top of page

Mendime Shpirti: Mos jeto përgjysmë!


Arian Galdini


Ka më shumë jetë në një çast të plotë se në një jetë të përgjysmuar.

Përgjysma nuk është masë, është gjendje.

Është kur trupi ecën, por shpirti nuk mbërrin kurrë.

Kur fjalët janë të bukura, por heshtja e brendshme është bosh.

Kur sheh, por nuk sheh përtej.

Kur je, por nuk je asnjëherë tërësisht.


Njeriu nuk është krijuar për ndarje të brendshme.

Kur zemra mendon një gjë, mendja tjetër dhe duart asgjë, atëherë shpirti kalbet në një betejë që askush nuk e shikon,

por që shteron gjithçka.


Kemi mësuar të jetojmë duke kursyer gjithçka që nuk duhet kursyer, ndjenjën, përkushtimin, sinqeritetin, besnikërinë, dhimbjen, gëzimin, dhuratën e vetvetes.


Kemi frikë nga gjithçka që është e plotë.

Sepse e plotë do të thotë, pa mburoja.

Do të thotë të mos lësh kurrfarë strehimi pas vetes.

Do të thotë të digjesh, jo të luash me flakën.

Të duash, jo të marrësh pak nga dashuria.

Të shpresosh, jo të testosh mundësitë e shpresës.


Ka njerëz që ndërtojnë shtëpi që nuk do t’i banojnë kurrë.

Ka të tjerë që ndërtojnë marrëdhënie që nuk i jetojnë, por thjesht i mbajnë gjallë si kufoma sociale.

Ka të tillë që flasin për dashurinë si të ishte një teori, por nuk guxojnë t’i hapin portat e shpirtit askujt.

Sepse një dashuri e hapur tërësisht mund të shkatërrojë egon, dhe kjo për shumë është më e frikshme se vetë vdekja.


Në një botë që adhurohet pas gjysmave që duken të sigurta, çdo gjë që është e plotë, është e rrezikshme.

E vërteta e plotë është e papërshtatshme.

Zëri i plotë nuk ka vend në tavolina diplomatike.

Besimi i plotë cilësohet naivitet.

Besnikëria e plotë është primitive.

Dashuria e plotë? Qesharake.

Shpresa e plotë? Utopi.


Dhe prandaj ne kemi ndërtuar një epokë që ushqehet me fraksione të jetës, pak për të ndier, pak për të menduar, pak për të përjetuar.

Por pak nga gjithçka nuk është jetë.

Është vonesë e përhershme.

Është vdekje në doza të vogla.


Nuk ke ardhur në këtë botë për të kursyer veten.

As për të qenë i paprekshëm.

As për të vdekur pa gabuar.

As për të qenë i mençur në çdo hap.

Ke ardhur që të digjesh e të ndriçosh me të njëjtin zjarr.

Që të mos lësh asgjë pa thënë, asnjë dashuri pa dhënë, asnjë falje pa dhënë drejt vetes.


Të jesh i plotë është e vetmja mënyrë për të qenë i vërtetë.


Jeta nuk është për t’u analizuar pa u jetuar.

As për t’u kuptuar pa u guxuar.


Mos prano asnjë gjysmë që të zbeh tërësinë tënde.

As gjysmë dashuri, as gjysmë e vërtete, as gjysmë fjale, as gjysmë pendese.

Mos qëndro në vende që s’të presin plotësisht.

Mos nguro në rrugë që kërkojnë gjysmën tënde për të qenë të sigurta.

Mos shijo diçka që kërkon ta mohosh veten për ta ruajtur.


Të jesh i ndershëm deri në palcë, i përkushtuar pa klauzola, i dashuruar pa kushte, kjo është forca që i frikëson të gjithë, sepse nuk mund të kontrollohet.


Por është e vetmja gjë që e shpëton shpirtin.


Mos lejo që të bëhesh mjeshtër i kompromisit të brendshëm.

Bëhu mjeshtër i përfshirjes së plotë në çdo çast që jeta të jep.

Përndryshe, çdo gjë që nuk e jeton sot të plotë, do të kthehet nesër në një pengim të padukshëm.

Si një fjalë e pathënë që mbetet në fytin e shpirtit.


Mos jeto përgjysmë.

Sepse përgjysmë nuk është siguri.

Është zhdukje me ritëm të ngadaltë.


Ti nuk je një fragment.

Je i tëri.

Dhe e vetmja mënyrë për të qenë në paqe,

është të jesh gjithmonë i tëri.


Mos jeto për të qenë i pëlqyer.

Jeto për të qenë i vërtetë.

Dhe jeto i tëri.

Sepse çdo gjë më pak se kjo

është një jetë që nuk ishte kurrë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page