top of page

Mendime Shpirti: Fati i dritës që lind aty ku s’pritet, dhe prapë qëndron!


Nga Arian Galdini


Në një kohë që kërkon jehonë, ajo dritë nuk zgjodhi të bërtasë.

Rrinte.

E heshtur si kujtesë që s’kërkon ftesë për të hyrë në shpirt.


Nuk kishte gjuhë.

Kishte frymë.

Kishte qëndrim.

Jo për të ndriçuar botën, por për të ruajtur veten nga harresa.


Kur heshtja shihet si humbje, bëhet mënyra e vetme për të mos humbur veten.”


Në një dhomë ku çdo orë ishte kthyer në prani, një nënë ndizte një qiri që nuk priste askënd.

Drita që jepte s’kishte audiencë, e pa asnjë luhatje mbante gjallë një ndjenjë që moderniteti s’mund ta arkivojë.


Në qytetin që pulsonte me ritme të panjohura për shpirtin, ishte ai burri që ecte në të njëjtën rrugë, me një hap që s’kërkonte as vëmendje, as kuptim.

Ai nuk e lëshonte më zërin, sepse kishte mësuar se zëri kryen punë veç për një ditë.

Qëndrimi vlen një jetë.


Në mitet që s’kanë nevojë të mbijetojnë,

sepse nuk janë shuar kurrë, zanat rrinë pranë ujit.

Jo për të shfaqur magji.

Për të dëgjuar.


Sepse uji është kujtesë që s’ka nevojë për figurë.

Ai e mban atë që sytë s’e durojnë dot më.


Plaku që urton pa folur, është më i rrënjosur se çdo libër.

Ai është strukturë.

Ai është prania që s’kërkon të bëjë përshtypje.


Gjyshja që nuk e shpjegon më dashurinë,

vetëm rri.

Në rrijen e saj, ne ndjejmë një vend që s’e gjejmë më askund, dhe që gjithsesi nuk na ka lënë kurrë.


Prej aty vjen qetësia që ndalon lodhjen.


Edhe kur në botën që mat gjithçka me klikim,

drita që nuk qarkullon, quhet harresë.

Ndonëse drita që nuk vjen për të lëvizur,

qëndron.

Sepse ekziston për të mos u shpërndarë.


Si, miratimi me klikim, edhe arresa me pauzë.


Këtu ngre kryet kujtesa, vetëm ajo që qëndron, edhe kur nuk e pret askush.”


Kur gjithçka kërkon të kuptohet, ajo zgjedh të mbetet.

Jo si fjalë.

Si ritëm që vetëm shpirti e njeh.


Të jesh dritë nuk është dhunti.

Është vendim.

Është akt që sk nevojë e as do publik.

Një akt që ndodh pa dëshmitarë.

Si fjala që nuk shkruhet.

Si lutja që ndodh pa buzë.

Si fryma që ndriçon pa lënë hije.


Sepse kur fjala bërtet, drita largohet.


Qëndrimi është një nga ato akte që bota s’di t’i masë.

Mungojnë shifrat për sa peshon një prani.

S’ka algoritëm që kupton një shpirt që shmang të largohet, edhe kur s’ka mbetur asgjë tjetër.


Disa drita nuk lindin për të parë. Lindin për të mos u harruar.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page