Mendime Shpirti: Ecja e padukshme!
- Arian Galdini

- Jul 30, 2025
- 2 min read

Nga Arian Galdini
Një ditë pa orë, pa fillim e pa fund, më preku një zë që vrullonte përtej fjalëve. Ishte jeta. Jo ajo që ndodh jashtë, por ajo që valëvitet brenda, si dritë që lind në brinjë dhe përhapet si ag në tokën e të parëve.
Ishte një thirrje e lehtë që nuk më kërkonte të bëhesha dikush, të arrija diku, të shfaqesha.
Më thoshte: ec. Ec me frymë të çliruar. Ec i lehtë.
Në një botë mbushur me valixhe të mbuluara nga pluhuri i kujtimeve të harruara, me fjalë që përplasen si degë të thara në erë, me hapa që dridhen si kambanë në ankth, mësova të zbath heshtjen.
Jo për t’u larguar.
Për të qëndruar si rrënjë që zgjohet.
Gjithçka që më rëndonte, e mbaja unë.
Brenga si baltë në supe.
Ngutja që më lidhte shputat.
Krahasimi që më shkurtonte shtatin.
Ambicja që më zbraste zemrën.
Derisa vendosa të çlirohem.
Të hap krahët e të eci në ajër, si në agimin e parë.
Jo nga lehtësia.
Nga dija që lind kur e ke falur nevojën për t’u mbrojtur.
Eca si njeri që kishte kuptuar se rruga nuk është drejt dritës.
Ecja është vetë drita.
Hapi është vetë kthimi.
Shpirti i dlirë është vetë mbërritja.
Fillova të lë pas fjalët që më ishin bërë pranga.
Fjalët që më thoshin kush duhet të isha.
Zërat që më ngushtonin në kraharor.
Sytë që më matnin me peshore të huaja.
Kujtesën që bluante të djeshmen në pluhur harrese.
U çlirova nga çdo dëshirë për t’u dëshmuar a shpalosur.
Nga çdo ngutje për të qenë dikush tjetër.
U ktheva në qetësinë që as ka nevojë të shpjegohet.
Zbulova se njeriu është i plotë kur ecën me duar bosh, si në mëngjesin e krijimit.
Kur nuk fsheh veten nën asgjë tjetër përveç dritëzimit që i ngrihet nga thellësia e brendisë së tij.
Eca me shpirt të zbathur mbi ditët.
Ndjeva nën gishta lagështirën e tokës, aromën e barit të njomë, kripën e gurëve të vjetër që ruajnë jetëaktet e të parëve.
Toka më njihte. Unë ia njihja dridhjen.
Sepse kur njeriu ecën pa barrën e frikës,
kthehet në vetvete.
Dhe vetja bëhet truall ku mbin paqja,
si lule që çel pa zhurmë në anën e diellit.
Në atë paqe, vlen e harmonizon gjithçka. Dhe mjafton.
S’kam më asgjë për të fituar.
Asgjë për të mbajtur.
Asgjë për të shtuar.
Vetëm këtë frymë që hapet si rrëzëllitje në brinjë.
Vetëm këtë çast që valëvitet si pëlhurë e shenjtë mbi ndërgjegje.
Vetëm këtë hap që lartëson tokën, jo për ta lënë pas, për ta bekuar.
Kështu nisa të jetoj.
Me kraharor të çliruar nga çdo skemë.
Me hapa që nuk matin distancën, por praninë.
Si gjethe që noton mbi ujë të kthjellët.
Si rreze që kalon mes reve pa u tretur.
Si fjalë që është vetë dëgjimi.
Dhe kjo është ecja ime…
Ecje pa zhurmë. Pa peshë. Pa barrë.
Ecje që është vetë mbërritja.
Sepse nuk jam më udhëtimi, jam vetë toka e premtuar ku rruga mbërrin.
Jam prania që s’ka më nevojë të niset.
Jam zemra ku kthehem për të mos ikur më kurrë.
Arian Galdini
.png)











Comments