Galdini
Mark Twain dikur tha mençurisht:
“Asnjë sasi provash dhe asnjë e vërtetë nuk e bind dot kurrë një idiot që të dëgjojë e aq më pak të kuptojë.”
Që nga ajo ditë kur e lexova këtë urti, e ndala ritmin e përpjekjes për të luftuar në mëtim për të vërtetën.
Nisa ta shoh botën krejt ndryshe.
Fjala mori një tjetër peshë.
Sepse njeriu që shmang të vërtetën, e ndjen në thellësi çfarë mbart ajo.
Zgjedh të mos e prekë, jo për shkak të verbërisë, por nga shkundja që ajo sjell në brendi.
I shmanget.
E vërteta nuk afrohet me zhurmë.
Ajo qëndron në heshtje, si një gur që pret në shteg.
Pa britmë. Pa thirrje.
Vetiu praninë e saj e bën ftesë.
Ka shikime që rrudhen përballë hapjes.
Ka dëgjime që presin vetëm tingujt që duan.
Ka zemra që mbahen pezull sa herë diçka e thellë u afrohet.
E drejta qëndron në prag.
Nuk shtyn. Nuk grushton. Nuk lyp.
Si një njeri që pret në rrugëkalim me mirësi në duar.
Kur afrohet zemra që e njeh, ajo bëhet udhë e kthjellët.
Një fjalë që vjen në kohën e vet, shfaq horizont.
Një mendim i mbajtur me butësi, sjell qartësi.
Një shikim që kupton, ndriçon pa pasur nevojë për zë.
Në fshat thoshin:
“Mos e shty portën. Ajo që do të hapet, e bën vetë.”
Që nga atëherë, shikimi u kthye nga ata që dëgjojnë jo për t’u kthyer pas. Për të kuptuar.
Ata që s’ndërpresin fjalën.
Ata që lexojnë edhe heshtjen.
Fjala që lind nga brenda, ecën me hapa të lehtë.
Nuk kërkon të hyjë kudo. Shkon atje ku ka etje.
Në një gojë të hapur, ajo zgjat si këngë e butë.
Në një mendje të përgatitur, mbillet si farë që lind pa u ndjerë.
Ajo që thuhet me mirësi, vazhdon të ecë edhe pa duartrokitje.
Në vendin e saj, ajo nuk tretet.
Bëhet gur i urtësisë.
Bëhet kujtim që ndihmon të kujtojmë veten.
Shumë e marrin të vërtetën për ta përdorur.
Të tjerë e përkulin për t’i shërbyer vetes.
Disa e veshin me fjalë të mëdha.
Por ajo që është thelb, mbetet e zhveshur.
E drejta nuk e kërkon skenën.
Ajo nuk shitet. Nuk zbukurohet.
Qëndron aty ku e lanë më të heshturit.
Në një qoshe ku vetëm pak dinë të mbërrijnë.
Thuaje vetëm një herë.
Thuaje qartë, pa forcë.
Lëre të qëndrojë në ajër si një fije bari që pret erën.
Kush ka urtësi, do ta ndiejë.
Kush është gati, do ta përqafojë.
Fjala që lind nga qetësia, nuk kërkon dëgjues të zërave të lartë.
Mjafton një zemër e hapur për të ecur me të.
E vërteta qëndron si zë i brendshëm që s’ka nevojë për mikrofon.
Ajo rri në vendin e vet, si një sinjal që frymon mes heshtjes.
Asaj nuk i duhen argumente.
As numra. As lavdërime.
Jeton në gjuhën e thjeshtë të atyre që ecin me të.
Disa kalojnë pranë saj dhe e lënë si një gjë që s’ua hyn në punë.
Disa ndalen, e shikojnë dhe e marrin me vete.
Të tjerë e shkelin pa e ditur që i është dhuruar për të shëruar një brengë.
Ajo s’kërkon të imponohet.
Vetëm hap vend.
Vetëm shfaqet.
Vetëm rri.
Dhe kur zemra e njeh, nuk e ndjen si pushtet.
E ndien si mikeshë që ka qenë aty gjithmonë, e dlirë, e paqtë, pa u larguar, pa u harruar.
Arian Galdini
.png)











Comments