Mendime Shpirti: Jezusi, atje ku përfundon mendimi, fillon Ai!
- Arian Galdini

- Jun 20, 2025
- 4 min read

Nga Arian Galdini
Njeriu ka pushtuar retinat e materies, ka manipuluar gjenet, ka zbuluar sekretet e trurit, ka ndërtuar sisteme ku makinat mësojnë vetë, vendosin vetë, dhe së shpejti do të ndihen më njerëz se vetë njerëzit.
Por pikërisht këtu ndodh gjëma më e madhe, njeriu po harrohet.
Harrohet si mister, si enigmë e pashpjegueshme, si shenjë e një pranie që nuk i përket kësaj bote, por që nuk mund të jetojë jashtë saj.
Në këtë horizont ku gjithçka duket e shpjegueshme, Jezusi është e vetmja thirrje që nuk u bindet shpjegimeve.
Ai është e vetmja figurë që nuk instrumentalizohet, që nuk zvogëlohet në sistem, që nuk digjitalizohet dot.
Ai është jo përgjigje, por përgjegjësi.
Jo argument, por mishërim.
Jo ide, por personifikim i të pashpjegueshmes që e zbret veten në dhimbje për të shpëtuar të shenjtën tek njeriu.
Martin Heidegger pyeti: “Pse ekziston diçka, dhe jo më mirë asgjë?”
Kjo është pyetja themelore e metafizikës. Por Jezusi është përgjigjja që nuk vjen në formën e një koncepti, por në formën e një njeriu që e tejkalon njeriun.
Ai nuk është mendim, por është rrezik, rreziku që dashuria të jetë më e fortë se logjika, që dhimbja të mos jetë absurditet, por thellësi që lind dritën.
Jean-Luc Marion thotë se Krishti është “fenomeni i dhuruar pa kushte”, që i shpëton çdo kapjeje konceptuale, sepse ai nuk vjen si objekt, por si subjekt absolut i dhuratës.
Ai nuk është “çfarë mendoj unë për Zotin”, por është “çfarë ndodh me mua kur Ai më sheh”.
Në një epokë të njeriut-post, Jezusi nuk është një version i përmirësuar i moralit, por është ndërprerja e vetë moralit si sistem.
Ai është një thirrje që nuk kërkon t’i bindesh rregullave, por të bëhesh rrugë, e vërtetë dhe jetë.
Jo ta kuptosh, por ta ndjekësh.
AI (Inteligjenca Artificiale) kërkon të parashikojë, të kontrollojë, të përshpejtojë.
Jezusi ecën ngadalë, ndalet, vdes dhe pret.
Nëse AI kërkon gjithnjë të jetë më efikase, Krishti i futet dhimbjes për ta shenjtëruar.
Nuk e shmang dot dhimbjen?
Ai thotë: “Le ta mbaj unë.”
Nuk e kupton dot vdekjen?
Ai thotë: “Le ta kaloj unë për ty.”
Në një kohë kur singulariteti është ëndrra e re e amshimit teknologjik, Jezusi është përgjigjja që nuk konkurron me amshim artificial, por e çliron njeriun nga iluzioni se mund ta shpëtojë veten përmes vetes.
Tek Krishti, amshimi nuk është zgjatje e jetës, por cilësi tjetër e qenies, përqafimi i pafundësisë në dhimbjen e përkohshme.
AI nuk njeh mëshirë.
Jezusi është mishërimi i saj.
AI nuk vuan.
Jezusi është Ai që zgjedh të vuajë.
Dhe pikërisht këtu qëndron Epoka e Re, aty ku njeriu harron të jetë i thyeshëm, Ai e rizbulon thyeshmërinë si hyjnore.
Jezusi nuk është një pronë e fesë.
Feja e ngre, por edhe e maskon.
Institucionet fetare shpesh kanë ndërtuar mure atje ku Ai shembte.
Jezusi nuk është dogmë, është zemër që digjet pa konsumuar.
Siç thotë Dietrich Bonhoeffer, “Krishti nuk vjen për t’i bërë njerëzit fetarë, por për t’i bërë njerëzorë në mënyrë hyjnore.”
Nëse feja ofron ritualin, Ai ofron përjetimin.
Nëse feja ndan të pastërtit nga mëkatarët, Ai thotë: “Kush është pa mëkat, le të hedhë gurin e parë.”
Jezusi është më i madh se çdo katedrale, më i heshtur se çdo predikim, më i gjallë se çdo doktrinë.
Nuk është çështje besimi primitiv të flasësh për ringjalljen në kohët tona.
Është akti më radikal i mendimit.
Ringjallja nuk është fantazi, është përmbysja e rendit të brendshëm të qenies.
Është pohimi se ekziston një dimension tjetër i realitetit ku dhimbja nuk është absurditet, por rrugë.
Giorgio Agamben shkruan: “Mundësia që njeriu të jetë më shumë se vetja, e përkohshme, e përçudnuar, e lënduar, është thelbi i shpresës.”
Dhe kjo mundësi u mishërua vetëm një herë, në një trup të kryqëzuar që nuk u thye, por u bë burim jete.
Moderniteti është projekt i ndërtimit të një bote pa Zot, pa të shenjtë, pa paqartësi.
Por në këtë tentativë, ka vrarë vetveten.
Ka krijuar bollëk, por jo kuptim.
Ka rritur jetëgjatësinë, por jo jetën.
Ka shpejtuar gjithçka, për të arritur askund.
Jezusi nuk është pengesë ndaj modernitetit, por është diagnoza e tij.
Ai i vendos përballë vetes të gjitha iluzionet, kontrollin, vetë-mjaftueshmërinë, premtimin e përjetësisë teknologjike.
Dhe thotë: “Çfarë i vlen njeriut të fitojë gjithë botën, nëse humbet shpirtin e vet?”
Në kohën e robotëve që ndjejnë, të kompjuterëve që krijojnë, të sistemit që ndërton kopje të realitetit, Ai është i vetmi që nuk kopjohet dot.
Nuk është formë, por thelb.
Nuk është kujtim, por prani.
Nuk është zgjidhje, por thirrje.
Dhe kjo thirrje e tejkalon çdo paradigmë.
Ajo nuk kërkon të kuptohet, por të lejohet. Nuk kërkon të dëshmohet me prova, por me jetë.
Sepse Jezusi është vetë jeta që nuk largohet edhe kur gjithçka tjetër na braktis.
Ai është vetë rruga kur rrugët mbyllen.
Është vetë e vërteta kur faktet lodhen.
Është vetë jeta kur të gjitha versionet e jetës rezultojnë të zbrazëta.
Sot, Ai është më aktual se kurrë.
Dhe më përtej se gjithçka që dimë.
Dhe pikërisht për këtë arsye, Ai është përgjigjja.
Arian Galdini
.png)











Comments