top of page

Mendime Shpirti: Nëntoka e Dritës!


Nga Arian Galdini!


Në sipërfaqe, gjithçka është rrëfim. Gjuhë. Emër. Simbol. Maskë.


Njeriu ecën, flet, ndërton, ngjitet, fiton. Dhe e quan këtë realitet.


E megjithatë në thellësi, diku poshtë zhurmës së ditës, ekziston një botë tjetër, e padukshme, por e vërtetë.

Atje, nuk vlen asgjë që është për sy.

As lavdia. As logjika. As lavjerrësit e së drejtës që matin botën me peshoren e fjalës.


Atje, je vetëm.

Jo për t’u trembur.

Për të ndriçuar.


Ka dy mënyra për të jetuar, të jesh dritë që shfaqet, apo dritë që djeg nga brenda.


E para i përket skenës.

E dyta është përkushtim.


E para kërkon duartrokitje.


E dyta kërkon flijim.


Drita e vërtetë nuk prodhohet vetvetiu e papritmas.


Ajo lind në thellësi.


Në një vend ku askush nuk të sheh.

Ku s’ka asnjë shans të përdoresh.

As për lavdi, as për sukses.


Vetëm për ta ndriçuar terrin nga brenda.


Të zbresësh në thellësi është akt trimërie.

Jo për të luftuar.

Për të duruar.

Jo për të gjetur.

Për të humbur.


Humbur vetveten e vjetër, mendjen që dinte gjithçka, zemrën që donte gjithçka, dhe të qëndrosh aty, i zhveshur nga çdo emër, çdo rol, çdo përfitim.


Sepse vetëm kur je askush, mund të bëhesh i plotë.


Atje poshtë, nuk ke më argumente.

Ke dridhje.

Nuk ke më dije.

Ke praninë e së vërtetës që nuk e thërret, por qëndron.


Nuk e bind. Nuk e imponon. Nuk e kupton.


E thjesht, e pranon.


Në thellësi nuk vlen më asgjë që ke ditur për të vërtetën.


Ajo nuk është e ndarë nga ndjenja.

Ajo nuk është vetëm ide.

Ajo nuk kërkon të jesh i saktë.

Ajo kërkon të jesh i dlirë.


Të jesh gati të shohësh dhimbjen e tjetrit dhe të mos e mbrosh veten me logjikë.


Të jesh gati të heqësh dorë nga fjalët, kur zemra ka më shumë për të thënë se mendja.


Të jesh gati të mos fitosh, nëse rruga e fitores e humb njeriun.


E vërteta nuk është thesar për t’u zbuluar.

Ajo është tokë për t’u bërë.


Ajo nuk të bind. Ajo të ndërron.


Jo si një teori.

Por si një dritë që vjen kur mendja hesht, zemra dridhet dhe shpirti rri pa mburojë.


Në atë çast, e vërteta nuk është më një objekt.

Ajo është frymë që të përshkon dhe të djeg gjithë gënjeshtrat që ke ndërtuar për të jetuar i qetë.


Dhe e vërteta nuk të jep qetësi.


Të jep dashuri që s’është e jotja.


Kush e ka parë thellësinë, nuk mund të kthehet më në sipërfaqe.


Jo se është më i mirë.

Patjetër sepse e di që jeta nuk është për t’u jetuar lehtë.


Jeta është për t’u flijuar në emër të diçkaje më të madhe se vetvetja.


Jo në emër të Zotit.

Jo në emër të Kombit.

Jo në emër të një Ideali.


Por në emër të Atij Qetësimi që vjen kur nuk gënjen më.

Kur e shikon tjetrin me të njëjtën dhembje si veten.

Kur nuk ke më nevojë të bindësh, të shpëtosh, të drejtosh.

Vetëm të ndriçosh.


Asgjë më shumë.


Asgjë më pak.


Dhe kur del nga thellësia, nëse del ndonjëherë, nuk flet më si dikur.


Flet më ngadalë.

Më shkurt.

Me më pak fjalë, me më shumë frymë.


Sepse tani e di, e vërteta nuk është një përgjigje.


Ajo është një prani.


Dhe ti je vetëm dëshmitari i saj.


Në heshtje.

Në dritë.

Në një thellësi që është bërë e jotja përgjithmonë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page