top of page

Mendime Shpirti: Kur të rritem, dua të jem dritë!

ree


Nga Arian Galdini



Një mëngjes i qetë shpaloset mbi çatitë si frymëmarrje e parë e ditës.


Një fëmijë sheh përtej xhamit një fije ndriçimi që lëviz si shpirt i padukshëm, pa zhurmë, pa cak.


Askush e pyet, kurrkujt i përgjigjet.



Thjesht pëshpërit në vetvete:



“Kur të rritem, dua të jem dritë.”



As ngjyrë.


As shkëlqim.


Vetëm prani që nuk shtyn, as tërheq.


Si dorë që e ndien mbi sup, pa peshë, pa zë.



Aty ku fjalët humbasin formën, dikush qëndron.



Jo për të marrë vëmendje.


As për të shpallur ndonjë akt.



Për të lënë një shenjë që zbulohet vetëm nga ai që kishte nevojë për të.



Në botën që nxiton të shpallet, ajo dëgjon.


Në kohën që matet me zë, ajo lëshon hapësirë.



Ajo shfaqet si ujë që rrjedh nën gur, me durim, me qëndrueshmëri, pa emër.



Buzëqesh si lule që hapet për askënd.


Shikon me butësi që hap kujtime.


Ecën pa ndalur, pa bërë hije.



Fjalët i ka të rralla, si trokitje që s’kërkon të hapë derë.


Prania e saj është vello.


Veprimi, një rrahje që as e mendon a pret duartrokitjen.



Në skajin e një rruge që shumë e kalojnë pa ndalur, ajo qëndron.


Mban një dritë ndezur, jo për t’u parë, po për të mos lënë terr.



Kur gjithçka tjetër shtrihet në ikje, ajo rri.


Kur zërat mbivendosen si stuhi, ajo qetëson frymën.


Nuk largohet nga të tjerët, mbetet me ta, pa u shpallur.



Jeton jo për të lënë emër, por për të mos lejuar zbrazëtinë.



Prania e saj nuk formëson kujtesë, por lë pas një ndjesi të përjetshme.



Fllad që ledhaton ballin në muzg.


Erë që bart brenda aromën e një përqafimi të harruar.


Zë i pashpalosur, a plotësisht i mbartur në e nga mendimi.



Dhe kur fjalia e fundit mbaron, kur hapat treten në kalldrëm, kur emrat rrokullisen nga kujtesa, ajo rri si një dritë që ruan përmasën njerëzore të jetës.



Kur të rritem, dua të jem ajo ndjesi që as kërkoi vend, thjesht e gjeti atë në zemrën e tjetrit.


Ai fllad që mbeti edhe kur gjithçka tjetër u tret.


Ajo dritë që s’donte të ndriçonte botën, po të mos e linte shpirtin vetëm.



Një gjurmë, ama krejt e pa zhurmë.


Një frymë që rri aty, edhe pasi koha ka kaluar.



Vetëm për të mbajtur ndezur atë që na bën njerëzorë.



Vetëm për t’i treguar botës se e thjeshta, e buta, e heshtura, është vetë drita.



Arian Galdini

 
 
 

Коментарі

Оцінка: 0 з 5 зірок.
Ще немає оцінок

Додайте оцінку
bottom of page