top of page

Mendime Shpirti: Kur vetëdija hesht, makineria e jetës nis të ulërasë!



Nga Arian Galdini


Nuk është dhimbja që e rrënon njeriun, por harresa.

Jo harresa e fakteve, por e vetvetes.

Sepse mund të jetosh i rrethuar nga dritat, por pa asnjë ndriçim të brendshëm.

Mund të jesh përherë i informuar, por përherë i humbur.

Mund të thuash çdo gjë që ndien, pa ndjerë më asgjë.


Jetojmë në një epokë ku njeriu është bërë spektator i vetes së vetë.

I vendosur para një pasqyre që e ndryshon pamjen çdo sekondë, por që kurrë nuk e pyet veten se kush është ai që sheh.


Ai shikon, reagon, flet, poston, zhduket dhe rifillon, por nuk mendon.

Sepse mendimi i thellë kërkon ndalesë, dhe ndalesa është mëkati i ri i kësaj kohe.


Të ndalosh për të menduar është të humbasësh ritmin.


Të humbasësh ritmin është të mos jesh më i dobishëm.


Të mos jesh i dobishëm është të jesh i tepërt.


Kështu, gjithë jeta është kthyer në një zinxhir reagimesh që përzihen, derisa askush nuk e di më nëse po ndjen realisht, apo thjesht po replikon emocionin që sistemi i ka servirur.


Çdo ditë ndodhin qindra ngjarje, por asnjë përvojë.


Çdo orë lind një ide, por vdes një mendim.

Çdo minutë prodhohet një thirrje, por nuk dëgjohet më asnjë zë i brendshëm.


Dhe ndërsa njeriu sillet si i lirë, çdo gjë përreth tij është projektuar për të mos e lejuar të ndalojë.


As për të reflektuar, as për të pyetur, as për të kujtuar.


Çdo përpjekje për t’u përqendruar është e ndërprerë.


Çdo ndjenjë e sinqertë është e kategorizuar.


Çdo mendim i thellë është i bezdisshëm.


Ndaj bota moderne nuk ka frikë nga errësira,

por nga ndriçimi që vjen nga vetëdija.


Sepse vetëdija është akti i parë i lirisë së vërtetë.


Por si t’i japësh kuptim jetës, kur çdo kuptim është bërë mall?


Si të ndërtosh rrënjë, kur toka është bërë ekran dhe koha rrëshqitje?


Sot, frika më e madhe nuk është se nuk po ndryshon gjë, por se çdo gjë po ndryshon aq shpejt, sa asgjë nuk arrin më të bëhet e vërtetë.


Kur gjithçka zëvendësohet nga diçka tjetër përpara se të përjetohet, atëherë jeta nuk është më ndërtim, por konsum i vetvetes.


Mendimi që nuk ka kohë të rrënjoset, kthehet në zhurmë.


Ndjenja që nuk përjetohet, kthehet në refleks.


Kujtesa që nuk ushqehet, kthehet në nostalgji boshe.


Dhe kështu, jeta nuk është më një rrugëtim,

por një stacion që nuk ndalon kurrë.


Por ka diçka që nuk lëviz me botën, zëri i brendshëm.


Ai që nuk pyet për ritme, por për drejtim.


Ai që nuk vdes nga heshtja, por nga harrimi.


Pikërisht aty fillon ajo që shpëton, çasti i parë kur nuk ndjek më gjithçka, por ndalon për të dëgjuar.


Për të pyetur, jo për të bërë.


Për të ndjerë, jo për të prodhuar emocion.


Për të reflektuar, jo për të reaguar.


Sepse nuk jeton ai që reagon më shpejt, por ai që mendon më thellë.


Dhe nuk është hero ai që ka gjithmonë një përgjigje, por ai që nuk pushon së kërkuari kuptimin.


Ndoshta ajo që na mungon nuk është shpresa, por guximi për të mos ia nënshtruar jetën zhurmës.


Ndoshta nuk jemi të lodhur nga vetë jeta, por nga mënyra si e jetojmë, pa pyetur më asnjëherë:


“A jam unë ende aty brenda?”


E nëse e pyet këtë, dhe ndalon, dhe pret, dhe dëgjon, atëherë, ndoshta nuk është vonë.


Sepse nuk ka makineri që mund ta zëvendësojë vetëdijen.


Dhe nuk ka epokë që mund ta shuajë një shpirt që ka nisur të kujtojë e kuptojë kush është.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page