Mendime Shpirti: Jezusi dhe kriza e kuptimit në modernitet!
- Arian Galdini

- Jun 22, 2025
- 2 min read

Nga Arian Galdini
Moderniteti nuk fillon me zbulim, por me humbje. Humbjen e qendrës.
Humbjen e të Shenjtës.
Humbjen e pyetjes që i paraprin çdo shkence: “Pse ekziston diçka dhe jo asgjë?”
Pasi Zoti u shpall i vdekur (Nietzsche), dhe historia u shpall pa drejtim (Fukuyama), njeriu modern mbeti pa koordinata. Teknologjia e ngriti lart, por nuk ia shpjegoi dot veten.
Progresi e çoi larg, por nuk i tregoi pse po shkonte.
Në ditët e sotme, me inteligjencë artificiale që imiton krijimtarinë, me teori multiversesh që shkatërrojnë unikalitetin, dhe me relativizëm moral që përhapet si ajër, njeriu modern e ndjen veten të mbingopur nga informacioni dhe të uritur për kuptim.
Nietzsche e quajti vdekjen e Zotit “një akt epokal emancipimi”, por në të vërtetë e parashikoi me saktësi ankthin që do të pasonte.
Ai e dinte se pa Zotin, njeriu s´ka më ndërgjegje absolute, as peshë të qenies.
Heidegger e pasoi me idenë se njeriu është qenie e hedhur drejt vdekjes.
Sartre i dha absurditetit lavdi.
Camus thirri për revoltë në vend të dorëzimit.
Por asnjë nga këta nuk ofroi rrugë.
Vetëm rezistencë në zbrazëti.
Njerëzimi i përshkoi pikat e skajshme të nihilizmit dhe e zbatoi atë në ekonomi, seks, art, dashuri, edukim.
Për gjithçka ka version.
Asgjë nuk ka më të vërtetë.
Çdo e vërtetë është opinion.
Dhe pikerisht aty ku gjithçka është e mundur, asgjë nuk është e vlefshme.
Krishti nuk vjen si ideologji.
As si narrativë konkurruese.
Ai vjen si mish, si person, si prani.
Në një epokë ku gjithçka shkruhet, Ai është Fjala që hesht.
Në një botë ku gjithçka kërkon të vlerësohet, Ai është dhuratë pa kusht.
Ai nuk e relativizon kuptimin, por nuk e imponon.
Ai e fton njeriun jo të bindet, por të njihet.
Të zbulohet.
Jezusi nuk jep shpjegim mbi jetën.
Ai është vetë Jeta.
Nuk ofron rrugë, Ai është vetë Rruga.
Frankl, psikiatri që mbijetoi Auschwitz-in, thotë se kriza më e madhe e njeriut nuk është dhimbja, por mungesa e kuptimit.
Ai argumenton se njeriu mund të përballojë gjithçka, nëse ka “pse”.
Jezusi nuk largon dhimbjen, por e fut kuptimin brenda saj.
Kryqi është pikerisht kjo, dhimbja që nuk është fund, por kapërcim.
Në një botë ku gjithçka është opinion, Jezusi nuk është një opinion më shumë.
Ai është ajo që nuk ndryshon edhe kur gjithçka rrotullohet.
Ai është ndodhia që nuk ka alternativë.
Jo sepse i ka rrëzuar të tjerët, por sepse Ai nuk ka nevojë të krahasohet.
Ai nuk konkuron. Ai fton.
Ai nuk konverton. Ai prek.
Krishti nuk e mbush zbrazëtinë si zëvendësues.
Ai e kthen në altar.
Ai nuk vjen të na bindë që jeta ka kuptim, por të na ftojë të guxojmë të jetojmë si sikur ajo ka kuptim.
Dhe ky guxim nuk lind nga përllogaritja, por nga besimi.
Jo besimi si ideologji, por si akt që fillon në zemër.
Ai nuk është zgjidhja në kuptimin teknik.
Ai është vetë përgjigjja që nuk formulohet dot, por vetëm merret me frymë.
Arian Galdini
.png)











Comments