top of page

Mendime Shpirti: Mirënjohja si mënyrë për të parë!

Updated: Jul 12, 2025


Nga Arian Galdini


Të gjithë e njohim atë lodhjen që s’e shkakton puna, por pesha e gjërave që s’i duam më.

Një mungesë që s’ka lidhje me varfërinë, por me stërngopjen.


Jeta jonë nuk është më e vështirë se ajo e të parëve tanë.

Ajo është më e zbrazët.

Sepse ne nuk shohim më vlerën.

Shohim vetëm dëshirën.


Çdo ditë zgjohemi me idenë se duhet të kemi më shumë, të dimë më shumë, të jemi më shumë, të marrim më shumë.

Dhe e quajmë këtë ambicie.

E quajmë zhvillim.

E quajmë sukses.


Por në të vërtetë, ky është verbim.

Është dështimi për të parë thesarin që kemi përpara syve, ngaqë sytë i kemi përherë të kthyer drejt asaj që mungon.


Njeriu që nuk e shikon dhuratën në të zakonshmen, është gjithmonë i pakënaqur.


Ai që e sheh jetën si borxh, do të jetë gjithmonë i zemëruar.


Ai që e sheh si pronë, do të jetë gjithmonë i pasigurt.


Ai që e sheh si shans, fillon të ndriçojë pa e kuptuar.


Mirënjohja është forma më e heshtur e ndriçimit.

Ajo nuk kërkon zë.

Kërkon sy.


Sy që janë ngopur së pari me dhimbje, që të mund ta kuptojnë çfarë është gëzimi.

Sy që nuk janë të mbushur me më shumë dëshirë, por me më pak nevojë.


Sepse vetëm atëherë, kur njeriu nuk është më i pushtuar nga ajo që i mungon, ai fillon të shohë gjithçka që ka.


E vërteta nuk është gjithnjë e madhe.

Ajo është shpesh e vogël, e thjeshtë, e përulur, e fshehur në detaj.

Në një dritë që zbret mbi fytyrën e dikujt që e don pa arsye.

Në një kafshatë buke të ndarë.

Në një çast që nuk u fotografua, sepse ishte i vërtetë.


Në të gjitha këto, ndodh ajo që quajmë thellësi.

Sepse thellësia nuk është poshtë tokës.

Ajo është në një vështrim që nuk kalon, por qëndron.


Nëse do të shpëtonim nga ankthi, nuk do të duhej të fitonim më shumë.

Do të duhej të kërkonim më pak.

Dhe në këtë më pak, të mësonim të njohim kuptimin.


Të mos ndjehesh keq nga mungesa, por të ndjesh falënderim për një thërrime drite që nuk ishte e sigurt.

Të mos presësh çfarë nuk erdhi, por të ndriçosh atë që është akoma me ty.


Të jesh mirënjohës nuk do të thotë të jesh i bindur.

Do të thotë të jesh zgjuar.


Është akt i një mendjeje që nuk kërkon më justifikime për boshësinë e saj, sepse ka mësuar të rrijë në heshtje përballë asaj që është, dhe të mos e çmendë me kërkesa të reja.


Kur shikon me mirënjohje, gjithçka e humb arrogancën.

Edhe e vërteta nuk është më ide.

Është marrëdhënie.


Me diçka që është më e thellë se mendja, më e butë se ndjenja, më e fortë se argumenti.


Në atë çast, njeriu nuk jeton për të marrë.

Jeton për të dëshmuar.

Ai nuk ecën për të fituar.

Ecën për të falënderuar.

Dhe jeta pushon së qeni fushë beteje.

Bëhet tokë e shenjtë.


Mirënjohja është vendi ku Zoti fshihet pa u quajtur Zot.

Ku e vërteta zbret pa pasur nevojë për të pasur të drejtë.

Ku njeriu nuk ndriçon për të tjerët.

Ndriçon për të mos u zhdukur nga vetja.


Dhe vetëm aty, nën barrën e heshtur të një jete që falënderon, ndodh çudia, jeta fillon të mos ketë nevojë të ndryshohet, sepse më në fund është parë si dhuratë.

Dhe dhurata e vërtetë nuk pritet.

As nuk kërkohet.

Vetëm pranohet.

Me frymë.

Me sy.

Me dritë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page