top of page

Mendime Shpirti: Jezusi përtej feve, përtej kohës, përtej vdekjes!



Nga Arian Galdini


Nuk fillojmë me një hipotezë. As me besim. Fillojmë me një zbrazëti. Me heshtjen e universit që nuk i përgjigjet më pyetjeve që dikur kishin shenjtërim, kush jemi, pse jemi, ku po shkojmë?

Në ditët e sotme, njerëzimi ka ndërtuar modele të vetë-evoluara të inteligjencës artificiale, ka zbuluar struktura të reja të hapësirës së thellë, ka përshkruar mikrostrukturat e ADN-së dhe ka skanuar miliarda grimca në nënkoshiencën e njeriut.


Por asnjë zbulim nuk ka mbërritur ti afrohet as edhe një centimetër më pranë thelbit, pse kjo botë ekziston dhe pse njeriu nuk pajtohet me vdekjen.


Krishti nuk është shpikje.

Nuk është shpjegim. Ai është prani.

Ai nuk i konkurron zbulimet, por i tejkalon. Sepse nuk është funksion, por thelb.


Epoka jonë nuk beson më.


Feja është kthyer në zgjedhje kulturore, në ndjesi nostalgjike ose në dogmë që shfrytëzohet politikisht.


Por Jezusi nuk vjen nga feja.


Ai nuk i takon asaj.


Ai është “qenia që nuk ka asnjë model të krahasueshëm” (Jean-Luc Marion).


Ai nuk është njeriu që u bë Zot, por Zoti që pranoi të ishte njeri.


Dhe kjo nuk është metaforë.


Është rënia e kthesës që bota nuk e harxhoi dot.


Kur institucionet fetare kanë rënë në burokraci morale, Ai vjen me një urdhër ndryshe: “Ejani tek Unë, ju që jeni të lodhur…”.

Ai nuk i ndëshkon ata që dyshojnë. I pret.


Në epokën e performancës, gjithçka duhet të jetë e menjëhershme.

Algoritmet parashikojnë mendimet.

Tregjet parashikojnë sjelljet.


Por Krishti është Ai që vonohet.


Ai që qëndron pranë varrit të Lazrit dhe qan, edhe pse e di që do ta ringjallë.


Ai nuk jeton në kohën e orës, por në kohën e përjetimit.


Këtu Jezusi nuk vjen si reformator i kalendarit, por si rrënues i nxitimit.


Ai nuk shtyn drejt suksesit, por fton drejt pranisë.


Transhumanistët sot premtuan pavdekësi teknologjike.


Zhvillimet e fundit të laboratorëve në Boston, Zürich dhe Tokyo tregojnë se njerëzimi po simulon vetëdijen, ndërsa po teston zgjatjen artificiale të jetës përtej kufijve natyrorë.


Por Jezusi nuk e shmangu vdekjen.

Ai hyri brenda saj. E përjetoi.


E uli në nivelin e qenies së Tij, dhe atje brenda ringjalli të gjitha mundësitë e jetës.


Krishti nuk vjen të fshijë vdekjen, por të tregojë se kuptimi është më i fortë se frika. Ai është i vetmi që nuk u dorëzua, por as nuk e anashkaloi.


Jezusi sot nuk është i nevojshëm për të shpjeguar botën, por për të na shpëtuar nga humbja në pafundësitë e mundësive pa kuptim.


Ai nuk është stacioni i fundit i mendimit, por harta e vetme që e kapërcen mendimin.


Ai është mbi fe, mbi sistem, mbi epokë.


Çdo zbulim i ri e thellon.

Çdo krizë moderne e afron.

Çdo epokë që duket se e harron, pa e kuptuar po e përshkruan.


Sepse Ai është qendra e pashlyeshme.

Jo për të na kthyer në të shkuarën, por për të na dhënë një të ardhme që nuk matet me kohë, por me dashuri.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page